Editorial27 Maj 2024, 11:02

Arsyet e vërteta të takimeve të Edi Ramës me diasporën shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
Arsyet e vërteta të takimeve të Edi Ramës me diasporën
Edi Rama në takimin e Milanos /

Vetëm emigrantët ja bëjnë të pamundur projektin për të qëndruar në pushtet deri në vitin 2030...

Takimet e Edi Ramës në Athinë e Milano, ato të Gjermanisë dhe të Londrës që priten, kanë shpenzuar energji e para pa fund.

Rama ka involvuar të gjitha bashkitë e administratën për të organizuar jashtë vendit, atë zhytje në turmë që në Shqipëri nuk e realizon prej vitesh.

Të gjitha mitingjet e takimet e mazhorancës në Shqipëri janë me karrike të numëruara. Pasi njerëzit nuk janë më entuziastë këtu, sepse vuajnë për të jetuar të përditshmen.

Emigrantët nuk e kanë këtë stres, por një pjesë e tyre mbajnë ende një sy në Tiranë, e shumica prej tyre natyrshëm nuk e duan Sali Berishën, pasi prej tij kanë lënë vendin dikur.

Këtu Rama kërkon të vrasë me një gur dy zogj.

Së pari, tu tregojë Micotaqisit në Athinë, e Giorgia Melonit në Romë që po ju kërkon bashkëatdhetarëve të tij që të votojnë për ta, e nga ana tjetër t’i mbajë larg shqiptarët e Europës nga Tirana. Pasi nëse ata kthehen, edhe pse jo të gjithë, mund të shkaktojnë përmbysjen. Qoftë militantët e së majtës, qoftë ata të së djathtës, qoftë pjesa më e madhe që kërkon një ndryshim cilësor.

Këtë ndryshim të madh, Edi Rama kërkon ta ndalojë, qoftë edhe përkohësisht. “Mund të vini” si investitorë thotë”, por nuk dëshiron të vijnë si votues apo aq më keq si aktorë politik.

Nuk duket se Rama në takimin me diasporën ka frikë se këtë pjesë ja merr Sali Berisha apo Ilir Meta, por hapësira që kanë krijuar ata po.

Është kjo pjesë e shoqërisë që rrezikon çdo ditë e më shumë pushtetin e Edi Ramës. Domethënë të gjithë intelektualët e studiuar në Perëndim që nuk kanë besim te kjo klasë politike, e mund të vijnë të përmbysin gjithçka.

Siç bëri diaspora e Bukureshtit, Turqisë, Misirit (Egjiptit), Amerikës, në fillim të shekullit të 20. Kjo diasporë e atyre viteve bëri Shqipërinë. Të cilën klasat dhe elitat sunduese tonat donin ta lënin me Perandorinë Otomane.

Shqipëria u bë nga paratë, energjitë, mendja dhe vizioni i shqiptarëve që jetonin në Perëndim. Pasi atëherë edhe Egjipti i Mehmet Ali Pashës ishte një Angli e vogël. Edi Rama, i frikësuar nga një furtunë perëndimore e diasporës, po del për të takuar militantët socialistë atje, natyrisht edhe me lidhje me njerëzit e tij, që të ndalojë këtë operacion që ja bën të pamundur projektin për të qëndruar në pushtet deri në vitin 2030. / Pamfleti

diaspora shqiptare arësyet e vërteta edi rama takime