Editorial24 Maj 2024, 11:15

“Dashuria” e re serbe me Kinën dhe “divorci” i detyruar me Rusinë

Shkruar nga Fadil Lepaja
“Dashuria” e re serbe me Kinën dhe “divorci” i
Aleksander Vuçiç dhe Xi Jinping /

Kleronacionalistët serb dhe komunistët kinez, janë bërë vëllezër...

Ne dhe Kina 1.44... bilion. A ju kujton diçka? Asokohe “imperializmi” amerikan po i rregullonte marrëdhëniet me Kinën komuniste dhe Shqipëria e vogël, feudaliste, besnike idealeve të proletariatit botëror, kishte mbetur e vetme në planet.

“Dashuria” kinezo- shqiptare ishte ideologjike, por pozicioni i Shqipërisë ishte pak a shumë i njëjtë: Shqipëria e rrethuar, shkëputej nga Rusia dhe afrohej me Kinën. Partia lavdërohej, “Ne dhe Kina... qindra milion”

Tani, kleronacionalistët serb dhe komunistët kinez, janë bërë vëllezër. Edhe me botën “muslimane” është e gjallë kjo vëllazëri serbe. Edhe përkundër gjenocidit në Srebrenicë, përkundër rezolutës për Srebrenicën, vëllazëria e saj me botën islame, mbetet e fuqishme.

Edhe përkundër marrëdhënieve të mira me Izraelin dhe marrëdhënieve vëllazërore me palestinezët, marrëdhënieve të mira me Turqinë dhe Rusinë, Kinën ... dhe SHBA, Serbia po përpëlitet në mes civilizimeve, në përpjekje për të gjetur “një copë” tokë të huaj për “Botën serbe”, ose së paku një (kon)federatë,  të hapur ose jo ballkanike, diçka si një “tokë e askujt”, në mes fuqive.

Pozitë të ngjashme gjeopolitike, në mes civilizimeve, kanë edhe shqiptarët, por orientimi i qartë perëndimorë, përcaktimi për demokraci dhe shtet laik, sidomos në Kosovë, e ka bërë më të kuptueshme dhe më të besueshme politikën shqiptare. Por serbët nuk e kanë këtë brengë. Ata nuk shqetësohen nëse u beson dikush ose jo, sepse ata gënjeshtrën dhe pabesinë i konsiderojnë art në politikë. Për politikën serbe, elitën klero-nacionaliste, me rëndësi është të mbijetojë dhe për opinionin e brendshëm krejt këtë  e paraqesin si luftë për mbijetesë të popullit serb. A mund të mbijetojë një Serbi demokratike? Askush nuk e di, pasi një e tillë nuk arriti të formësohej pas rënies së komunizmit.

Përderisa “divorci” me politikën ruse, po duket i vështirë dhe me dhembje, “dashuria” e re, politike serbe përflaket në sintagmën “miqësi e çeliktë”, me të cilën presidenti serb e përshkruan marrëdhënien e tij , pra të Serbisë, me Kinën dhe  me liderin kinez Si. Duke marrë rolin e nxënësit, duke shprehë “dashurinë” e tij politike, i skuqur deri te veshtë, para masës të cilën e kishin sjellë me autobusë nga e tërë Serbia, në atmosferën e muzikës dhe valleve popullore serbe, ata po e njoftonin liderin kinez, se, televizioni publik serb e ka ndërprerë “Eurovizionin” për të transmetuar drejtpërdrejtë arritjen e tij në Beograd.

Përderisa është e vështirë të kuptohet motivi për këtë “dashuri” politike Serbi-Kinë, edhe përderisa ende është e paqartë nëse është e dyanshme dhe a do të rezultojë më me një marrëdhënie afatgjatë, ka arsye të besohet se ky sforcim  ndodhë për ta ngushëlluar Rusinë, pasi Kina llogaritet aleate jozyrtare e Rusisë, dhe se kështu e jep idenë se pas “divorcit” Serbia mbetet me lindjen e jo perëndimin.

Pavarësisht motivit fillestar, kjo lidhje e sforcuar emocionale e politike Kinë-Serbi, gjithashtu  synon të forcojë pozitat e saj në raport me perëndimin dhe sidomos SHBA,  duke amortizuar opinioni serb  pro rus dhe ndikimin rus në Serbi.  Të amortizojë me rusët dhe të rris “çmimin” për perëndimin, kjo duket politikë serbe. Në çmim hyjnë Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe të gjitha problemet rajonale të cilat i ka listuar së fundmi presidenti serb.

E rrethuar me BE, dhe NATO-n, me një industri ushtarake të fuqishme për rajonin e cila po mbetet pa punë, përfshirja në projektet e NATO dhe furnizimi i ushtrisë serbe me armatim të vendeve perëndimore si blerja  e avionëve luftarak në vlerë 3 bilion, kyçja në projektet energjetike me Rumaninë, përfshirja në furnizimin me armë të Ukrainës, e shumëçka tjetër janë rrethana që e bëjnë politikën serbe të rishikojë aleancat dhe qëllimet  e saj, së paku afatshkurtër.

Marrëdhënia e serbëve me fqinjët dhe fuqitë e kohës, dikton zhvillimet në projektin serb për “botën serbe”. Nëse Serbia merr orientim të qartë perëndimor shpërbërja e mëtejme e Serbisë dhe serbëve do të ndalet dhe do të marrë drejtim me një forcim të lidhjeve ekonomike, politike e kulturore në mes tyre. Se si do të zhvillohet ky projekt pastaj, varet nga zhvillimet globale. A do të ketë një shtet serb e rrjedhimisht edhe një shqiptar në rajon, apo do të ketë  integrim  të vendeve të rajonit në BE ku do të bashkohen popujt duke i hequr kufijtë, kjo mbetet për tu parë nga zhvillimet (anti) globaliste. PËRPJEKJET E Serbisë janë që të krijohen shtetet nacionale, e të ndryshohen kufijtë, ndërkohë që kjo nuk është politikë evropiane dhe perëndimore aktualisht.

Liderët serbë e kanë të qartë se një orientim i qartë lindorë, do ta shpërbënte ëndrrën serbe madje edhe vet shtetësinë serbe, por ky është gabim të cilin ata vështirë se do e bëjnë. Ajo që po bënë aktualisht elita serbe është të fus në garë fuqitë, në një licitacion ndërkombëtarë.... kush do japë më shumë.

A do të ketë kapacitete ta mbajë këtë “lojë” politike presidenti serb dhe “lojtarët” e tij, kjo është çështje në vete.  Në perspektivë më të gjerë, kthimi i Serbisë nga perëndimi duket i pashmangshëm, por në dorën e politikës serbe duket se është vetëm të zgjedhin se sa e dhimbshme do të jetë kjo! Por ka edhe një gjë, nuk është çështje vetëm nëse duan serbët, por edhe a do të munden!/Pamfleti

dashuria serb divorci rusia