TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë15 Korrik 2026, 10:14

Shqipëria nuk është kanavaca personale e Edi Ramës!

Shkruar nga Sara Panarella
Shqipëria nuk është kanavaca personale e Edi Ramës!
Edi Rama /

Shkatërrimi i natyrës dhe i trashëgimisë kulturore në vend, lidhen nga e njëjta logjikë e pushtetit. Por Shqipëria nuk mund të jetë një kanavacë e bardhë ku një piktor mund të vizatojë sipas dëshirës...

Shqipëria po kalon një periudhë trazirash të mëdha shoqërore. Më shumë se një muaj protestash të përditshme kanë nxjerrë në pah një situatë të vështirë. Të nisura si reagim për mbrojtjen e zonës së mbrojtur të Zvërnecit, parkut natyror Pishë Poro–Nartë – një zonë folezimi për flamingot rozë (të përzgjedhur si simbol i këtyre protestave) – ato tashmë janë shndërruar në një kërkesë më të gjerë për një politikë më të drejtë, si dhe për mbrojtjen e kulturës dhe historisë së vendit.

Lidhur me këto zhvillime, bisedova me Julia Lelën, një e re shqiptare e diasporës me banim në rajonin e Piemontit, në Itali. Ajo më foli për një popullsi që ka arritur në kufijtë e durimit. Shkëndija që ndezi protestat në fund të majit ishte dhuna e ushtruar nga rojet private ndaj protestuesve në plazhin e Dalanit, e vetmja rrugë kalimi drejt zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë, një hapësirë bregdetare që strehon vende folezimi për breshkat e detit, por edhe për specie të tjera të mbrojtura.

Investitorët e këtij projekti janë Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, së bashku me bashkëshortin e saj Jared Kushner. Projekti është gjigant (me rreth 10 mijë shtretër) dhe, për të mundësuar realizimin e tij, është dashur të zbuten rregullat ligjore për zonat e mbrojtura.

Amendamentet e votuara në vitin 2024 lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre territoreve dhe dobësojnë mekanizmat e mbrojtjes mjedisore.

Prezantimi i projektit u bë që në vitin 2024, duke nxitur reagime të ashpra. Tani protestat kanë rifilluar edhe sepse, në fund të majit, në plazhet fqinje u shfaqën rrethime me tela me gjemba dhe ekskavatorë.

Disa eurodeputetë, të cilët më pas morën pjesë edhe në protesta, kryen një inspektim në Zvërnec, brenda zonës së lagunës Pishë Poro–Nartë, në fund të qershorit, duke konstatuar dëmtime të dukshme mjedisore dhe shkelje të mundshme të direktivave të Bashkimit Evropian për Shpendët dhe Habitatet.

Megjithatë, historia politike e lidhur me lejet e nevojshme ka hapur një Kuti të Pandorës. Së pari, ishte e nevojshme të dobësohej ligji për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Për më tepër, një sërë hetimesh të kryera nga SPAK (Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e krijuar në vitin 2019 me mbështetjen e Bashkimit Evropian si një shtyllë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE) kanë ngritur shqetësime edhe për elementë të mundshëm korrupsioni në këtë situatë.

Nëse aspektit natyror dhe çështjes së korrupsionit i shtojmë faktin se projekti vjen nga investitorë shumë të pasur të huaj dhe synon një kategori të pasurish të tjerë, kuptohet fare mirë pse “Revolucioni i Flamingove” po vazhdon prej më shumë se një muaji, duke bashkuar të rinj e të moshuar, burra e gra, deri në pikën që janë organizuar edhe kënde kujdesi për fëmijët e familjeve që duan të marrin pjesë në protesta.

Julia përmbledh kërkesat e lëvizjes, ku në radhë të parë kërkohet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë parlamentit aktual. Kjo do të mundësonte që kreu i qeverisë të përballej me drejtësinë për akuzat e ndryshme që rëndojnë mbi të dhe që aktualisht janë pezull për shkak të imunitetit parlamentar.

Rama akuzohet nga protestuesit për ngritjen dhe drejtimin e një sistemi klientelist dhe të korruptuar, i cili, sipas tyre, ka depërtuar në çdo sektor të jetës politike dhe ekonomike të vendit. Më tej, lëvizja kërkon krijimin e një qeverie teknike tranzitore, e cila do të funksiononte nën kontrollin dhe mbështetjen e ngushtë të Bashkimit Evropian.

Detyrat kryesore të kësaj qeverie do të ishin shfuqizimi i ligjit 21/2024 për “Investimet Strategjike” dhe i ligjit 20/2025 për “Paketën e Maleve”, rishikimi i ligjit për financimin e partive politike, si dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor duke vendosur procedura të rrepta kontrolli antikorrupsion për çdo kandidat.

Gjithashtu, kërkohet me ngulm kufizimi me kushtetutë i mandatit të kryeministrit në maksimum dy mandate, duke qenë se aktualisht Edi Rama ndodhet në mandatin e tij të katërt. Së fundmi, synohet mbrojtja e plotë e territorit dhe e kulturës së Shqipërisë, të cilat, sipas aktivistëve, po u kalohen investitorëve të huaj nën pretekstin e modernizimit dhe zhvillimit ekonomik.

