Editorial10 Mars 2023, 10:13

Luli është te dera; mbani gojën, shokë!

Shkruar nga Frrok Çupi

 

Luli është te dera; mbani gojën, shokë!
Frrok Çupi

Lulzim Basha, edhe pse ‘një nga fëmijët e Berishës’ ka kryer disa akte politike: Ka përzënë Berishën nga PD dhe ka shpallur dorëheqjen!, të paktën. Cili vallë prej ‘shokëve’ ka kryer ndonjëherë ‘akt politik’?

Pse po sjell fjalën ‘shokë’, të humbur prej kaq vitesh?

Apo pse vallë po sjell fjalët ‘mbani gojën’ shokë, njësoj si të thuash ‘mbahuni shokë!’, për gjëmën?

Dje Komisioni më i Lartë ligjor i Zgjedhjeve mori një vendim që i shkundi ‘shokët’ e Lulzim Bashës. U duk se zoti Celibashi mori rolin e një rojtari strikt të bahçes ku u kapën në dëm shokët e Partisë Demokratike. Rojtari u tha çunave se ‘nuk u lejoj, po të mos më sillni prindin, unë nuk ju njoh’. Prindi i shokëve të Demokratikes, në këtë rast, është Lulzim Basha. Për Komisionin e Lartë të Zgjedhjeve, Luli është kryetari i PD. Po nuk firmosi kryetari i vërtetë në letrat e ‘Rojtarit’ të Zgjedhjeve, PD nuk pranohet të vazhdojë rrugën...

Dje u tronditën ‘shokët’ e Partisë. Ata e dinin se ‘Lulzim Basha ka maruuu e ka maruuu!’. Por ja ku qenka. Luli është te dera; mund të shtyjë derën e të hyjë ose mund të qëndrojë edhe aty, por u ka shtënë frikën ‘shokëve’. Një grua ‘shoqe’ pardje dhe ‘shokë’ të tjerë, nisën ta gjuajnë me gur emrin e Lulit e thanë se ‘kurrë nuk hyn më në PD!’.

Kjo është një nga arsyet pse solla fjalën ‘shokë’ të humbur prej vitesh. E solla në kuptimin e fjalës ‘comrade’, ‘comrad’, e ku ta dish; njësoj si në Luftën Civile të Spanjës ose në Betejën për Stalingradin. PD sapo lindi vuri në krye një ‘comrade’ komunist të kohës, dhe gjithë kohës mbeti një parti e kuqe flakë staliniste. Edhe sot e kësaj dite duket akoma më e flaktë. Akti i fundit është akti i mbylljes së derës ndaj Lulzim Bashës, si të ishte Trocki, për shembull. Në Partitë Komuniste të post- Revolucionit të Tetorit, secili që përjashtohej nga Partia kthehej në armik. Sa shumë armiq u bënë 30 vjet në PD, aq shumë sa sulmonte Saliu, pa  fund. Kështu edhe sot, sapo e panë Lulin ‘jashtë’,  comradët nisën luftën kundër tij.

Po mbani gojën, shokë, se Luli është te dera! Po të ketë dëgjuar, do të vijë si kryetar e do t’u fshijë nga PD!- Kjo do të ishte edukata e shokëve të Partisë.

Sidoqoftë, është rasti t’i thuhet PD-së në këtë moment: ‘Mbahuni shokë!’, se mund të merrni ndonjë lajm që do t’u ligështojë.

Mund të marrin lajmin se ‘Lul Basha vjen në krye të PD!’. A mund të dalin këta te dera e ta mbyllin?

Po të dalin te dera për të mposhtur Lul Bashën, atëherë bota politike si këtu edhe në Perëndim do të dalë me përfundimin se ‘kjo pjesë e mbetur e PD zyrtare  nuk është më e mirë se Foltorja e Berishës’. Po atëherë pse do të duhej një PD e tillë? Amerika dhe Europa, prej kaq kohe kanë bërë të qartë se nuk mund të ketë një parti politike si Sali Berisha, askush nuk do ta njihte dhe as t’i jepte dorë. Këta të PD legale janë berishistë, si vallë mund të ndahen nga vetë Berisha? Të gjithë, kokë më kokë, janë zgjedhur me dorë nga fëmijët dhe familja e Berishës, jo se kanë ndonjë rol politik në favor të demokracisë.

Megjithatë Perëndimi u hapi derën e një shansi; shansi ishte ndarja nga veprat e tmerrshme të Sali Berishës. Mirëpo as këtë nuk po e bëjnë. Sapo duket sikur këta u ndanë nga ‘mina e demokracisë’, fap!, dikush prej tyre shtrin dorën dhe aktivizon ‘minën’. Në gjuhën tonë popullore kjo quhet tradhti ndaj Amerikës dhe Europës; në sensin e shërbimit kombëtar kjo quhet helmin i njëmijtë i klimës sonë; në sensin vizionar kjo quhet ‘zero, miopi’.

Lulzim Basha ndodhet te dera dhe është gati të hyjë si kryetar.

Pse vallë, na qenka ky ‘i kulluari në flori’? Jo, sigurisht! Por Lulzim Basha, edhe pse ‘një nga fëmijët e Berishës’ ka kryer disa akte politike: Ka përzënë Berishën nga PD dhe ka shpallur dorëheqjen!, të paktën. Cili vallë prej ‘shokëve’ ka kryer ndonjëherë ‘akt politik’?. ‘Shokët tanë’ nuk mbajnë as gojën.../ Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

frrok cupi lulzim basha pd sali berisha