Ndërsa SPAK godiste këdo që i bënte Ramës pyetje të vështira, Rama e thelloi edhe më shumë përfshirjen në projektet e pasurive të paluajtshme dhe në skema të dukshme të pastrimit të parave me kartelet e drogës...
Ekziston një prirje fatkeqe mes analistëve dhe gazetarëve amerikanë për të supozuar se gjithçka rrotullohet rreth politikës së Shteteve të Bashkuara. Shqipëria është vetëm rasti më i fundit. Në fund të majit, në Zvërnec shpërthyen protesta kundër planeve të dhëndrit të Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, për të zhvilluar një projekt akomodimi me vlerë shumë miliarda dollarë në një zonë të ndjeshme mjedisore.
Megjithatë, Kushner ishte vetëm një nga shumë shkëndijat që ndezën protestat. Një tjetër ishte Alex Soros, i cili është afruar me kryeministrin shqiptar Edi Rama për të siguruar miratimin e projekteve të ngjashme zhvillimi. Po ashtu, një tjetër arsye është përndjekja që Rama i bën pakicës greke në Shqipëri, e cila banon në Rivierën Shqiptare. Më 12 maj 2023, për shembull, policia e Ramës arrestoi Fredi Belerin, kandidat me origjinë greke për kryetar të Bashkisë Himarë. Akuza? Ai kishte shpenzuar në mënyrë të parregullt rreth 100 dollarë gjatë fushatës së tij. Shqiptarët e kuptuan farsën — Rama donte që njerëzit e tij të fitonin për të përfunduar marrëveshjet e veta për pasuritë e paluajtshme. Në këtë kontekst, projekti i Kushnerit ishte simptomë dhe jo shkaku.
Shqipëria mund të ketë dalë nga vëmendja e mediave në Perëndim, por protestat kanë vazhduar të fitojnë vrull. Vizitorë të fundit në Shqipëri thonë se atmosfera është e tensionuar, ndërsa durimi ndaj interesave personale të Ramës ka arritur pikën e vlimit. Sot, shqiptarët nuk flasin për Kushnerin apo edhe për Shtetet e Bashkuara, por për "Revolucionin Flamingo", versionin e tyre të revolucioneve me ngjyra që çliruan shumë vende të Evropës Lindore nga diktatura.
Natyrisht, Shqipëria nuk është një vend komunist dhe, po të pyesësh Departamentin Amerikan të Shtetit, është një demokraci e lulëzuar. Por kjo nuk është ajo që thonë shqiptarët. Me rënien e Perdes së Hekurt, shqiptarët e përqafuan demokracinë me entuziazëm. Shqipëria u bë vendi më pro-amerikan në Evropë, në mos në gjithë botën.
Më pas u përfshinë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe USAID-i. Ata ndihmuan në krijimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për të kuptuar se çfarë ndodhi më pas, imagjinoni sikur mafiozi i Çikagos, Al Capone, të kishte marrë nën kontroll FBI-në përpara se ajo të kishte mundësinë ta shkatërronte atë dhe mafian e Çikagos në vitet 1930. Rama, kreu i Partisë Socialiste, e rrëmbeu SPAK-un dhe e përdori atë për të goditur këdo që kërcënonte pushtetin e tij: ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe shumë të tjerë.
Nuk bëhej kurrë fjalë për qeverisje të pastër. Ndërsa SPAK godiste këdo që i bënte Ramës pyetje të vështira, Rama e thelloi edhe më shumë përfshirjen në projektet e pasurive të paluajtshme dhe në skema të dukshme të pastrimit të parave me kartelet e drogës. Mekanizmi ishte vendimi i tij për të legalizuar kultivimin e kanabisit. Sapo plantacionet e marijuanës filluan të lulëzonin, u zgjerua edhe trafiku i kokainës nga Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, si edhe trafiku i opiumit nga Afganistani dhe Turqia. Roja bregdetare italiane ndalon rregullisht ngarkesa kokaine që hyjnë në Shqipëri; ironikisht, roja bregdetare e Ramës nuk e bën këtë.
Ndërkohë, Rama ndoqi hapur rrugën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Nuk ishte thjesht rastësi. Një ish-bashkëpunëtor i Ramës, i pranishëm në takimin mes dy liderëve, tha se Erdogan i dha Ramës një kurs të përshpejtuar se si të shkatërrojë një sistem demokratik duke goditur kundërshtarët dhe duke kultivuar marrëdhënie me diplomatët amerikanë. Erdogan e konsolidoi pushtetin duke marrë nën kontroll autoritetin e kontrollit tatimor, ekuivalentin turk të SPAK-ut. Ai bëri partnerë biznesi ish-diplomatë dhe atashe amerikanë ose u dha donacione për t'i mbështetur në rolet e tyre të reja në institute kërkimore. Rama duket se po bën të njëjtën gjë. Ashtu si Erdogani, Rama shpërndan favore në formën e koncesioneve dhe projekteve të zhvillimit të pasurive të paluajtshme.
Kritikët e Trump e përshkruajnë atë si të kundërtën e Mbretit Midas, ku gjithçka që prek shndërrohet në plumb. (Mbreti Midas është një personazh mitologjik, i njohur për aftësinë e tij magjike të kthimit të çdo gjëje në ar).
Megjithatë, në politikën e jashtme, sindroma e tyre e fiksimit ndaj Trump-it mund të jetë po aq shkatërruese. Në rastin e Shqipërisë, dëshira për t'i faturuar gjithçka Kushnerit i verbon politikanët ndaj problemeve më të thella, që përfshijnë keqpërdorimin e burimeve amerikane, rritjen e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës nën regjimin e Ramës, si edhe pikëpyetjet mbi përgjegjësinë e disa ish-ambasadorëve amerikanë që mbështetën plotësisht Ramën. /Përshtatur nga "Washington Examiner"
Lini një Përgjigje