TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë20 Shtator 2025, 18:05

SPAK pa “frena dore”: kush mban përgjegjësi për gafat me dosjet?

Shkruar nga Pamfleti
SPAK pa “frena dore”: kush mban përgjegjësi për gafat
Ahmetaj në SPAK

Rasti Ahmetaj, dëshmia më flagrante se si SPAK përdoret për interesa klienteliste... dhe askush nuk mban përgjegjësi!

Nëse kërkojmë të kuptojmë realisht sesi po përdoret drejtësia në Shqipëri, nuk ka shembull më të qartë se sa dosja e Arben Ahmetajt.

Pamfleti” publikoi dje detaje nga dosja “Buka” dhe kjo dosje është një minus i madh për drejtësinë, pasi SPAK e pranon publikisht se nuk ka prova për dëmtim të shtetit, por vazhdon ta ndjekë penalisht si të ishte armik shtetëror.

Për të qenë më të qartë. Për gati tre vite SPAK e ndërtoi dosjen mbi argumentin se Ahmetaj kishte shkelur ligjin dhe kishte dëmtuar interesat publike. Kjo nuk ishte një akuzë dosido, ishte shtylla mbi të cilën SPAK mbështeti urdhrin për ta marrë të pandehur. Në kërkesën për gjykim, SPAK shkruan qartë: “Subjekti ka favorizuar blerësit dhe ka sjellë dëm financiar për shtetin shqiptar”.

Por në momentin që çështja mbërriti në sallën e gjykatës, prokurori Elvin Gokaj e ndryshoi papritur linjën: “Nuk kemi thënë që është dëmtuar shteti, por shtetasit”, tha ai para trupit gjykues. Dhe për ta zbutur më tej absurditetin, e quajti këtë ndryshim “lapsus”.

Një lapsus që rrëzon gjithë strukturën e akuzës. Një lapsus që pas tre vitesh hetim, hedh në erë të gjitha pretendimet e SPAK për “dëm shtetëror” dhe për “favorizim korruptiv”. Dhe pyetja që ngrihet është e thjeshtë: nëse gjithë dosja bazohej në një pretendim të pavërtetë, pse ende mbahet në këmbë? Pse ende kërkohet burg për një person që, sipas vetë prokurorit, nuk ka dëmtuar shtetin?

Më tej, është vetë sjellja e SPAK gjatë hetimit që hedh dyshime të mëdha mbi integritetin e procesit. Gjykata i ka kërkuar në disa raste prokurorisë që të thellojë hetimet, të bëjë ekspertizë për vlerën e ndërmarrjes; të sqarojë nëse ka një dëm real e të matshëm financiar. Por SPAK ka zgjedhur të mos i zbatojë këto urdhra. Madje, është përpjekur të ndajë çështjen në dy pjesë, një metodë që i shërben më shumë mbajtjes së akuzës artificialisht në jetë sesa zbardhjes së të vërtetës.

Nuk është hera e parë që një prokuror i SPAK injoron kërkesat e gjykatës. E njëjta skemë është ndjekur edhe në dosjen “Sterilizimi”, ku Ilir Beqaj u përjashtua fillimisht nga hetimi në mënyrë selektive. Edhe aty, vetëm ndërhyrja e gjykatës detyroi SPAK-un ta përfshinte si të pandehur, por pa zbatuar rekomandimet për hetim të thelluar si grup i strukturuar kriminal. Edhe aty, SPAK mbajti qëndrim minimal, me masë sigurie “detyrim paraqitje” për një nga personazhet kyç të aferës.

Në korrik, një tjetër gabim flagrant: Ilir Lloshi arrestohet nga SPAK si pjesë e një rrjeti droge. Pas ballafaqimit në gjykatë, del se nuk kishte lidhje me grupin, përputheshin vetëm emri dhe vendbanimi. Ishte thjesht njeriu i gabuar. Por sërish, askush nuk dha dorëheqje. Askujt nuk iu kërkua llogari.

Njësoj edhe rasti me fashikullin e Erion Veliajt, ku SPAK e cilësonte si "të dënuar" pa asnjë vendim gjyqësor. Një gabim thelbësor në dokument zyrtar. U pranua si “gabim teknik”. Dhe asgjë më shumë.

Po kush mban përgjegjësi për këto skandale? Kush e kontrollon një organ që ka në dorë fatet e vendit? Në çdo vend normal, një prokuror që bën gabime të tilla do të duhej të jepte llogari. Deri më sot nuk ka asnjë të dhënë nga ILD për hetime apo "tërheqje veshi" ndaj prokurorëve të SPAK. 

Drejtësia që nuk jep llogari, është drejtësi që mund të përdoret për qëllime klienteliste. Dhe kur përdoret politikisht, bëhet armë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje