Ndërsa Donald Trump negocion me Iranin pa ndarë detajet me Benjamin Netanyahun, çarja mes Uashingtonit dhe Tel Avivit po zbulon se objektivat e luftës nuk u arritën...
Sa herë që një luftë afrohet drejt rezultatit të saj real, propaganda fillon të humbasë forcën dhe faktet marrin vendin e parullave. Pikërisht kjo po ndodh sot në Lindjen e Mesme. Ndërsa bombat vazhdojnë të bien, çarja politike mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu po bëhet më e dukshme se vetë fronti ushtarak.
Vendimi i administratës amerikane për të mos i dorëzuar Izraelit tekstin e plotë të marrëveshjes që po negocion me Iranin nuk është një detaj diplomatik. Ai është një mesazh politik. Uashingtoni po i thotë Tel Avivit se interesat amerikane nuk përputhen më automatikisht me interesat e qeverisë Netanyahu. Për vite me radhë, Izraeli ka pasur privilegjin të dijë gjithçka përpara të tjerëve. Sot po përballet me një realitet tjetër. Po mëson atë që mësojnë të gjithë aleatët kur fuqia e madhe vendos të ndryshojë kurs.
Kjo është arsyeja pse nervozizmi në Tel Aviv nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e marrëveshjes. Ai lidhet me faktin se Uashingtoni po negocion pa kërkuar leje. Kjo do të thotë se administrata Trump po llogarit kostot e veta ekonomike, ushtarake dhe elektorale, jo ëndrrat strategjike të Benjamin Netanyahut.
Në fillim të përshkallëzimit, shumë qendra propagande e paraqitën konfliktin si një operacion të shpejtë që do ta detyronte Iranin të dorëzohej dhe do ta rreshtonte rajonin sipas interesave izraelite. Sot pamja është krejt tjetër. Irani mbetet në tavolinën e negociatave. Hormuzi mbetet faktor presioni. Programi bërthamor nuk është zhdukur. Regjimi iranian nuk është rrëzuar. Ndërsa Amerika po kërkon rrugën e daljes politike.
Kjo është pika ku propaganda përfundon dhe fillon bilanci. Një luftë nuk matet me numrin e raketave të lëshuara, por me objektivat që arrin. Nëse kundërshtari mbetet në këmbë, nëse negociatat zëvendësojnë ultimatumet dhe nëse aleati kryesor nis të negociojë pas shpinës së partnerit të vet, atëherë dikush duhet të pranojë se rezultatet janë shumë larg premtimeve të fillimit.
Pamfleti e ka paralajmëruar që në ditët e para se konflikti rrezikonte të prodhonte të kundërtën e asaj që premtonin arkitektët e tij. Sa më shumë zgjatej përplasja, aq më shumë do të rritej presioni mbi Uashingtonin për të gjetur kompromis dhe aq më pak gjasa do të kishte për fitore të qartë ushtarake. Sot, përplasja mes Trump dhe Netanyahu po e konfirmon pikërisht këtë parashikim.
Historia e luftërave moderne tregon se humbja nuk shpallet gjithmonë në fushën e betejës. Shpesh ajo shfaqet fillimisht në tryezat diplomatike, në dokumentet që fshihen nga aleatët, në telefonatat që nuk bëhen më dhe në marrëveshjet që dikur ishin të paimagjinueshme. Pikërisht aty po shfaqen sot shenjat e para të dështimit të një strategjie që premtoi transformimin e Lindjes së Mesme dhe po përfundon duke negociuar me realitetin që synonte të zhdukte./Pamfleti
Lini një Përgjigje