Edi Rama është më shumë se në vështirësi, është 'shah me zbulim', me mundësi të vogla lëvizjeje...
Shumë kanë pritur që Arben Ahmetaj të flasë edhe më fort mbrëmë, në intervistën e parë pas largimit nga vendi. Ndoshta kanë të drejtë, por ai edhe aq sa foli, ka tronditur shumë.
Ajo intervistë ka hapur mjaft shtigje të reja, por në radhë të parë ka thyer një mit që Edi Rama e kishte krijuar me mjeshtëri. Atë mitin e dardhave e kumbullave që të tjerët hanë pas shpinës së tij.
Ahmetaj, e sfidoi njeriun me të cilin ka bashkëpunuar më shumë se 2 mandate qeverisëse si njeri i besuar, me mitin e kryeministrit për atë që ai nuk ka dijeni për “dardhat”. Në intervistën e tij, ish-zv.kryeministri dhe disa herë ministër, i sfidoi “dardhat” me qoftet. Madje deklaroi se ka qenë vetë Rama që ka ngrënë qofte në verandë, jo me 1 pra me Fanen e “shkretë” që çoi për lesh një industri ushqimore, por edhe me 10 a 11 të tjerë.
“Tigri” gjithashtu përmendi dosjen amerikane ndaj Ramës, ku këtë radhë sfidoi SPAK, i cili ka qenë i rreptë ndaj tij, duke kërkuar arrest me burg dhe sekuestro të pasurive. Nëse Edi Rama, nuk do t’i përgjigjet me kundër argumente Ahmetajt, o ka frikë se natyrisht Beni di shumë, ose nuk ka shans tjetër.
Ahmetaj, përveç rënies së mitit të Ramës, ka goditur dy krahët më të afërt të tij: Veliajn e Ballukun, duke i përmendur lidhje por edhe dyshime për afera.
Nga mbrëmë, Edi Rama nuk e ka virgjërinë për të folur as për dardha e as për kumbulla, pasi në radhë të parë duhet të flasë për qoftet, por edhe për njerëzit e tij.
Sipas gjasave, goditja e Ahmetajt ishte e para, por jo e fundit, madje sa ka nisur nxemja. Tigri i ka bërë të ditur Edi Ramës se ai nuk ka komplekse për ta sulmuar pikërisht aty ku se pret. E jo më kot kishte lënë intervistën te televizioni pranë familjes Berisha. Pra djall për djall, nuk se Edi Rama është më lart se Sali Berisha. E për këtë Ahmetajt ka dhënë fakte, por sa i ka prekur ato.
Bie në sy, që pas kësaj interviste është në heshtje makina e fortë e propagandës së Ramës, i cili po mendon lëvizjen, por nuk ka gjasa ta injorojë.
Dy rrugë ka për Edi Ramën. Nëse hesht; do të presë goditjet e forta të SPAK, të cilët edhe Ahmetaj i ka përmendur; inceneratorët dhe McGonigal. Dhe nëse flet, do të flasë si para dy vitesh, duke i kërkuar SPAK-ut një hetim që ai e mendon. E gjasat janë të ndodhë kjo e dyta. Por mësohet, se në momentin që Edi Rama do ta bëjë këtë, do të ketë një kundërveprim të fortë nga SHBA, që do t’i kërkojë SPAK të jetë i pavarur.
Në fund të fundit, prandaj dhe u zgjodh Altin Dumani. Me një fjalë, Edi Rama, pas intervistës së Ahmetajt është më shumë se në vështirësi, është shah me zbulim, me mundësi të vogla lëvizjeje. / Pamfleti
Lini një Përgjigje