
Ligji “Statusi i Deputetit” po përdoret si skemë pasurimi: deputetët përfitojnë makina pa taksa, qira banesash edhe pse kanë prona, dhe lehtësira që i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro në vit...
Nga të dhënat e Doganave dhe Ministrisë së Financave, rezulton se 95 deputetë, të vjetër e të rinj, kanë importuar makina mbi 5 milionë lekë pa paguar detyrimet doganore, në bazë të ligjit që vetë ata miratuan. Shumë prej tyre e kanë shfrytëzuar këtë privilegj në çdo mandat, duke i kaluar automjetet te familjarët ose duke i shitur. Paralelisht, 62 deputetë të tjerë marrin qira banese nga shteti, megjithëse janë pronarë apartamentesh dhe vilash në Tiranë.
Sapo kanë nisur mandatin e ri, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë vënë në garë për të përfituar privilegjet ekonomike që vetë i kanë votuar.
Sipas dokumenteve që “Pamfleti” ka siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, 95 deputetë kanë importuar dhe blerë 95 makina luksoze, për të cilat nuk kanë paguar asnjë detyrim doganor, duke u mbështetur në nenet e ligjit “Statusi i Deputetit”.
Doganat kanë njoftuar Ministrinë e Financave se këto mjete, me vlerë mbi 5 milionë lekë secila, kanë hyrë në vend pa asnjë taksë, me justifikimin e “përjashtimit ligjor” që u jepet deputetëve gjatë mandatit.
Sipas udhëzimit të Ministrit të Financave të datës 7 maj 2018, makina luksoze konsiderohet çdo autoveturë me çmim mbi 5 milionë lekë, për të cilën paguhet edhe një taksë vjetore përdorimi. Por deputetët nuk paguajnë as këtë taksë, pasi ligji që ata miratuan i përjashton nga çdo detyrim fiskal.
Ligji u jep të drejtën që çdo deputet, gjatë një mandati, të blejë një automjet privat pa doganë, dhe ky privilegj është shfrytëzuar në maksimum nga deputetët e vjetër që kanë mbajtur 2, 3, 4 apo edhe 7 mandate.
Në praktikë, kjo do të thotë se të njëjtët persona kanë futur nga një makinë luksoze në çdo mandat, pa paguar asnjë taksë, për t’i përdorur vetë, për t’ua dhënë familjarëve apo për t’i shitur më pas me fitim.
Në listën e deputetëve që kanë futur automjete pa doganë gjenden emra nga të gjitha krahët politikë:
Fatmir Mediu, Tritan Shehu, Fatmir Xhafaj, Blendi Klosi, Flamur Noka, Niko Peleshi, Fadil Nasufi, Edmond Haxhinasto, Erisa Xhixho, Lindita Nikolla, Edi Paloka, Bledar Çuçi, Gazment Bardhi, Mirela Kumbaro, Ogerta Manastirliu, Albana Vokshi, Olta Xhaçka, Eduard Shalsi, e shumë të tjerë.
Në listën e deputetëve të rinj, që e kanë shfrytëzuar menjëherë pas nisjes së mandatit këtë të drejtë, përfshihen Tedi Blushi, Adi Qosja, Tërmet Peçi, Agron Malaj, Enno Bozdo, Zija Ismaili, Tomor Alizoti, Romina Kuko, Blendi Himçi, Bora Muzhaqi, si dhe ministrat deputetë: Pirro Vengu, Adea Pirdeni, Petrit Malaj, etj.
Sipas burimeve nga Doganat, një pjesë e këtyre automjeteve janë të markave Range Rover, Mercedes Benz, BMW, Porsche, Audi, Lexus dhe Maserati, me çmime që variojnë nga 50 mijë euro deri në 200 mijë euro secila.
Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ka paguar doganë, TVSH apo taksë përdorimi, duke e kthyer ligjin në një skemë përfitimi personal që rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë.
Për më tepër, shumë prej deputetëve të listës janë përfitues të përsëritur të të njëjtit privilegj, pasi ligji nuk parashikon kufizim të përgjithshëm, por vetëm për çdo mandat të ri.
Në këtë mënyrë, një deputet me katër mandate mund të ketë futur në vend katër makina pa doganë – të gjitha të legalizuara me firmën e vetes.
Por kjo nuk është e vetmja përfitim absurd që po shfrytëzojnë ligjvënësit.
Sipas burimeve të “Pamfletit”, 62 deputetë të tjerë kanë dorëzuar kërkesa zyrtare në Kryesinë e Kuvendit për të përfituar 350 mijë lekë qira banese në muaj në Tiranë, edhe pse një pjesë e tyre zotëron apartamente dhe vila në kryeqytet ose në emër të familjarëve.
Kjo pagesë, e parashikuar për deputetët që vijnë nga rrethet, është kthyer në një tjetër burim abuzimi që çdo vit i kushton buxhetit të shtetit qindra milionë lekë.
Pyetja që mbetet pa përgjigje është kjo:
Si e justifikojnë deputetët blerjen e makinave luksoze me vlerë 50-200 mijë euro, kur paga e tyre mujore nuk e mbulon as një të dhjetën e këtij shpenzimi?
Nëse këto mjete janë pasuri të deklaruara, a është verifikuar burimi i të ardhurave? Dhe nëse nuk janë deklaruar, pse SPAK nuk ka hapur hetim për abuzim me detyrën dhe pasuri të pajustifikuara?
Në fund, ky është paradoksi i politikës shqiptare:
Deputetët që votojnë ligjet për taksat dhe rregullat fiskale për qytetarët, janë të vetmit që nuk i zbatojnë ato.
Ata që duhet të paguajnë shembullin e ligjit, janë kthyer në simbolin e përfitimit, në një shtet ku pushteti është privilegj, jo përgjegjësi.
Dhe ndërsa shqiptarët paguajnë çdo taksë për të mbajtur në këmbë shtetin, 95 deputetë qarkullojnë me makina pa doganë dhe 62 të tjerë jetojnë me qira nga buxheti; një tablo që tregon më shumë për fytyrën reale të “elitës politike” sesa çdo fjalim në Kuvend./Pamfleti
Shtet muti, bande gjakpiresish!
Me Pak fjale''' nevojtore hesapi