
E zeza e qeverisjes, është edhe më e zezë se katrani i katalogjeve katonike, ku edhe për të hapur një zarf diplomatik apo një dosje krimi, duhet varkë me rrema që ta shtyjnë presionet perëndimore...
Sapo Yuri Kim kërceu mbi re të Rinasit dhe u nis për larg, për përtej Oqeanit, çdo mafioz karikoi të vetët, se tani që iku kjo që paradite ishte Kimete e pasdite Fitnete, Mafia do bëjë pallë.
Lajmi se Babloku e ka frikësuar Amerikën, se ja fut cilitdo dhe blen cilindo, doli nga selia e kryeministrit, kaloi mure legatash, vallëzoi nëpër blitc’e kamerash dhe vajti u fut me hir e pahir në çdo familje, në çdo skutë e sukë, sa vërtetë republikanët e Shtëpisë së Bardhë e strukën në një qoshe ambasadorin e ri se mos ua rekruton Babloku si sekretar Partie.
Një zëdhënës partie që paguhet nga Mafia, mbase sa 50 a më shumë Senator Amerikan së bashku, herë kërcënon me vdekje kundërshtarët, herë tund një “zarf të Zi” që ka brenda emra milionerësh, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shtypit”
Edi Rama bën skuthin, ngatërron të tjerët.
Ai që qëllohet me breshëri nga të katër anët është SPAK-u.
Altin Dumani, herë varet në avulli të PS-së si këmishë e Olsi Ramës, herë “postohet” nga kati i tetë i Saliut si “Zarf i Zi” i Kimetes. që po u hap u bë nami i zi në Qeveri.
Të gjithë shtiren si viktima, të gjithë trembin njëri-tjetrin si fëmijë të llastuar.
Thashethemet e tharta, se vetë spakasit shtiren si viktima të Edi Ramës dhe shtyjnë kohën sa të vijë një tjetër zarf i një tjetër ambasadori e të bëhen palë edhe zarfet si dosjet, djegin pritshmëritë se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Kemi në SPAK “zarfe të zi”, nga shumë shtete perëndimore, por që askush nuk ka guxim t’i hapë, nga koha e Adriatik Llallës, Arta Markut, Arben Krajës dhe këtij të fundit që na e la Yuri Kim, me kimi kimeti.
Vetëm klima e erërave që vijnë nga Sulltani i Surrelit kapet nga radarët e diplomacisë. As për “Zarfin e Zi”, për Erdoganin e Bardhë të radikalëve islamikë, as për inceneratorët apo anijet e energjisë që nuk janë dhe marrin qindra mijëra dollarë në ditë, as për vjedhje e vrasje publike, nuk flet askush, sikur asnjëri nuk shikon gjë e as ndjen gjë.
Ne dimë saktësisht, se klima pas 5 nëntorit nuk do jetë kaq e mirë për mafiozët më të famshëm të Botës, ku secili zyrtar i lartë, ka pasuri miliona dollarësh, nga puna si hajdut.
Për arsye çrregullimesh organike të sistemit, SPAK-u jo vetëm është i kapur, por edhe është i sëmurë me kapsllëk.
Nuk ka ende në tregun tonë një vaj lubrifikant, një ambasador amerikan dua të them, që kupola e mafies të rrëshqasë lirshëm nga zorra e trashë e dosjeve të krimit, drejt kaldajës së drejtësisë, ku inceneratori e shndërron problemin në produkt shoqëror.
Kusarët janë ende në avantazh, sa kohë Altin Dumani nuk lexohet.
A është letër, hartë, klishe, skenar, skedar apo skelet spekulimi, në këtë kohë, ku në vend të ketë arrestime vipash budallenj, ka justifikime viçash veshë-butë, ende edhe ne jemi në dilemë.
Dënimi i Sali Berishës dhe arrestimi i Ilir Metës, që do sillnin edhe fundin e Edi Ramës, duhet të shpresojmë se nuk mund të shtyhet për gjatë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Në janë paksa të zgjuar, këta që për ditë po shkarkojnë rrëmet si milet që kur i teket secili bëhet mbret, nuk i sillen rreth “Zarfit të zi” që na la Yuri Kim, por e çelin, dhe me atë rast epoka ndahet në copëza të vogla.
Le të ikin të parët Saliu dhe Ilri, se nuk ka rrugë tjetër, le të hapet rruga për atje ku e meriton edhe Edi Rama, se edhe udha e tij mbaroi.
Nuk është justifikim idiotësia politike, se Altin Dumani, është “zarf i zi” që na la Yuri Kim, politika nuk ka faj që nuk funksionon.
E zeza e qeverisjes, është edhe më e zezë se katrani i katalogjeve katonike, ku edhe për të hapur një zarf diplomatik apo një dosje krimi, duhet varkë me rrema që ta shtyjnë presionet perëndimore./Pamfleti
Lini një Përgjigje