Editorial16 Maj 2024, 12:48

A do ta vizitojë Edi Rama diasporën shqiptare në Kosovë?

Shkruar nga Fadil Lepaja

 

A do ta vizitojë Edi Rama diasporën shqiptare në Kosovë?
Edi Rama /

Edit, politika shqiptare po i duket amfiteatër i vogël për aktrimin e tij të jashtëzakonshëm politik?  Shkurre shumë, po lepuri ku ‘fle’?

Mos qeshni, ju lutem! Nuk është komedi!

Është konfuzion shpirtëror, ideologjik dhe politik gjithë shqiptar.

Nuk është se këtë konfuzion e krijoi Edi Rama, ai vetëm sa turbulloi ujin, d.m.th konceptin. Kryeministri shqiptar, aktualisht, me turin e tij “evropian” ka vendosur të vizitojë dhe mobilizojë diasporën.

Ashtu si Kryeministri i Kosovës që kishte vizituar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët ai, për dallim nga Rama, nuk i quan diasporë. Ne po e quajmë Kurtin kryeministri kosovar, për ta dalluar nga Edi, sepse edhe ai shqiptar është. Por, e kemi të qartë të gjithë se nuk është vetëm çështje gjuhësore. Është çështje konceptesh të gjeopolitikës dhe rreshtimit të ideologjive që përfaqësojnë dy liderët në konjuktura më të mëdha.

Pra, vizita diasporës shqiptare në Greqi, mund të duket si fushatë por për çfarë po bën fushatë, Edi?

Po ikë nga politika vendore dhe po ofrohet për diplomacinë evropiane dhe Evro-Atlantike?  E ka menduar vetë apo ja kanë sugjeruar nga jashtë si një dalje nëpër derë të madhe nga politika e Shqipërisë apo ndoshta  atij, politika shqiptare po i duket amfiteatër i vogël për aktrimin e tij të jashtëzakonshëm  politik?  Shkurre shumë, po lepuri ku ‘fle’?

Vizita e tij në Greqi padyshim që ishte spektakël, promovim i tij si lider i diasporës shqiptare në Evropë.   E kam fjalën për vizitën në Greqinë shqiptare. Ose shqiptarëve grek, si të doni.

Duke parë sallën e mbushur përplot me flamuj kuq e zi, Kryeministri grek, mund të ketë thënë me vete, kush është kryeministri këtu?

Po ashtu Ministrja shqiptare, në fjalën e saj, fliste për kohën kur në Athinë ka qenë e zakonshme të flitet shqip.  Por nuk po flasim për këtë lepur. As për këtë shkurre...pastaj mund të mos ketë as shkurre as lepur. Mund të jetë vetëm një shfaqje e dizajnit të ri shpirtëror të diasporës, përndryshe një nga pikat e forta të Kryeministrit kosovar. Por, a hyjnë edhe arvanitët e çamët, në diasporë? Po shqiptarët autokton të Ballkanit Perëndimor?

Edi, do të shkojë me gjasë edhe në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi, por a do të vijë në Kosovë? Kosova është diasporë shqiptare apo një nga dy shtetet shqiptare? Është diasporë Kosova apo shtet i shqiptarëve dhe të tjerëve?

Nëse Kurti merr pjesë në zgjedhjet shqiptare, a mund të marrë pjesë edhe Rama në ato kosovare që priten shpejt të shpallen?

Është e qartë, Kosova nuk është e definuar me kushtetutë si shtet i popullit shqiptar edhe pse shqiptarët janë komuniteti shumicë. Po të jetë kjo e dyta, a mundet Kurti, i cili kohëve të fundit nuk është se ndan mendime dhe ide me z.Rama për diasporën, të dali edhe ai në një rrugëtim, nëpër diasporë?

A është Shqipëria diasporë e Kurtit?

Në cilën diasporë do të dali?

Nëse shkon në Maqedoni, kë do të ftojë në tubim Rama, Kurti? Kush është baba i kombit? Kush është kombi? Pastaj, diaspora nuk nënkupton trojet etnike me banorë autokton shqiptar. Pra këtu mund të jetë lepuri? A nuk është përpjekje që Idesë së Shqipërisë etnike me ja kundërvënë idenë e Shqipërisë evropiane, planetare thuaj.

Kurti le të marrë trojet etnike, unë po e kap diasporën, kjo mund të jetë ideja e Ramës.

Bashkë me idenë e bashkimit kombëtar, Kurtit i la në derë edhe armiqtë e kësaj ideje, të cilët dikur e akuzonin Shqipërinë politike për Shqipëri të Madhe. Ajo që na hutoi të gjithëve, bashkë me modifikimin e Shqipërisë etnike në Shqipërinë Evropiane, edhe “armiku” kryesor i “Shqipërisë së Madhe”  e modifikoi akuzën e tij. E akuzoi Kurtin se po angazhohet për Kosovën e Madhe. Sot ideja e Kosovës së Madhe i shërben shumë më mirë klero-nacionalizmit serb, për të lëvizur kufijtë e brendshëm të ish Jugosllavisë, të cilën politika serbe përpiqet ta restaurojnë në cilëndo formë të mundshme. Por ideja  e Shqipërisë së Madhe me të cilën arsyetohej edhe ideja e Serbisë së Madhe, nuk dha rezultatet e pritura, pasi prekte konjuktura shumë më strategjike sesa ajo që synonte dhe mund të kontrollonte Serbia.

Promovimi projektit të Shqipërisë Evropiane përmes diasporës, në vend të një dështimi të brendshëm që bëri të ikë populli jashtë (kjo vlen edhe për Kosovën), është përpjekje retorike e mediatike që ikja e popullsisë të shndërrohet në një kontribut të shqiptarëve për Evropën.

Më shumë se kaq Edi nuk bën dot me retorikën e vet. Ndoshta kur të dështojë edhe kjo ide, apo kur të shndërrohet në luftë me trojet etnike, atëherë do të promovojë idenë e Shqipërisë virtuale. Aty nuk do të ketë armiq, as akuza. Fundja një republikë në internet nuk ka nevojë ta njoh askush./Pamfleti

diaspora shqiptare edi rama kosova