Për ta arritur këtë, qytetarët kërkojnë shfuqizimin e menjëhershëm të amendamenteve të fundit në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shpërbërjen e paketës ligjore për malet, si dhe shfuqizimin e plotë të statusit dhe kuadrit ligjor që favorizon investimet strategjike në dëm të pasurive publike.

Protestat që vazhdojnë të organizohen janë përgjithësisht paqësore, megjithëse ka pasur disa përplasje. Sipas Julias, përgjegjësia për këto ngjarje bie mbi qeverinë, e cila, sipas saj, ka infiltruar elementë provokues në sheshe për të diskredituar protestuesit, veçanërisht në sytë e Bashkimit Evropian.

“Revolucioni i Flamingove” po i kalon kufijtë kombëtarë, falë edhe angazhimit të shqiptarëve të diasporës. Shumë manifestime janë organizuar në qytete si Parisi, Berlini dhe Milano. Edhe Torino po përpiqet të organizohet.

Sipas Julias, Rama, i cili po i sulmon protestat edhe përmes rrjeteve sociale, i frikësohet veçanërisht popullsisë së diasporës. Kjo jo aq për shkak të numrit të saj, por për shkak të mundësisë që çështja të përhapet përtej kufijve, duke u shndërruar nga një problem i brendshëm në një çështje evropiane – jetike si për mbrojtjen e natyrës dhe të njerëzve, ashtu edhe për identitetin e një vendi që prej kohësh ka nisur rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kërkesa për ndihmë ishte e qartë dhe Bashkimi Evropian ka filluar t’i përgjigjet asaj. Më 17 qershor u votua një rezolutë që shpreh shqetësim të thellë për ndërhyrjet në peizazh të kryera në Pishë Poro–Nartë, duke u kërkuar autoriteteve shqiptare të shfuqizojnë amendamentet e ligjit për zonat e mbrojtura, si dhe të pezullojnë menjëherë të gjitha lejet e reja, ndërtimet dhe ndërhyrjet zhvillimore në zona të tjera të mbrojtura të vendit.

Ajo që sot po çon në rrezik shkatërrimin e një zone të mbrojtur me vlerë të jashtëzakonshme mjedisore, ka një pararendës në një tjetër episod që lidhet me një ndërtesë me vlerë të madhe kulturore dhe simbolike. Teatri Kombëtar në Tiranë u shemb në orën 4:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020. Ndërtesa që përfaqësonte një pjesë të rëndësishme të historisë kulturore të vendit u rrëzua me nxitim të madh; në vend të saj është planifikuar ndërtimi i një kulle të lartë. Në atë kohë, aktorë, artistë dhe intelektualë u përballën me autoritetet dhe kundërshtuan shkatërrimin, një ngjarje që la të habitur dhe të pafuqishëm edhe shumë qytetarë.

Shumë lagje të tjera kanë pasur një fat të ngjashëm: janë rrafshuar për t’i hapur rrugë të resë dhe modernes, shpesh në mënyrë të papritur dhe pa një dialog real me qytetarët. Në një artikull të fundit në Domusweb, artisti shqiptar Adrian Paci e komenton këtë shkatërrim duke iu referuar “marrëdhënies midis pushtetit dhe estetikës; veçanërisht një ideje të bukurisë që merr formë në një sërë veprash madhështore, por të destinuara për t’u imponuar mbi qytetin me vullnetin e njeriut të fortë”.

Në këtë kuptim, përdorimi i arkitektëve me famë është një rrugëzgjidhje e shpeshtë dhe efikase nga pikëpamja mediatike. Kështu, pushteti merr pamjen e një piktori që qëndron përballë një pëlhure të bardhë, duke u ndier i lirë të projektojë mbi të vizionin e tij. Megjithatë, territori nuk është një pëlhurë e bardhë, por një thurje historish, kujtimesh, nevojash dhe dëshirash.

Në këtë logjikë mungon marrja parasysh e strukturës sociale të vendit, e përvojave të tij, e kontradiktave të tij, e trashëgimisë së kujtimeve dhe vlerave të tij. Qytetari rikthehet në rolin e një spektatori që ndjek pasivisht shfaqjen dhe është i detyruar të jetojë nën diktaturën e një “bukurie” të imponuar nga lart” - thekson më tej ai.

Julia flet me shqetësim, por edhe me vendosmëri, për këtë situatë, ku pas sloganit të modernizimit fshihet, sipas saj, një shitje brutale e historisë dhe burimeve të Shqipërisë. Një dinamikë që është parë tashmë shumë herë.

 

shqipëria nuk është kanavaca personale e edi ramës

1 Komente

  1. r
    rama dora vete

    Shqiperia u shkaterrua!!! Vone u kujtuan shqiptaret dhe gazetaret te harxhojne boje e leter Rama vazhdon jep leje per kulla . Mos u lodhni. Ajo nuk eshte me Shqiperia e ruajtur me gjak e pune nder shekuj . Ajo eshte RAMA LAND e ta gezoje derisa populli ...

    Lini një Përgjigje