Fragmentarizimi i opozitës, mungesa e një vizioni të qartë dhe dyshimet për influencën e fshehur mbi lëvizjet politike alternative...
Në grupet radikale dhe fanatike të Partisë Demokratike ka nisur një valë akuzash të forta kundër opozitës së re, sidomos kundër "Nismës Thurje" dhe "Shqipëria Bëhet", të cilat i etiketojnë si produkte artificiale të "laboratorëve Soros".
Është e vërtetë, ose të paktën gjysmë e vërtetë, se udhëheqësit e këtyre lëvizjeve, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, kanë qenë pjesë aktive e strukturave të OJF-ve të financuara nga Soros, madje edhe të përfshirë ngushtë në nivelet drejtuese të kësaj organizate. Megjithatë, kjo e kaluar nuk mund të justifikojë automatikisht refuzimin e tyre për të krijuar një alternativë të re politike.
Pavarësisht kësaj, vëmendjen e tërheq fakti se gjuha dhe konceptet politike të Lapajt dhe Shabanit duken shpesh si një pasqyrë e zbutur e qëndrimeve të Berishës, pa sjellë një diferencë reale apo një debat të thellë mbi drejtimin e opozitës. Ata nuk kanë bërë një përballje direkte, as programore dhe as politike, me idetë e konsumuara të opozitës tradicionale.
Procesi ndaj Berishës dhe arrestimi i Ilir Metës do të duhej të ishte një rast i artë për ta, për të formuluar një qëndrim të qartë dhe diferencues. Por përgjigjja e tyre politike ka qenë tepër e vakët, pa logjikë të qartë programore. Përveç mbështetjes së përgjithshme për SPAK-un, e cila është në harmoni me sondazhet popullore, opozita e re ka mbetur në nivelin e një reagimi sipërfaqësor që nuk prodhon asnjë ndryshim real.
Në thelb, kjo "opozitë e re" po kontribuon vetëm në fragmentarizimin e mëtejshëm të opozitës. Si Lapaj dhe Shabani, ashtu edhe Agron Shehaj, kanë pasur mundësi të bashkojnë forcat dhe të krijojnë një front të unifikuar, që do të përballonte fuqishëm Edi Ramën dhe do të hynte në Parlamentin e ri si forcë kompakte. Por kjo nuk ndodhi.
Pyetja është: Përse ky fragmentarizim? Vetëm për shkak të egos personale apo kemi të bëjmë me diçka më të thellë? Dyshimi është se kjo opozitë e re po formohet për të zëvendësuar opozitën tradicionale në mënyrë të kontrolluar, duke krijuar një "kioskë politike" që do të jetë lehtësisht e manipulueshme.
Në këtë pikëpamje, opozita e re rrezikon të bëhet një segment politik i paqartë, në rastin më të mirë i parëndësishëm, dhe në rastin më të keq, një lojtar i dyshimtë në skenën politike të së ardhmes./Pamfleti
Lini një Përgjigje