Editorial16 Maj 2024, 10:15

Beogradi, kryeqendra e propagandës ruse në Ballkan

Shkruar nga Leon Hartwell

 

Beogradi, kryeqendra e propagandës ruse në Ballkan
Aleksander Vuçiç /

Në rast se Perëndimi dëshiron që t’i kundërvihet fushatave ruse të keqinformimit në Ballkan, ai duhet të përballet me epiqendrën e tij, Beogradin, që aktualisht po strehon shumë prej mediave serbe që si papagalli e përhapin çdo ditë propagandën e Kremlinit...

Ndërsa mediat serbe ushqejnë mbështetjen për Rusinë në të gjithë Ballkanin, Perëndimi duhet të sfidojë keqinformimin që vjen nga Beogradi. Kur Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, mbërriti në Beograd më 12 maj, një media e cilësoi vizitën e saj si “një sinjal të largimit të vendit ballkanik nga Moska”.

Një media tjetër, arriti në një përfundim të ngjashëm. Por shumica e serbëve në të gjithë Ballkanin nuk e shohin kështu. Presidenti gjithnjë e më autoritar i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka nisur të shesë imazhin e neutralitetit të vendit të tij në raport me luftën në Ukrainë.

Ai thotë se vendi i tij nuk është “aleat i asnjërës palë”, teksa po përpiqet të pozicionohet si Tito dikur, për të qenë në gjendje të mbajë marrëdhënie miqësore si me Perëndimin ashtu edhe me Rusinë. Për të qetësuar miqtë e tij perëndimorë, ai raportohet se ka dërguar disa “armë vdekjeprurëse  dhe ndihma humanitare në Ukrainë”.

Kjo duket se ka mjaftuar, për të siguruar një reagim të zbehtë të SHBA-së dhe BE-së ndaj veprimeve destabilizuese të regjimit të tij në vitin 2023 në Kosovë, të cilat çuan në plagosjen e më shumë se 90 paqeruajtësve të NATO-s, dhe një sulm terrorist në Banjskë.

Çfarëdolloj gjëje që mund t’i thotë Vucic Perëndimit, 2 vite pas një lufte në shkallë të gjerë në Ukrainë, serbët në të gjithë rajonin e Ballkanit janë haptazi në mbështetje të veprimeve të Rusisë.

Një sondazh i zhvilluar në gjithë Ballkanin Perëndimor nga Instituti Ndërkombëtar i Republikës (IRI) dhe i publikuar më 14 maj, tregoi se ndërsa shumica e të anketuarve nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e denoncojnë agresionin e Rusisë në Ukrainë, 49 për qind e serbëve e konsiderojnë atë si “të justifikuar”.

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh në Malin e Zi (31 për qind) dhe Bosnje Hercegovinë (27 për qind), shprehën gjithashtu mbështetjen për veprimet e Rusisë. Rreth 29 për qind e malazezëve e përshkruan veten si serbë në regjistrimin e vitit 2011. Ndërsa sipas një regjistrimi të vitit 2013, Bosnja Hercegovina ka 31 për qind serbë.

Pikëpamjet e tyre i bëjnë jehonë atyre të mediave serbe, të cilat mbajnë lidhje të ngushta me regjimin e Vucic dhe që shpërndajnë shpeshherë propagandë pro-Kremlinit në vendet me popullsi të konsiderueshme serbe. Narrativat anti-perëndimore, gjejnë një terren pjellor midis serbëve, pasi shumë prej tyre besojnë se ndërhyrjet ushtarake të NATO-s në Bosnje në vitin 1995 dhe Kosovë në 1999-ën ishin të pajustifikuara.

Kur e mbron Kremlinin, Vucic e krahason nganjëherë pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, me bombardimin e NATO-s ndaj objektivave serbe gjatë luftës së Kosovës, pavarësisht dallimeve të mëdha që ekzistojnë midis 2 rasteve. Mbështetja e qartë për secilën anë të luftës Rusi-Ukrainë, pasqyron më së miri qasjet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqiptarët në Shqipëri dhe ata në Kosovë, e mbështesin në masë të madhe Ukrainën. Mbështetja për Kievin, është më e zbehtë në Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe është minimale në Serbi, vetëm 4 për qind.

