Editorial13 Mars 2023, 13:31

Pse Edi Rama e la në ‘stol’ Lali Erin?

Shkruar nga Pamfleti

 

Pse Edi Rama e la në ‘stol’ Lali Erin?
Edi Rama dhe Erion Veliaj

A po i hedh Edi Rama nga dritarja të gjithë bashkëpunëtorët e tij?!

Në aktivitetin elektoral për të marrë mandatin e ri në bashkinë e Tiranës, Edi Rama, ka dhënë një lajm të rëndësishëm politik.

Kryeministri, në momentin kur është kryqëzuar me Erion Veliajn për të mbajtur fjalimin, tha “shko ulu në stol”. Kjo pasi Veliaj i tha se as unë e as ti nuk kemi podium”, që u kuptua një provokim i hapur politik, natyrisht i një niveli mistrec, por që ishte i tillë.

Nga ana e tij, Rama, me të njëjtën dhunë verbale që foli për Arben Ahmetajn kohë më parë, artikuloi frazën për Veliajn, i cili në rreshtin e parë kishte renditur deputetët që nuk pëlqehen nga Rama, apo konsiderohen si kundërshtarë të tij. Si Fatmir Xhafa për shembull.

Më pas në fjalën e tij, Rama nuk foli fare për bashkinë e Tiranës, por për pagën minimale dhe sigurimet shoqërore. Në fund braktisi takimin dhe tha se po “shkoj të punoj për Lali Erin”. Që shpjegohet “merruni me llafe ju se unë punoj për ju”.

Një sinjal shumë i qartë se Edi Rama nuk e ka ndërmend ta pranojë që Erion Veliaj të jetë pasardhësi i tij, jo thjesht për një kohë të afërt, por edhe më pas.

Nuk është aspak i rastësishëm sot ky mesazh, që duket ka marrë edhe një peshë të madhe politike, pasi në mbledhjen e fundit të kryesisë, Erion Veliajt i është hequr posti politik i kreut të PS-së për qarkun. Madje Edi Rama e ka sulmuar fort për disa festa grash në Vorë dhe Kavajë, ku rrezikohet seriozisht fitorja e PS.

“Nëse merr përsipër Kavajën e Vorën”, duhet të marrësh përsipër punën skandaloze të bashkive atje”, i ka thënë Rama, i cili ka në plan të vendosë për kryetar bashkie në Vorë, djalin e Zamira Durdës, që aktualisht është drejtor i AKKP-së.

Ndërkaq, për qytetin është dubluar politikisht prefekti i Tiranës Afrim Qendro, çka tregon se Erion Veliaj nuk do të ketë asnjë kompetencë për të zgjedhur deputetët pas dy vitesh, siç bëri në vitin 2021. E kjo nuk është asgjë tjetër veçse një shtrëngim të fuqisë politike të Erion Veliajt.

A po ndodh ajo që tha Çani se ‘Ramsi po hedh nga dritarja të gjithë bashkëpunëtorët e tij me radhë’, siç bëri me Ahmetajn e Artan Lamen?!/Pamfleti

 

edi rama lali eri në stol