TAGS-AT E JAVËS

Editorial25 Gusht 2025, 09:31

Fanatikët që u besdisën nga nderimi për Artur Zhejin!

Shkruar nga Pamfleti

 Fanatikët që u besdisën nga nderimi për Artur Zhejin!

Dhimbja dhe respekti që shqetësojnë xhelozinë e fanatikëve…

Shqipëria ka një traditë të ngulitur në rrënjët e saj për të nderuar ata që ikin nga kjo botë. Një traditë që është e njëjtë në të gjitha këndet e Shqipërisë londineze, por, edhe në trevat shqiptare jashtë saj. Të cilën e respektojnë të gjitha komunitetet, pavarësisht besimeve fetare apo përkatësive krahinore.

Respekti dhe fjalët e mira për njeriun që ikën, është një traditë identitare, njëlloj si në vendet perëndimore, që nga SHBA shumëkombëshe e multifetare, e deri te Europa me rrënjë të krishtera por tashmë laike dhe shekullore.

Një traditë që nuk ka lidhje me hipokrizinë, por me dhembshurinë, dashurinë e respektin, jo vetëm ndaj të larguarit, por edhe familjarëve, miqve, të afërmve, pra komunitetin që lidh një shoqëri, e cila jeton në këtë botë me të mirat dhe të këqijat, problemet e gëzimet, hidhërimet e taksiratet.

Në fjalë të thjeshta për jetën reale në këtë tokë ku secili merr frymë e jep kontributet e tij.

Në erën e sotme të rrjeteve sociale, fenomeni i simpatisë dhe ngushëllimeve për dikë që largohet merr një formë më virale, më të dukshme. Por që nuk i besdis njerëzit, edhe pse për disa mund të duket si e ekzagjeruar. Njerëzit marrin pjesë më shumë në dhimbje se në gëzime, pasi ky sentiment, përbën një nga shtyllat e qytetërimit tonë.

Rasti me gazetarin Artur Zheji, që iku parakohe, pati një reagim të tillë. Pasi i ndjeri Artur, lidhte shumë gjëra bashkë përveç personalitetit të tij, edhe familjen e tij të njohur e të respektuar. E kështu, gjithkush që kishte një rrem njohjeje e respekti nuk vonoi ta shprehë atë.

Megjithatë nuk vonoi edhe një reagim “kontrapetal”, dukshëm “xheloz” ndaj simpatisë masive për Zhejin. Këta ziliqarë simpatish, janë pjesë e fanatikëve muslimanë, të cilët janë shumë të irrituar me shoqërinë shqiptare thuajse përherë.

Një përfaqësues i fanatikëve, shkruante se Artur Zheji nuk na qënkërka as gazetar, e lëre më publicist, ndërkohë që theksonte se muslimanët nuk duhet të bien pre e kësaj dhembshurie kolektive. A thua se janë një juri akademike për të përcaktuar zanatçinjtë e zejes së të shkruarit. Por duhet t’i thonë të vërtetat e hidhura për këdo, që sipas tij, do të ketë llogarinë e tij “në atë dynja”.

Këta që besojnë në gjykimin e drejtë universal të ditës së fundit, nuk mjaftohen me llogarinë e të Plotfuqishmit, po duan t’i japin një dorë këtu në tokë, a thua se janë asistentë të atij që ka në atë botë dosjet e secilit të vdekshëm.

Ku sipas rrëfimit që shpërndajnë nëpër faltore e publik, thonë se të mirat nuk janë të kësaj bote, por të tjetrës, ku të pret shpërblimi në xhenetin edenian apo djegia në xhenhem.

Atëherë përse ky nxitim për ta kërkuar edhe një gjykim tokësor për mëkatarët e ngratë që presin ditën e gjykimit? E vërteta është se këta fanatikë, janë xhelozë pikërisht nga natyra shqiptaret e tolerancës. Të cilët nuk kanë qeder përse ka fanatikë apo liberalë. Madje askush nuk i ka ngucur edhe pse ngjarjet e tyre shpirtërore, duan t’i bëjnë tubime politike.

Fanatikëve u plas shpirti nga sjellja stoike e shqiptarëve për të ruajtur traditat shekullore, mijëvjeçare e jo të ndjekin ritet e imponuara të sjella me jataganet e sulltanëve që erdhën nga stepat aziatike. I vret natyra perëndimore e shqiptarëve, e cila i ka lënë ashtu si ishull mëkatarët që duan të hiqen si të mirë e të paqtë, por që gjithë ditën nxjerrin maraz e zili ndaj një shoqërie që nuk do të duket siç duhet të jenë, por janë e jetojnë siç i vjen./Pamfleti

fanatikët artur zheji

Lini një Përgjigje

Editorial