Një pjesë e konsiderueshme e serbëve (54 për qind), janë në një linjë të qartë pro Rusisë, duke reflektuar lidhjet e qëndrueshme Beograd-Moskë. Për më tepër, Moska ka mbështetjen e një pakice të konsiderueshme malazezësh (26 për qind), boshnjakësh (26 për qind) dhe maqedonasish (19 për qind).

Rusia nuk ka peshën ekonomike të Bashkimit Evropian dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, Gjithsesi kompanitë e mëdha energjetike, Gazprom dhe Lukoil, vazhdojnë të ushtrojnë një kontroll të konsiderueshëm mbi sektorët e energjisë në Serbi, Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu, elitat ruse zotërojnë rreth 1/3 e jahteve të regjistruara në Malin e Zi, dhe gati 40 për qind të pasurive të saj të paluajtshme në bregun e Adriatikut. Arsyeja më e dukshme pse Kremlini gjen mbështetje midis serbëve është se elitat ballkanike si Vucic (Serbi), Milorad Dodik (udhëheqësi serb i Bosnjës) dhe Andrija Mandić (kryetar i parlamentit të Malit të Zi) mbajnë lidhje të ngushta me Kremlinin, të mbështetur nga vendasit, mediat pro-ruse dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Këto lidhje shërbejnë si kanale për narrativat ruse, duke formësuar opinionin publik dhe politikat në rajon. Ndërsa shtetet perëndimore i kanë ndaluar organet e propagandës së Moskës, Serbia e ka mirëpritur Rusinë, jo vetëm duke e lejuar të vazhdojë luftën e saj informative nga selia e Sputnik Serbia në Beograd, por edhe përmes hapjes së Russia

Today Balkan, e cila i ka zgjeruar operacionet ruse të keqinformimit.

Që të dyja këto media, ofrojnë lajme në gjuhën serbe, gjë që i jep mundësi Kremlinit të mbërrijë tek audiencë të gjerë në të gjithë Ballkanin. Po ashtu, Sputnik Serbia, bashkëpunon ngushtësisht me mediat lokale duke i furnizuar ato me propagandë të prodhuar nga Kremlini.

Ndërsa Serbia i ka ofruar njëfarë ndihme Ukrainës, regjimi ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, sepse siç e thotë shpesh Vucic “Një mik që të ri afër kur ke nevojë, është vërtetë mik”. Ai i ka shitur Moskës teknologji ushtarake me përdorim të dyfishtë, ndërsa ka hapur dyert e Serbisë për një numër të madh biznesesh ruse, duke krijuar hapësirë që ato t’i shmangen sanksioneve perëndimore.

Në rast se Perëndimi dëshiron që t’i kundërvihet fushatave ruse të keqinformimit në Ballkan, ai duhet të përballet me epiqendrën e tij, Beogradin, që aktualisht po strehon shumë prej mediave serbe që si papagalli e përhapin çdo ditë propagandën e Kremlinit.

Kundërvënia ndaj mediave pro-Kremlinit është e rëndësishme, edhe sepse Rusia po ushqen ndjenjat separatiste në mesin e serbëve në Republikën Srpska dhe në Kosovën Veriore, duke paraqitur kështu një kërcënim për stabilitetin rajonal.

Një raport i muajit shkurt nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, e theksoi potencialin për përshkallëzimin e konfliktit në rajon. Një përshkallëzim i tillë, jo vetëm që do të ndikonte në Ballkan, por do kishte pasoja serioze për Ukrainën, duke pasur parasysh faktin që Perëndimi ka kapacitete të kufizuara për t’iu përgjigjur krizave dhe luftërave të mëtejshme./Përshtati Pamfleti nga “Center for European Policy Analysis”

Shënim: Dr.Leon Hartwell, anëtar në CEPA, dhe bashkëpunëtor në LSE IDEAS në Shkollën Ekonomike të Londrës. 

beogradi kryeqendra e propagandës ruse ballkani