
KLP në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, gara për SPAK nën vëzhgim të rreptë...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar presionin ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të mos bëjë lojëra me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. Altin Dumani do të largohet në dhjetor dhe në prapaskenë ka nisur lufta politike për të vendosur aty një individ që të veprojë sipas interesave të mamuthëve të korrupsionit.
Për këtë arsye është vënë në lëvizje SHBA. E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, i ka shkuar në zyrë kryetares së KLP-së, Mirela Bogdanit, ku në fokus ka qenë gara për pasardhësin e Altin Dumanit. Ajo e ka bërë të qartë se nga ky proces do të përcaktohet vijimi i bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua dje me Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdanin, për të diskutuar mbi ngjarjet e rëndësishme që do të zhvillohen në Këshill. Integriteti i procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Posaçëm të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe për forcimin e sigurisë së vendeve tona”, njoftoi ambasada.
Pak ditë më parë, KLP hapi garën për pasardhësin e Altin Dumanit, i cili më 18 dhjetor mbyll mandatin në krye të Prokurorisë së Posaçme. Ai nuk ka të drejtë kandidimi dhe pritet që të hyjnë në garë kolegët e tij. Por duke parë zhvillimet e tre viteve të fundit dhe atë që ndodhi kur Dumani u zgjodh kryetar, ndërkombëtarët kanë frikë se politika do të tentojë të ndërhyjë në proces për të vendosur aty një drejtues kukull, me qëllim që të shpëtojnë nga hetimet. Mesazhet shkojnë në drejtim të qeverisë, pasi ajo i ka mundësitë për të ndikur në proces.
Për këtë arsye, mesazhet në drejtim të KLP-së janë intensifikuar ditët e fundit. Edhe pak ditë më parë, e dërguara e SHBA-së e bëri të qartë se gara duhet të jetë transparente dhe e pandikuar nga politika. Po ashtu, në zyrën e kryetares së KLP-së shkoi edhe ambasadori i BE-së, i cili ishte në të njëjtën linjë me SHBA-në. Një reagim pati edhe nga ambasadori gjerman Karl Bergner. Ai ka kërkuar nga politika që të qëndrojë larg këtij procesi.
"Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE", ka deklaruar ai.
Gara për drejtimin e SPAK nuk është thjesht një çështje procedurale. Në sfond është frika e përsëritjes së tentativave për të kapur drejtësinë, një skenar i shmangur tre vite më parë, kur ambasadorja amerikane Yuri Kim ndërhyri personalisht për të garantuar një proces të pakontestuar. Ajo mori pjesë fizikisht në mbledhjen e KLP-së, duke dërguar një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejonin një emërim të diktuar nga pazaret politike.
SPAK është kthyer në një simbol të reformës në drejtësi dhe rikthimit të besimit publik, por ky simbol mund të rrëzohet me një vendim të vetëm. Për këtë arsye, gara për kreun e ri nuk është vetëm një emërim; është një test për sistemin, një provë për KLP-në dhe një sinjal se sa seriozisht e merr shteti shqiptar luftën kundër krimit dhe korrupsionit. /Pamfleti
Po ne Amelike kush po e kap drejtesine!? Come on.
SPAK ka mbaruar me kohe. Ne USA eshte e vertete qe Trump po mundohet te kape drejtesine po ne USA ka akoma njerez me integritet qe i kundervihen Trumpit Shqiperia eshte hale. Flasim vitin tjeter kur te behen zgjedhjet per senat se si do shkojne republikanet. Mos krahaso USA me Shqiperine te lutem.