TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 7 Mars 2026, 18:59

Mashtrimet me call center-at dhe “çunat” e FRPD, hija që ndjek pas Belind Këlliçin!

Shkruar nga Pamfleti
Mashtrimet me call center-at dhe “çunat” e FRPD, hija që
“Çunat” e FRPD

“Çunat” e FRPD dhe milionat e call center-ave: Këlliçi në përpjekje për të larë duart

Faktet e publikuara javët e fundit për lidhjet e “çunave” të FRPD me call center-at mashtruese, kanë filluar të trembin Belind Këlliçin.

Deputeti i PD-së del në pah si menaxher i përgjithshëm dhe mburojë politike e një prej grupeve më të organizuara të mashtrimit me call center në nivel politik, i njohur si grupi i çunave të FRPD-së. Kur Këlliçi ishte kryetar i FRPD-së, disa nga çunat e call centerave ishin në krye të degëve të FRPD-së. Paratë e aktivitetit kriminal, duke u kamufluar pas Forumit Rinor të PD-së, janë investuar në pasuri të paluajtshme, por dyshohet edhe për financimin e Këlliçit për të ngjitur shkallët e karrierës në PD.

I gjendur përballë fakteve, Beloja ka bërë sot një reagim publik, duke dashur të distancojë veten nga ky skandal. Duke marrë shkas nga një investigim i emisionit ‘Piranjat’ dhe kolegët e tyre italianë të ‘Le Iene’, Këlliçi bën të paditurin duke denoncuar “një fenomen alarmant që po zhvillohet në Tiranë: aktivitetin e call-centerave mashtruese, një prej formave më të rënda dhe më të dënueshme të krimit ekonomik”.

Këto call-center-a janë tashmë një realitet i përhapur në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, me një qëllim të vetëm: mashtrimin e qytetarëve evropianë dhe përvetësimin e paligjshëm të miliona eurove nga llogaritë e tyre bankare. Veprimtaria e tyre zhvillohet në disa prej hapësirave më të shtrenjta dhe më luksoze të Tiranës: në kulla biznesi, komplekse rezidenciale, vila private dhe madje edhe në qendra tregtare. Kjo prani e dukshme dhe e organizuar ngre dyshime serioze se një aktivitet kriminal i kësaj përmase nuk mund të zhvillohet pa dijeninë e institucioneve shtetërore dhe pa tolerancën, në mos edhe mbështetjen, e strukturave përgjegjëse për zbatimin e ligjit”, shprehet ai.

Këlliçi shkon dhe më tej: “Ky aktivitet kriminal, i cili ka shkaktuar pasoja të rënda për shumë qytetarë të Bashkimit Evropian, kryesisht në Itali, duke u zhvatur kursimet e një jete të tërë, zhvillohet nga Tirana, me bekimin e Policisë së Shtetit dhe të qeverisë”.

Statusi i gjatë i Këlliçit është një maskë dhe tentativë e tij për të “larë duart”. Por në fakt realiteti është ndryshe dhe Këlliçi, sado të hiqet si kritik i call centerave, në fakt është i zhytur kokë e këmbë. Dhe absurdi është se Beloja flet për "mburojë policore", por që në fakt policia mbyll sytë ndaj njerëzve të tij.

Faktet

Luis Hoxha ka qenë ortak me vëllain e Belind Këlliçit, Reshard Këlliçi, në kompaninë e ngarkim/shkarkimit të mjeteve lundruese dhe energjisë ALBANIAN STEVEDORING COMPANY (ASC) shpk, e cila ka marrë qindra mijëra euro nga Porti i Durrësit. Luis Hoxha është një prej kokave kryesore në Durrës të mashtrimit të qytetarëve evropianë përmes investimeve të rreme. Dikur pjesë e FRPD kur Këlliçi ishte kryetar, Luis Hoxha ka kontrolluar një rrjet të fuqishëm call centerash, duke gjeneruar dhjetëra milionë euro.

Miliona euro që u ka zhvatur qytetarëve evropianë përmes mashtrimit, shoku i Këlliçit, Luis Hoxha, i ka qarkulluar në një kartel kompanish ku përfshihen edhe FinTech Solution, ALBANIAN STEVEDORING COMPANY, VERTEX INVEST, BINDI MEDIA, Container Full Service Albania, BALCO, ALBANIAN TOURISM AND LOGISTICS (ATL), ALCoders Com, POWER AND GAS OPERATIONS (PGO), B Pro shpk, MEDIA CONSULTING shpk, Reber, LO-ALB 2020, BHG – Bell Hospitality Group, MLD – Mineral Logistic Durres etj., me aktivitet në Durrës dhe Tiranë.

Në vitin 2016, në dokumentin zyrtar të zgjedhjeve të drejtuesve të forumeve më të larta të FRPD-së, Arian Cara rezulton drejtues i Departamentit “Shoqëria e Informacionit dhe Inovacioni”, ndërsa Luis Hoxha drejtonte “Ekonomia dhe Tregu”.

Arian Cara përmendet si figurë drejtuese e një celule call centerash që dyshohet se ka operuar me zyra në Tiranë dhe Durrës, duke targetuar qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian me investime të rreme financiare, ndërsa aktiviteti i kësaj strukture pretendohet se është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Luis Hoxhën. Një prej lokacioneve të përmendura nga burimet ndodhet në zonën e Bllokut në Tiranë, sipër lokalit ‘Cioccolatitaliani’, ku janë instaluar struktura telefonike dhe staf i trajnuar për manipulim financiar.

Burimet flasin për mbrojtje të garantuar nga segmente të korruptuara të Policisë së Shtetit që kanë mbyllur sytë ndaj aktivitetit, ndaj kjo çështje kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe hetim të thelluar nga BKH për të ndjekur rrjedhën e parave, për të verifikuar rolet individuale dhe për të zbardhur çdo lidhje me struktura shtetërore që i kanë bërë të rinjtë e PD milionerë.

Në VERTEX INVEST dhe FinTech Solution figurojnë së bashku Arian Cara dhe Luis Hoxha; në B-Pro figurojnë Arian Cara, Bledar Shehu dhe Lorin Hoxha; në My TV figurojnë Arian Cara dhe Doklead Ademi, ndërsa Lorin Hoxha, që rezulton vëllai i Luis Hoxhës, është sot pronar 100 për qind i ALBANIAN STEVEDORING COMPANY, kompani që në korrik 2025 ka fituar një tender me vlerë mbi 800 mijë euro nga Porti i Durrësit për marrje me qira të pajisjeve për Terminalin e Kontejnerëve.

Derivat i Luis Hoxhës është edhe Klaus Shaqiri, lidhje e ngushtë e Belind Këlliçit. Kur Këlliçi ishte në krye të FRPD, Shaqiri drejtonte degën e FRPD-së Vlorë. I njohur si “doktori i call centerave”, Klaus Shaqiri e ka kamufluar aktivitetin kriminal të mashtrimit me kompaninë Finantex, me emër të ndryshuar në CAREER DECISION MARKETING & DESIGN shpk, duke e kaluar në emrin e Kledia Tafilaku.

Shumica e ish-drejtuesve të degëve të FRPD rezultojnë të përfshirë në aktivitetin kriminal të call centerave. Disa prej tyre janë nën hetim nga SPAK për mashtrim me pasoja të rënda, grup kriminal dhe pastrim parash. Shumica vijojnë aktivitetin kriminal të zhvatjes së qytetarëve evropianë përmes mashtrimit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje