TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Maj 2024, 12:30

‘Era e keqe’ e një pakti nën tavolinë

Shkruar nga Gjergj Zefi

 ‘Era e keqe’ e një pakti nën tavolinë

I thirri halli, megjithatë ka shumë gjasa, e duket se ka edhe një plan ndërkombëtar për t’i rrëzuar të tre...

Ka disa sinjale të forta për një allishverish të radhës ndërmjet elitës së dinosaurve, dhe ‘era e keqe’ po përhapet ditë pas dite në çarshitë e politikës shqiptare.

“Harresa” e procedimit të Ilir Metës; stopimi i rastit të Sali Berishës vetëm te çështja ‘Partizani’; përgatitja e një pakti të ri për drejtësinë në Parlament; tërheqja e malësorit të Tropojës dhe malësorit të Çorovodës në sulmet ndaj Edi Ramës dhe përqëndrimi i goditjeve ndaj Erion Veliajt, janë shenja të dallueshme të një stine të re. Stinë që ngjan me “detantat” e vjetra dhe të herë pas hershme të peshave të rënda në vend.

Paktet mes të mëdhenjve që kanë konsoliduar pozitën e tyre, kundër aktorëve të tjerë.

Rasti më i fundit i këtij pakti ishte 2008-a, që e ktheu Shqipërinë në një Republikë të kryeministrit dhe kryetarëve të partive politike. Ndërkohë më herët në vitin 2002, Fatos Nano bëri një tjetër pakt me Sali Berishën për të goditur armiqtë e tij: Edi Rama, Fatos Klosi, Rexhep Meidani etj.

Me këtë ‘allishverish’ Edi Rama po dobëson të gjithë njerëzit e fuqishëm në partinë e tij, duke krijuar kështu mundësinë e një plani ndërkombëtar për ta zëvendësuar me një person brenda së majtës në pushtet.

Ndërkaq, nga ana tjetër, Sali Berisha pret një pakt, nga ku nuk do të ndryshojë sistemi zgjedhor, si dhe do të mbajë fuqinë e opozitës primare për të pasur komisionerët në zgjedhjet e vitit 2005.

Kurse kleçka tjetër është ajo që pritet në Komisionin e ri të Reformës në Drejtësi, që do të ngrihet pas miratimit të rezolutës antikorrupsion në Parlament.

Prezenca “incognito” e Tritan Shehut për të plotësuar kuorumin gjatë miratimit të rezolutës antikorrupsion, nuk duket se është e rastësishme.

E më tej, enigma mbretëron se si këto njerëz që i kanë hapur aq probleme këtij vendi, do të ndërhyjnë për të ngushtuar ekspansionin e SPAK-ut.

Kjo duket ashiqare, sepse të tilla janë edhe vullnetet politike që shfaqen në media kundër asaj që të dy palët e quajnë “Republikë e prokurorëve”.

Edi Rama, duket qartë se e ka ruajtur këtë kartë rezervë si një ‘flamur elektoral’ të 2025.

Nëse ndërkombëtarët e përkrahin, çka për të cilën Rama po lobon, do të vijojë ta konsiderojë veten si njeriu i tyre. Nëse jo, do të bëjë Erdoganin shqiptar për të kundërshtuar një “lëvizje poshtë brezit”.

Por e gjithë kjo vjen sepse Rama, pasi ka mundur Berishën e Metën, kërkon t’i mbajë në lojë, kur ata nuk i do askush.

Vetë Berisha e Meta, të yshtur nga babëzia nuk ju a bën zemra të largohen e ti hapin rrugë një lëvizjeje ‘domino’ që ta hajë edhe Babloku. I thirri halli, megjithatë ka shumë gjasa, e duket se ka edhe një plan ndërkombëtar për t’i rrëzuar të tre. Ndaj ka lindur kjo stinë e re dashurie. Njëjtë si te romani i García Márquez-it, ‘Dashuria në kohërat e kolerës’. E denjë për një kryevepër jo të Márquez-it kësaj here, por të Orwellit ku flet për fermën e kafshëve./Pamfleti

\'era e keqe\' e një pakti nën tavolinë gjergj zefi

Lini një Përgjigje