Dosja e zezë31 Maj 2023, 11:32

Si e shiti Saliu të djathtën te Ilir Meta/ Nga 288 këshilltarë të koalicionit, 220 do regjistrohen në emër të LSI

Shkruar nga Pamfleti
Si e shiti Saliu të djathtën te Ilir Meta/ Nga 288
Sali Berisha dhe Ilir Meta

Deri tani, ky është pazar mes Saliut e Ilirit, por varet nga këshilltarët demokratë të Foltores, nëse do ta lejojnë veten të përdoren prej Sali Berishës, duke u deklaruar e betuar në këshillat bashkiakë, si përfaqësues të partisë së Ilir Metës

Ka nxjerrë “kokë”, prapaskena e pazarit parazgjedhor mes Sali Berishës e Ilir Metës, për krijimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” me kandidatët për kryetarë të Foltores e kandidatët për  këshilltarë, ku 70% do t’i kishte Foltorja, ndërsa 30% Partia e Lirisë, PBDNJ dhe PDK.

Në fakt, pazari për shitjen e të djathtës te Ilir Meta, u pa në emrat e renditur për këshillat bashkiakë, ku Partia e Lirisë(LSI) kishte vendosur anëtarë të saj në krye të listave, me qëllim që të fitonin mandate nga votat demokratëve.

Por koalicioni “Bashkë Fitojmë”, nga 1603 mandate në 61 bashki, fitoi vetëm 288 mandate, ose 18% të krejt numrit total të këshilltarëve; shumicën në bashkitë e mëdha, ndërsa në bashkitë e vogla dhe të mesme kapën nga 1-2 mandate.

Sipas marrëveshjes parazgjedhore, 70% e këshilltarëve bashkiakë që fituan, ose 202 në të 61 bashkitë, duhet të përfaqësojnë Foltoren, ndërsa 56 Partinë e Lirisë, 20 mandate PBDNJ e Vangjel Dules dhe 10 mandate PDK.

Mirëpo sipas informacioneve, Sali Berisha ka vendosur që nga 288 mandate këshilltarësh bashkiak në total, 220 do t’ia japë Ilir Metës për t’i regjistruar si përfaqësues të Partisë së Lirisë, ndërsa në emër të Foltores do regjistrohen vetëm 38 këshilltarë, sepse 30 janë të PBDNJ e PDK.

Sali Berisha e Ilir Meta e kanë bërë tashmë pazarin e fshehtë mes tyre, i cili do realizohet në ditët e konstituimit të këshillave sipas bashkive, kur sipas ligjit për pushtetin vendor, çdo këshilltar do deklarojë përfaqësimin e tij partiak, me depozitim në KQZ dhe këshillat e qarqeve.

Sipas pazarit, 164 këshilltarë “blu” të Foltores të mandatuar me votat e  demokratëve, do kalojnë në “transhenë e kuqe” të Partisë së Lirisë, nën komandën e Ilir Metës dhe në shërbim të pazareve të tij me kryetarët e bashkive të Rilindjes.

P.sh., nga 15 mandate të fituar në Bashkinë e Tiranës, Foltores i takojnë 11, por Saliu ka vendosur të mbajë 3 mandate, ndërsa 10 mandate do t’ia japë Ilir Metës dhe nga 1 mandat PBDNJ e PDK.

Në Bashkinë Kamëz, nga 11 mandate të fituar, PL do marrë 6 këshilltarë, ndërsa në Bashkinë e Elbasanit, 7 nga 12 mandate të fituar do t’i marrë Partia e Lirisë, 4 Foltorja e 1 mandat PBDNJ.

Shumicën e mandateve të fituar, partia e Ilir Metës do marrë edhe në bashkitë Durrës, Korçë, Fier, Vlorë, Dibër, Sarandë, Himarë, Lushnje, Kavajë e Lezhë, ndërsa Foltorja e Sali Berishës, do marrë shumicën në bashkitë e vogla, kur kanë fituar 1-2 këshilltarë.

A po e bënë Saliu, transferimin e këshilltarëve “blu” te Ilir Meta, nga inati që nuk arriti të marrë vulën e partisë dhe humbi thellë në zgjedhje, prej shpërfilljes masive nga demokratët?

Apo hakmarrja, që shumica e deputetëve janë kundër tij dhe i po i kërkojnë largimin, i ka errësuar sytë plakut “non-grata” dhe po i jep një goditje tjetër demokratëve, duke i hequr përfaqësuesit në pushtetin lokal?!

Deri  tani  ky është  pazari  mes  Saliut e Ilirit, por varet  nga këshilltarët  demokratë  të  Foltores, nëse  do ta lejojnë veten të përdoren prej Sali Berishës, duke u deklaruar e betuar në këshillat bashkiakë, si përfaqësues të partisë së Ilir Metës./Pamfleti

e djathta ilir meta sali berisha këshillëtarët