TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 1 Korrik 2026, 12:48

Lidhja me Olsi Ramën në rrjetin call-center: Pse SPAK nuk e kërkoi ekstradimin e Amant Josifit nga Dubai?

Shkruar nga Pamfleti

Lidhja me Olsi Ramën në rrjetin call-center: Pse SPAK nuk e

Ish-këshilltari i ministres Olta Xhaçka, i lidhur me grupin 'Milton Group' që mashtroi mijëra europianë, u arrestua në Dubai me kërkesë të Spanjës; ndërsa SPAK nuk lëshoi asnjë urdhër-arrest ndërkombëtar për të. Hetimet zbuluan se paratë e mashtrimit kalonin nga qendrat e Josifit në Laprakë, nëpërmjet cash-it dhe pastroheshin në fast-food dhe ndërtim. Altin Dumani e hoqi nga lista e kërkuar, duke e lënë të qetë Olsi Ramën, bosin e vërtetë që fshihet pas këtij rrjeti.

Ekstradimet e kriminelëve të njohur me kërkesë të SPAK-ut dëshmojnë se Dubai dhe qytetet e tjera në Emiratet e Bashkuara nuk janë më baza të sigurta për paprekshmërinë e tyre atje.

Por, nuk po ekstradohet Amant Josifi, ish-këshilltari i Olta Xhaçkës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe drejtues i rrjetit kriminal call-center, që mashtroi e zhvati mijëra shtetas europianë.

Nuk po ekstradohet, sepse nuk po e kërkon SPAK-u, pasi dosja e tij për krimin e mashtrimit dhe vjedhjeve financiare të kryera në Shqipëri, u shkatërrua qëllimisht nga Altin Dumani, ngaqë në rrjetin e aktivitetit kriminal call-center, Amant Josifi ishte maska e Olsi Ramës.

Në të vërtetë, siç kanë raportuar OCCRP dhe mediat e tjera, Josifi ishte ortak biznesi me Olsi Ramën në kompaninë "Pegasus Communication" deri në vitin 2017, dhe kjo lidhje ka ngritur dyshime të vazhdueshme për mbrojtje nga nivelet më të larta.

Hetimet ndërkombëtare e përshkruajnë atë jo thjesht si administrator, por si një "bos mashtrimi" me akses politik dhe lidhje me grupin ndërkombëtar "Milton Group", i cili operonte 6 nga 15 qendrat e tij në Shqipëri.

Para mediave e në parlament, Altin Dumani deklaroi se për dosjen e Amant Josifit është bërë "marrëveshje me drejtësinë spanjolle", që ai të hetohet, arrestohet dhe gjykohet vetëm nga drejtësia e atij shteti.

Edhe nëse ky version do të jetë i vërtetë, paçka se nuk ka dokument publik për marrëveshjen mes SPAK-ut dhe palës spanjolle, heqja dorë nga hetimi i Amant Josifit është shkelje e Kodit të Procedurës Penale, sepse aktivitetin kriminal e ka kryer në territorin shqiptar. Në fakt, SPAK konfirmoi se Spanja kishte lëshuar urdhër-arrest për Josifin, por vetë SPAK nuk kishte nxjerrë asnjë urdhër-arrest ndërkombëtar për të, duke lënë një boshllëk të habitshëm.

Më 10 nëntor 2022, SPAK deklaroi publikisht se kishte kryer një operacion të përbashkët me Europol dhe policinë spanjolle, nëpërmjet të cilit u arrestuan administratorët e qendrave call-center, ndërsa Amant Josifi u njoftua dy ditë para arrestimit dhe u arratis në Dubai.

Detyrën pas emërimit si drejtues i SPAK-ut në dhjetor 2022, Altin Dumani e filloi me dosjen "Call-Center" të Amant Josifit dhe e mbajti të bllokuar 1 vit; jo për ta finalizuar e çuar në gjykim, por për ta shkatërruar e pushuar si çështje.

Vetë SPAK njoftoi se agjentët shqiptarë të BKH-së në bashkëpunim me Interpol-Tirana do të udhëtonin drejt Dubait për arrestimin e Amant Josifit, por asnjë prej udhëtimeve nuk u realizua.

Madje u hoq nga lista e personave në kërkim, deklaruar më 27 tetor 2025 nga Altin Dumani në parlament, ku tha se Amant Josifi nuk është nën hetim nga SPAK për krimin me call-center, me justifikimin se po e heton drejtësia e Spanjës.

Në të vërtetë, midis SPAK-ut dhe prokurorisë spanjolle nuk ekziston asnjë marrëveshje ligjore që i jep ekskluzivitet hetimi një pale për krime të kryera në territorin e Shqipërisë.

Kodi i Procedurës Penale i Shqipërisë nuk parashikon transferim hetimesh për shtetas shqiptarë e të huaj, kur veprat penale janë kryer brenda vendit; ndërsa marrëveshjet e bashkëpunimit ndërkombëtar parashikojnë vetëm koordinim, e jo transferim të hetimeve.

Në shkurt 2023, SPAK hapi një hetim tjetër për pastrim parash e mashtrim kompjuterik ndaj Amant Josifit e personave të lidhur me të, por hetimi u ndërpre kur provat çuan te Olsi Rama. Hetimet ndërkombëtare kanë zbuluar se paratë e mashtrimit kalonin nga qendrat e Josifit, përmes cash-it në dorë te transportuesit në Laprakë, dhe më pas nëpërmjet bizneseve si fast-food-i, për të përfunduar në investime në pasuri të paluajtshme dhe ndërtim, duke u kthyer në një skemë të sofistikuar pastrimi parash që përfshinte edhe biznese ndërtimi në pronësi të babait të Josifit.

Ai vazhdon të jetojë e bëjë biznes në Dubai, ndërsa emri i tij nuk është në listën e SPAK-ut për arrestim e ekstradim, sepse hetimin e shkatërroi dhe e pushoi Altin Dumani, veprim që e ka lënë të qetë e të paprekshëm dhe Olsi Ramën, bosin e vërtetë të rrjetit kriminal call-center. Dëshmia më e qartë e kësaj mospërfilljeje është se Spanja kërkoi ekstradimin e Josifit nga Dubai dhe e mori atë pa problem, ndërsa SPAK as nuk lëshoi një urdhër-arrest ndërkombëtar për të, duke treguar se nuk ishte aspak i interesuar ta sillte para drejtësisë shqiptare./Pamfleti

 

amant josifi olsi rama spak

1 Komente

  1. A
    Andri

    Kur u ben dhe çunat e Netës ky eshte kulmi!

    Lini një Përgjigje