Editorial13 Maj 2024, 09:34

Oksigjeni i Edi Ramës për Sali Berishën dhe Ilir Metën

Shkruar nga Pamfleti

 

Oksigjeni i Edi Ramës për Sali Berishën dhe Ilir Metën
Fosilet e Tranzicionit /

Atmosfera terminale e politikës shqiptare, e ka kthyer skenën qeverisëse dhe atë mediatike në një helmatisje të trishtë, siç ndodh me dikë që thjesht pret të largohet përfundimisht...

Akti i Edi Ramës me rezolutën për Drejtësinë, më shumë sesa një zhvillim real, është një akt politik.

Tashmë është e qartë se kryeministri nuk e ka nën kontroll bombën e ardhshme të SPAK ndaj mazhorancës. Çdo ‘bombë’ natyrisht që nuk është një ofensivë shkatërruese që mund ta dorëzojë kreun e qeverisë, por është një krater që hapet rreth tij, e që ja bën të pamundur vazhdimin.

Krater që e rrezikon mandatin e katërt, që është kthyer në një mankth të kryeministrit, i cili operon me një axhendë të ndryshme me SHBA dhe BE-në. Ndaj dhe ka vendosur që të minojë tokën rreth tij përpara se të ndodhë shpërthimi i SPAK.

Megjithatë, koshient se opozita e Sali Berishës dhe Ilir Metës, është më shumë sesa e shantazhueshme dhe e rrënuar, Edi Rama po tenton që përmes një impjanti oksigjeni, t’i japë frymë sa më gjatë.

Një sheshim total i terrenit të opozitës aktuale të degraduar dhe me një perceptim të rëndë edhe në hapësirën opozitare, do të lindte natyrshëm një grup të ri, madje në mënyrë revolucionale.

Çdo dalje e re, qoftë edhe e vogël apo segmentare i hap rrugë një mundësie për t’u grumbulluar. Sot në Hungari, opozitën më të rrezikshme ndaj Viktor Orban, nuk po e shtyn formacioni klasik i socialistëve, që ka dështuar për të marrë konsensusin e qytetarëve, por një ish-drejtues i partisë së Orban që po lufton me kartën antikorrupsion.

Edhe në Shqipëri, nuk është çudi që në laboratorët amerikanë dhe gjermanë po punohet për të prodhuar në epruvetë një lider të ri, e këtë Edi Rama e di më mirë se të gjithë.

Ndaj po tenton që të zgjasë kohën e prodhimit në laborator të një rivali të tij, që më pas të ketë kohë dhe mundësi për t’u adaptuar me mjedisin.

Plani ndërkombëtar është që e gjithë fusha politike shqiptare të hidhet në erë me një operacion të nivelit të lartë. I cili kulmin do ta arrijë kur t’i vihet shiriti i sekuestros të gjithë ishujve luksozë të korrupsionit, duke nisur nga Gjiri i Lalzit apo Kodra e Diellit. Operacion që thuhet se do të vijojë paralelisht me një dosje të madhe nga mazhoranca. Dhe kjo do të provokojë një tërmet aq të madh sa të mund të shtrohet një zgjidhje ad’hoc, si përshëmbull një qeveri teknike deri në zgjedhjet e ardhshme. Skemë që e çon Edi Ramën të plagosur rëndë dhe Sali Berishën e Ilir Metën duke qenë nën proces, i shmang nga kandidimi për zgjedhjet e 2025. Dhe kthehet kështu një terren mjaft pjellor për të prodhuar elitën e re politike me një referencë jashtë kastës 33 vjeçare.

Duke mbajtur në jetë me aparat dy fosilet e tranzicionit, Rama po tenton që të komunikojë në distancë me ndërkombëtarët, për të negocuar largimin e tij.

Por pyetja është a do t’ja arrijë.

Në këtë rast, ndërkombëtarët nuk kanë bërë asnjëherë kapërcime që të trazojnë stabilitetin në vend, duke pasur parasysh edhe kontekstin rajonal e ndërkombëtar. Në vitin 1997, Sali Berisha kërcënoi me rënien e shtetit, pikërisht mos dorëzimin e tij siç ishte parashikuar nga ndërkombëtarët.

Si Rama, ashtu dhe Berisha e Meta, kanë përdorur një metodë deri tani. Duke lënë vendet e dyta bosh, për të mos pasur mundësi që të gjenden njerëzit që do t’i zëvendësojnë. Rama po ju jep një mundësi Berishës dhe Metës që të kandidojnë në zgjedhjet e 2025, duke firmosur të ashtuquajturën rezolutë për drejtësinë, e cila mund të mos shpëtojë pasuritë e kapura nga SPAK të dinosaurve, por mund t’i bëjë sërish deputetë në Kuvend.

E gjithë kjo atmosferë terminale shqiptare, e ka kthyer skenën politike dhe atë mediatike në një helmatisje të trishtë, siç ndodh me dikë që thjesht pret të largohet përfundimisht.

Berisha e Meta, pa asnjë dyshim që janë sot kufoma politike që vetëm i shtyjnë ditët në vuajtje me të gjithë njerëzit që i rrethojnë, kurse Edi Rama, vuan nga një ankth i madh se nuk mund të ikë i qetë. Ndaj po negocion largimin, i cili duket që nuk është larg./Pamfleti

oksigjeni i edi ramës berisha meta