Në thelb, e gjitha kjo që ka ndodhur nga 7 tetori nuk ka të bëjë fare me fe apo sentimente fetare. Është një lëvizje politike e pastër e Hamasit, por duke përdorur mjete barbare...
Ilustrimi më i qartë i kësaj pyetje është një qëndrim i dhënë në emisionin e Eni Vasilit nga një intelektual i njohur i gupimeve religjoze muslimane, Justinian Topulli.
Në emision, Topulli, shtroi e zgjeroi tezën se banorët e Izraelit nuk janë semitë, pra autoktonë, pasi rraca e tyre tha është europiane në shumicë, përgjithësisht sllave, pra janë bjond.
Ky qëndrim realisht përbën thelbin e asaj që një grup në Tiranë, që prej nisjes së akteve terroriste të Hamasit në Izrael vijojnë të përçojnë në rrjete e media të ndryshme në vend.
Pra, me fjalë të tjera, këta grupime që janë përgjithësisht besimtarë islam, mbështesin idenë e një Izraeli fals, një vend që nuk u takon atyre, pasi shtrojnë tezën se i gjithë territori i sotëm i shtetit të Izraelit, i përket arabëve palestinezë.
Kjo tezë, nuk është asgjë tjetër veçse ajo që thotë si Hamasi, organizatat por edhe qeveritë e Lindjes së Mesme, të cilët jo vetëm nuk e njohin Izraelin, por bëjnë çdo ditë propagandë për ta zhdukur nga faqja e dheut popullin hebre.
Mbështetja e çështjes palestineze, pra të drejtat e njeriut, por edhe e drejta e Palestinës për një shtet të sajin, janë jo vetëm të njohura nga i gjithë Perëndimi, por edhe nga një pjesë e madhe e opinionit publik në Izrael. Ka forca politike, jo vetëm të arabëve izraelitë që janë pjesë e Knesset-it (Parlamentit të Izraelit) por edhe forca politike izraeliane që mbështesin kauzën palestineze. Madje ne kemi politikanë të shquar izraelitë që janë sakrifikuar për një paqe me Palestinën.
Kujtojmë ish-kryeministrin Yitzhak Rabin që u vra nga një ekstremist izraelit në vitin 1995.
Natyrisht, siç ka edhe forca ekstremiste në Izrael që nuk duan një paqe me Palestinën, por kërkojnë të popullojnë sa më shumë me kolonë vendet e shenjta, në mënyrë që të rritet pjesëmarrja e tyre në atë që quhet shteti palestinez. Ka një të djathtë ekstreme izraelite, e cila nuk do paqe me palestinezët, siç dhe ka shumë probleme që kanë hapur të gjitha luftrat e zhvilluara deri më sot në territorin e Izraelit dhe Lindjen e Mesme.
Nga viti 1948, 1956, 1967 e 1973. Luftëra që kanë shënuar zhvillime të reja dhe traumatike në atë zonë.
Në fjalë të tjera, nëse në Shqipëri, si kudo, ka njerëz dhe grupe që duan të mbrojnë dhe mbështesin kauzën palestineze, këtu nuk ka asgjë të keqe. Por, ne pas 7 tetorit jemi para një ngjarje të përmasave makabre. Kur një grup i armatosur ka vrarë, masakruar në mënyrë barbare gra, fëmijë, të moshuar, të rinj që ishin në punën e tyre, madje edhe jo izraelitë, vetëm e vetëm për ta përdorur këtë dhunë të tmerrshme si mjet politik.
Asnjë dënim nga këta “dashnorë” të Palestinës në Tiranë, për këto krime që nuk janë parë që prej kohës së holokaustit. Shikoni mediat, postimet, qëndrimet e këtyre që e quajnë vetën islamikë, gjatë këtyre ditëve.
Ndërkaq, dje, është sulmuar egër kreu i komunitetit musliman shqiptar, i cili ka bërë një deklaratë zyrtare, ku ka dënuar dhunën e Hamasit ndaj civilëve, por edhe dhunën ndaj popullit palestinez nga ushtria izraelite.
Me anë qëndrimesh të ashpra, Kreu i KMSH, Bujar Spahiu konsiderohet një “qafir”. Madje Justinian Topulli, në një postim të tij, ka vendosur një foto të Bujar Spahiut me ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, duke e konsideruar këtë një ‘haram të madh’.
I gjithë ky vrull, po shikon të angazhuar grupe ekstremistësh në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat financojnë me miliona një media online, e regjistruar në Tiranë. E cila është në qëndër të kryqëzatës antisemite shqiptare. Kjo media, publikon shkrime me gjysëm të vërteta, e cilëson Izraelin një shtet gjenocidal dhe përdor mot à mot gjuhën e disa vendeve të Lindjes së Mesme që nuk e njohin Izraelin.
E gjithë kjo fushatë nuk ka lidhje fare me fenë, pasi një organizatë religjoze, një klerik, por edhe besimtarët, kanë detyrë nga librat e shenjtë që vetëm të distancohen nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për paqe. Çdo qëndrim tjetër që mbajnë mund të jetë në të drejtë të tyre, por nuk është fetar, është pastërtisht politik.
E siç duket, këto grupe që mbështeten e financohen përgjithësisht nga Turqia e Erdoganit dhe vende të Gjirit Persik, po konkretizojnë një nismë politike në Shqipëri, që kauzën palestineze ta përdorin si ata.
Në thelb, e gjitha kjo që ka ndodhur nga 7 tetori nuk ka të bëjë fare me fe apo sentimente fetare. Është një lëvizje politike e pastër e Hamasit, por duke përdorur mjete barbare.
Hamas, me këto veprime të saj, kërkon të arrijë të paktën tre objektiva politike të rëndësishme: Të dobësojë Izraelin në sytë e opinionit publik, për të treguar se nuk është aq i frikshëm sa ç’duket; të polarizojë opinionin publik palestinez, por edhe atë arab, siç bëri ISIS para disa vitesh, politikë me urrejtjen.
Nga ana tjetër, Hamas synon dhe në fakt e ka arritur të shkatërrojë marrëveshjet e Abrahamit ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara. Marrëveshje që kishte izoluar politikisht Iranin, aleatin dhe financuesin e Hamasit. Pra e gjithë kjo panoramë është politike, e duhet trajtuar e tillë kur flitet për përplasjen Izrael- Palestinë. Dhuna më pas, mënyrat që përdoren si instrument politik janë pikërisht vendi dhe koha që “njerëzit e Zotit” duhet të flasin duke u dintancuar prerë e qartë. Siç bën Vatikani apo çdo institucion fetar në botë që nuk diskuton fajtorin në një luftë; thjesht bën thirrje për paqe e armëpushim. / Pamfleti
Lini një Përgjigje