Editorial15 Mars 2023, 11:29

Ambasadore, a mund të votojnë vetëm antiamerikanët?!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

Ambasadore, a mund të votojnë vetëm antiamerikanët?!

Kjo dosje e zezë, e pëlqyeshme për mafien politike dhe ekonomike, përligj rënien e Qeverisë dhe të opozitës njëherësh, fton vetëm hajdutët e antiamerikanët pranë kutive e votimit dhe vëzhguesit ndërkombëtar, të përsërisin porositë, “kishte ca probleme që nuk dëmtuan procesin e duhen ndrequr në 2025-ën”!

Edi Rama e kishte udhën “vaj” me ambasadoren amerikane dhe rrugën plot “graso” me shqiptarët, deri në çastin që FBI e kapi me “presh” në duar dhe e futi në analet e historisë me super spiunët e vet. Ecte Babloku me xhepat e fryrë dhe çantën sportive, nëpër labirinthet e botës arabe edhe aziatike, pa e ditur se në kurriz ka një çip.

McGonigal nga çanta e zezë e mafies ballkanike, e fundosi për gjithmonë Bablokun, që jo vetëm në perceptimin mbarë shqiptar, por edhe në sekretet që “struken” brenda akuzave në dosjen e hetimit, ka tradhtuar interesat e kombit të vet dhe cenuar edhe ato të shtetit më të fuqishëm në Botë.

Korrupsioni ekonomik dhe politik me shefin e FBI-së për New Yorkun McGonigal, me bizneset antiamerikane, kineze, turke dhe ruse, jo vetëm mbyllën karrierën e kryeministrit në imazhin e Amerikës, por zgjuan nga “koma” 32 vjeçare popullin shqiptar.

Pas “zgjimit” u kujtuan se janë vjedhur.

Pas izolimit dhe kryqëzimit, të parët që mprehën “dhëmbët” ta shqyejnë copa-copa, ishin të vetët. Ambasadorja i ktheu kurrizin, ish ministrat Fatmir Xhafaj dhe Arben Ahmetaj ngritën zërin në kupë të Qiellit, duke e kërcënuar se nuk mund të ndodhë që dikush ha kumbulla, e tjetrit t’i mpihen dhëmbët.

Me duar në gojë e me gjuhë në dhëmbin e keq, Endri Fuga, Olta Xhaçka, Taulant Balla, Engjell Agaçi e shumë të tjerë, po vrapojnë nëpër oborrin e rrethuar me “gardh” të kalbur të mafies, sa nga Rilindja tek SPAK-u e anasjelltas, por të gatshëm t’i nxjerrin sytë kryeministrit, nëse ai nuk ka fuqi t’i mbrojë nga transparenca e pasurive të vjedhura.

Brenda vizatimeve të piktorit, ka po kaq shumë shkarravina të pa kuptimta, sa edhe “orteqe” që po shkëputen nga mali në rënie të lirë drejt humnerave.

Ka filluar rrokullisja, por ende, hiletë e specialistëve të hajdutërisë vazhdojnë të ngelen frymëzim për mafiozët.

Pra, po vrasin opozitën, që të ngelen po këta në lojë.

Meqë qeveria me të gjallë, u shpartallua, “vdiq”, u gjet një McGonigal shqiptar, që të “vrasë” edhe të “vdekurit”, opozitën.

“Varret” i kanë ndërtuar me duart e veta dhe me paratë tona. Një pjesë e “fshatit” Ballkanik, i thotë “fshatarit” agjent të FBI-së me dorë në zemër, faleminderit tradhtar që na hoqe qafe regjimin; pjesa tjetër, falënderon me zemër në dorë, hajdutin Celibashi, që i shpëtoi nga ndryshimi.

Gjithsesi, “dardha” e ka bishtin pas, thotë një shprehje e popullit tonë.

PD zyrtare, e kishte udhën “vaj me ambasadoren dhe rrugën me “graso” me votuesit, deri aty, ku komisioneri zgjedhor Ilirjan Celibashi, nuk e njohu Partinë Demokratike si subjekt elektoral në zgjedhjet e 14 majit.

Kjo dosje e zezë, e pëlqyeshme për mafien politike dhe ekonomike, përligj rënien e Qeverisë dhe të opozitës njëherësh, fton vetëm hajdutët e antiamerikanët pranë kutive e votimit dhe vëzhguesit ndërkombëtar, të përsërisin porositë, “kishte ca probleme që nuk dëmtuan procesin e duhen ndrequr në 2025-ën”!

Nëse nuk do kemi zhvillime të reja, çka nuk dua ta besoj, do u lihet rrugë e lirë Klaneve Mafioze, të ndajnë pushtetin mes vedi, si “plaçkë” lufte.

Nëse ndodh më e keqja, për të rrëzuar gjithë të këqijat njëherësh, këto votime do jenë më të çuditshmet e Globit.

Në kronikën më të bardhë, pas më të zezës, mund të themi, a është kjo zgjedhja që zgjidh?! Ajo që shohim, me pak “miza” normalisht, zipohet në një pyetje që pret patjetër një përgjigje;  Mc Gonigal fundosi Ramën, Celibashi Bashën, ambasadore ku je, a mund të votojnë vetëm antiamerikanët?!/Pamfleti

antiamerikanë zgjedhje ambasadorja