TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 4 Mars 2026, 19:50

Karteli i kompanive të grupit Cara-Hoxha, pastrimi i parave dhe një lidhje e 'çunave' të FRPD me “Visin e Pojës''

Shkruar nga Pamfleti
Karteli i kompanive të grupit Cara-Hoxha, pastrimi i parave dhe një
Arian Cara, Luis Hoxha

Një rrjet i mirëorganizuar kompanish në Tiranë dhe Durrës, dyshime për pastrim parash në shkallë të gjerë dhe call center-a që mashtrojnë qindra qytetarë të huaj çdo ditë. Në qendër të këtij sistemi qëndrojnë Arian Cara dhe Luis Hoxha, dy emra që prej vitesh lëvizin në heshtje mes biznesit dhe krimit.


Call center-at mashtrues: Si vidhen paratë e evropianëve

Në periferi të Tiranës dhe në disa zona të Durrësit, funksionojnë prej vitesh qendra telefonike që në dukje merren me shërbime ndaj klientit. Por brenda tyre, qindra punonjës punojnë me turne të plota për të mashtruar qytetarë italianë, gjermanë dhe zviceranë.

Skemat janë të njohura për hetuesit evropianë: investime të rreme në kriptomonedha, aksione fiktive, fonde pensionesh që zhduken brenda natës. Viktimat, kryesisht të moshuar, transferojnë kursimet e tyre në llogari bankare që zbrazen brenda pak orësh. Paratë humbasin çdo gjurmë.

Por ato nuk humbasin. Ato ndjekin një rrugë të paracaktuar.

Kompanitë e Carës dhe Hoxhës: Rrjeti i pastrimit

Arian Cara sot figuron ortak dhe administrator në gjashtë kompani aktive: “B-Pro”, “My Tv”, “FinTech Solution”, “VERTEX INVEST”, “2.0” dhe “ZERO LOUNGE”. Bizneset e tij shtrihen nga tregtimi i sistemeve kompjuterike te bar-snack, nga konsulenca juridike te investimet në pasuri të paluajtshme.

Por karteli i vërtetë zbulohet kur shikohen ortakëritë.

Në “VERTEX INVEST” dhe “FinTech Solution”, Cara figuron me Luis Hoxhën. Në “B-Pro”, me Bledar Shehun dhe Lorin Hoxhën. Në “My Tv”, me Doklead Ademin. Pjesë e skemës është edhe vëllai i Belind Këllicit, Reshard Këllici, gjithashtu edhe ish drejtoresha e kabinetit të Lulzim Bashës; Greta Deljani.

Është një rrjet i ndërthurur kompanish, ku emrat e njëjtë përsëriten pa pushim. Një strukturë e krijuar për të mjegulluar gjurmët, për të kaluar paranë nga një subjekt te tjetri, për ta bërë të pamundur gjurmimin.

Sipas burimeve nga krimi ekonomik, paratë e mashtruara në call center-a ndjekin pikërisht këtë rrugë. Ato futen në llogaritë e kompanive të Carës dhe Hoxhës, pastaj qarkullojnë në kompani guackë në Londër. Atje humbasin çdo lidhje me origjinën. Pastaj kthehen në Shqipëri, të gatshme për t’u investuar në prona, lokale dhe shërbime portuale; pikërisht ato që administron sot Arian Cara.


“CARA NA”, kompania që lidh Arian Carën me Elvis Docin (Visi i Pojës)

Një lidhje e dokumentuar zyrtarisht mes Arian Carës dhe Elvis Docit është kompania “CARA NA” SHPK.

Më 13 korrik 2006, Arian Cara themeloi shoqërinë e tij të parë, “CARA NA” SHPK, me kapital 100 mijë lekë dhe seli në fshatin Romanat të Durrësit. Objekti i saj ishte tepër i gjerë: nga prodhimi i materialeve të ndërtimit te ndërtimet urbane, nga infrastruktura te monitorimi.

Por më 31 mars 2008, para noteres Flutura Abdiu në Durrës, Arian Cara i shiti të gjitha kuotat e shoqërisë “CARA NA” SHPK shtetasit Elvis Doçi. Kontrata ishte e qartë: 100 për qind e kapitalit kalonte te blerësi. Doci u bë ortaku i vetëm dhe administrator i ri.

Karteli i kompanive të grupit Cara-Hoxha, pastrimi i parave dhe një
Shitja e kompanisë te Visi i Pojës

Në atë kohë, Elvis Doçi nuk ishte i njohur për publikun. Sot ai është në krye të listave të personave në kërkim të SPAK-ut. Operacioni “Ura” e cilëson atë si një nga drejtuesit kryesorë të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Rrjeti i tij siguronte lëndën nga Amerika e Jugut dhe e shpërndante në Itali e Gjermani. Në banesën e tij, policia sekuestroi 3 milionë euro cash.


Fakt i ri nga hetimet: Mbrojtja policore e garantuar nga Elvis Doci

Por një fakt i ri, i siguruar nga burime jozyrtare pranë grupeve të krimit ekonomik, hedh dritë mbi një tjetër dimension të kësaj historie.

Sipas këtyre burimeve, i gjithë aktiviteti i call center-ave mashtrues të grupit Cara- Hoxha ka gëzuar prej vitesh mbrojtje policore. Dhe kjo mbrojtje është garantuar nga Elvis Doci.

Edhe pse në kërkim, edhe pse i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, Doci vijon të ketë kontaktet e tij brenda strukturave të rendit. Këto kontakte, sipas burimeve, janë përdorur për të garantuar që asnjëherë policia të mos ndërhyjë në call center-at e Carës dhe Hoxhës. Asnjëherë të mos mbyllen. Asnjëherë të mos hetohen.

Burimet tregojnë se në disa raste, kur ka pasur sinjalizime nga autoritetet evropiane për numra telefonikë që përdoreshin për mashtrim, këto sinjalizime janë shuar para se të arrinin të konkretizoheshin në kontroll dhe call center-at vazhduan punën.

Sot, Arian Cara menaxhon gjashtë kompani. Luis dhe Lorin Hoxha janë ortakë në disa prej tyre. Call center-at vazhdojnë punën. Paratë qarkullojnë nga Tirana në Londër dhe kthehen të pastra.

Në 2008,kompania “CARA NA” kaloi në duart e Elvis Docit. Sot, ajo lidhje nuk është më e dukshme, por sipas burimeve, Doci vijon të jetë prezent; jo si drejtues i rrjetit, por si garant i mbrojtjes së tij.

Por burimet tregojnë më shumë. Elvis Doci, i njohur si “Visi i Pojës”, ka prej vitesh marrëdhënie të konsoliduar me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës. Madje, sipas burimeve, ai ofron mbështetje për aktivitetin e call center-ave ilegalë që mbajnë gjallë financimin e këtyre strukturave.

Sali Berisha del çdo ditë në televizione dhe sulmon “Visin e Pojës”. E quan trafikant, kriminel, armik të vendit. Por në Durrës, njerëzit e tij bashkëpunojnë me të njëjtin njeri për të mbajtur gjallë makinerinë elektorale. /Pamfleti

 

 

 

 

arian cara cara na luis hoxha mashtrime me call center pastrim para

Lini një Përgjigje