Çdo mënyrë ekstra juridike e trajtimit të hetimit ndaj tij prej Sali Berishës, shkon në ndihmë të pushtetit të Edi Ramës...
Shqipëria që prej së shtunës është e ndarë sërish. Një pjesë; ndjekësit e Sali Berishës, janë jo thjesht të mërzitur, por të tërbuar dhe gati të marrin armë për të luftuar për të përmbysur botën, pasi sipas tyre nuk ka botë pa doktorin…
Ndërsa një pjesë tjetër, ata që e urrejnë Sali Berishën janë në ekstazë, e kjo shihet qartë në rrjete sociale e reagimet që bëjnë në emisionet e mëngjesit me telefonata.
Sado që njëra palë ndihet keq e tjetra mirë, jeta e tyre nuk se ndryshon aq shumë.
Urrejtja apo dashuria, mund të jenë bukë për Edi Ramën në një anë e Sali Berishën në anën tjetër, por jo për njerëzit e thjeshtë.
Megjithatë, diçka ka ndryshuar pas akuzës ndaj Sali Berishës, mbi Legjendën tashmë ka një akt akuzë zyrtare për korrupsion. Siç ka edhe për dhëndrin e tij, bashkëshortin e vajzës Argita.
Meqë ka një akuzë zyrtare nga SPAK, rruga më normale për të reaguar si nga Sali Berisha, por edhe nga mbështetësit e tij, është që ti nënshtrohen betejës gjyqësore me SPAK-un në gjykatë. Nëse realisht, siç thotë doktori, dhëndri i tij është i pafajshëm dhe ato 5 milionë e gjysëm euro i ka fituar me ndërshmëri, ashtu qoftë. E vërteta do të dalë, edhe pse mund të vonojë.
Është SPAK i njëanshëm, tendencioz e selektiv?
Ka shumë mundësi të jetë, e në mjaft raste e ka treguar se është, por kjo nuk e lejon Sali Berishën që të jetë një “rast i veçantë”.
Nëse ai e konsideron veten një udhëheqës, le t’i përballë pasojat ligjore.
Shqipëria, ka vërtetë nevojë për një shkundje të madhe politike, por kjo shkundje nuk mund të fillojë, duke kundërshtuar procedimin penal të njeriut që ka pasur pushtete më shumë se të gjithë të tjerët në këtë vend.
Si Berisha, ashtu edhe familja e tij, i kanë të gjitha mundësitë financiare dhe infrastrukturale që ta bëjnë mbrojtjen e tyre në proces krejt lirshëm.
Ndryshe nga mijëra qytetarë që hyjnë në burg për një ose disa rrënjë kanabis apo për probleme me rregullat e qarkullimit rrugor.
Ata nuk kanë media, nuk kanë mundësi të paguajnë avokatin, s’kanë financa për t’i furnizuar me ushqime e veshmbathje.
Nëse Sali Berisha, nuk do ta përballojë juridikisht akuzën ndaj tij, por duke provokuar një rrumujë politike, çdo akuzë e mundshme e SPAK ndaj njerëzve të pushtetit, tani e mbrapa mund të trajtohet si një ngjarje me prapavijë politike, e si precedent mund të marrin reagimin e Sali Berishës.
Nëse doktori e prish këtë rregull, atëherë edhe SPAK mund të vihet në vështirësi; e në skenë mund të ndërhyjnë SHBA e BE, duke kërkuar që të gjithë të respektojnë drejtësinë.
Me fjalë të tjera; çdo mënyrë ekstra juridike e trajtimit të hetimit ndaj tij prej Sali Berishës, shkon në ndihmë të pushtetit të Edi Ramës. I cili gjithnjë e më shumë do të fryhet e do të marrë rolin e ‘ushtarit’ të drejtësisë që e ka krijuar vetë.
Duke përdorur fabulën e stabilitetit, kundrejt rrezikut për ta prishur atë. E ato që humbin në këtë rast janë stabiliteti, demokracia, opozita, mundësia e një ndryshimi politik, që në këtë rast po pengohet nga njerëzit që janë gati të bëjnë një “luftë të shenjtë” për doktorin. I cili edhe në sytë e fanatikëve më të ashpër nuk se konsiderohet shenjtor, por i fortë. E forca nuk është për të marrë pozitat e një njeriu që i ka dhënë dhëndrit 5 milionë euro e gjysëm se i takonte. Ja ka dhënë sepse ishte dhëndri i tij. Nëse ja ka dhënë në mënyrë të ligjshme, le ta mbrojë fort në rrugë ligjore. Po a e beson kush? A ndjehen Sali Berishë, të gjithë siç tha doktori pasi i komunikuan akuzën të shtunën në darkë? Aspak! Askush nuk ndjehet Sali Berishë, përkundrazi, edhe nëse e duan pa fund, presin nga ai të tregojë rrugën sesi të reagojnë.
Edhe pse vonë, është fiks koha që Sali Berisha të hapë rrugë, e të lërë opozitën në drejtimin e saj, duke folur natyrisht, por jo ta pengojë me portretin e tij, që tashmë ka identitetin e një pandehuri me “detyrim paraqitje”./Pamfleti
Lini një Përgjigje