
Nga kërcënimet për paqe te bombardimet për siguri, Uashingtoni dhe Teherani po ecin në një rrugë ku çdo hap i ri e bën më të vështirë kthimin pas…
Luftërat zakonisht fillojnë kur dikush beson se e kontrollon situatën. Ato bëhen të rrezikshme kur askush nuk e kontrollon më. Pikërisht në këtë pikë duket se ka mbërritur sot Lindja e Mesme.
Sulmet e orëve të fundit, kërcënimet e reja, bombardimet, kundërpërgjigjet dhe retorika gjithnjë e më agresive kanë krijuar një realitet ku askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë do të ndodhë nesër. Jo pas një muaji. Nesër.
Për vite me radhë, Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan një përballje të ashpër, por relativisht të kontrolluar. Kishte sanksione, sabotime, atentate, sulme përmes aleatëve rajonalë dhe demonstrime force. Megjithatë ekzistonte një kufi i pashkruar që të dyja palët përpiqeshin të mos e kalonin. Sot ai kufi është zhdukur.
Paradoksi është brutal. Uashingtoni deklaron se kërkon paqe, ndërsa shton presionin ushtarak dhe kërcënimet. Teherani deklaron se është i gatshëm për negociata, ndërsa përdor çdo instrument presioni që ka në dispozicion, nga rrjetet rajonale deri te kërcënimi ndaj lundrimit në Hormuz. Secila palë pretendon se po mbron stabilitetin. Secila palë vepron në mënyrë të tillë që prodhon më shumë paqëndrueshmëri.
Në qendër të kësaj drame ndodhet Donald Trump.
Frustrimi i presidentit amerikan po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Ai erdhi në pushtet me premtimin se do të shmangte luftërat dhe se do t'i detyronte kundërshtarët të pranonin marrëveshje nga pozita dobësie. Në logjikën e tij, presioni ekonomik, izolimi diplomatik dhe demonstrimi i forcës duhej ta sillnin Iranin në tavolinën e negociatave sipas kushteve amerikane.
Por realiteti nuk po i bindet këtij skenari.
Irani nuk u rrëzua. Nuk u dorëzua. Nuk hoqi dorë nga ambiciet e veta rajonale. Përkundrazi, tregoi se është i gatshëm të përballojë një kosto shumë më të lartë sesa kishin parashikuar strategët amerikanë. Kjo e ka futur Trumpin në një kurth politik dhe strategjik. Nëse tërhiqet, rrezikon të duket i dobët. Nëse përshkallëzon konfliktin, rrezikon të hyjë në një luftë që kishte premtuar se nuk do ta zhvillonte kurrë.
Pikërisht këtu lind nervozizmi që reflektohet në deklaratat kontradiktore të administratës së tij. Një ditë flitet për marrëveshje. Të nesërmen për bombardime. Pastaj rikthehen thirrjet për negociata. Më pas vijnë paralajmërime të reja ushtarake. Kjo nuk është më shenjë force. Kjo është shenjë e pasigurisë për drejtimin që duhet marrë.
Ndërkohë, mekanizmi i përshkallëzimit ka nisur të funksionojë vetë. Një raketë prodhon një bombardim. Një bombardim prodhon një kundërpërgjigje. Një kundërpërgjigje prodhon një arsye të re për të vazhduar luftën. Çdo veprim krijon justifikimin për veprimin pasardhës. Hapësira për diplomaci ngushtohet. Hapësira për gabime fatale zgjerohet.
Historia tregon se konfliktet më të mëdha nuk kanë nisur gjithmonë nga plane të detajuara. Shpesh ato kanë nisur nga bindja e secilës palë se mund të kontrollonte pasojat e veprimeve të veta. Pikërisht në këtë pikë qëndron rreziku aktual. Të gjithë aktorët kryesorë vazhdojnë të flasin sikur e kanë situatën nën kontroll. Faktet tregojnë të kundërtën.
Izraeli kërkon siguri absolute. Irani kërkon mbijetesën e regjimit dhe ruajtjen e ndikimit rajonal. Amerika kërkon të ruajë dominimin strategjik dhe të imponojë një rend sipas interesave të saj. Por sa më shumë vazhdon konflikti, aq më të largëta bëhen këto objektiva.
Ndërkohë, ekonomia globale ndien pasojat. Tregjet reagojnë me nervozizëm. Çmimet e energjisë lëkunden. Rrugët tregtare detare kërcënohen. Miliona njerëz jetojnë nën hijen e një përshkallëzimi që mund të kapërcejë kufijtë e rajonit.
Pyetja që duhet bërë nuk është më kush ka të drejtë. Pyetja është shumë më e thjeshtë dhe shumë më alarmante.
Ku dreqin po shkojnë?
Sepse kur askush nuk është në gjendje të shpjegojë se si duket fundi i kësaj rruge, ekziston mundësia reale që askush të mos e kontrollojë më atë. Dhe kur një superfuqi e frustruar, një regjim i vendosur të mbijetojë dhe një rajon i mbushur me armiqësi historike ecin në errësirë pa e ditur destinacionin, historia zakonisht nuk prodhon paqe. Historia prodhon katastrofa./Pamfleti
Lini një Përgjigje