Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar "De facto", në kuadër të hetimeve për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Si rezultat i hetimit pasuror, të zhvilluar me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi, me një vlerë tregu prej rreth 420 mijë eurosh.
Sipas Policisë, pasuritë dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike i shtetasit Harben, alias Arben Alla, 54 vjeç.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në zbatim të ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë".
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të jenë krijuar nga burime kriminale, si nga 54-vjeçari ashtu edhe nga persona të lidhur me të.
"Në vijim të një hetimi pasuror, me metoda speciale, kryer në bazë ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, në kuadër të operacionit të koduar “De facto”, u ekzekutua vendimi i Gjykatës për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi.
Pasuritë, me vlerë tregu rreth 420 000 euro, dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e shtetasit H(A). A., 54 vjeç, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Hetimi vijon për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera me burime kriminale, të 54-vjeçarit ose shtetasve të lidhur me të."-thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje