Forum10 Prill 2023, 10:02

Gazetarë, prokurorë e gjykatës marrin rrogë edhe tek mafia

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Gazetarë, prokurorë e gjykatës marrin rrogë edhe tek mafia
Mafia

Vdekja e mundimshme e Opozitës dhe jetesa e vështirë e qeverisjes, edhe i ka lumturuar, edhe i ka mërzitur të gjithë

Teksa rrëfehej para ambasadores amerikane, një kolegu ynë nuk e dinte se jashtë e priste një mafioz.

Në kthesën e parë djathtas, i doli përpara.

-Hë mistrec, i the gjë Kimetes se të rraha unë?!

-Këtë herë jo, por thirri mendjes...

Pa e mbaruar fjalën, i futi zarfin në xhep.

-Muajin tjetër eja prapë, por kujdes llapën, -i tha bosi dhe u zhduk.

Për zarfat me para të pista po rrihen, zvarriten, bëjnë pis e pastrojnë njëri-tjetrin të gjithë.

Çdo pis hajdut nis pastrohet, sapo rruga e çon aksidentalisht drejt burgut. “Lavazhin” e parë ja jep qeveria, të dytin prokurori e të tretin gjykatësi. Secili e shkrin përkujdesjen deri në stërmundim.

Çrregullimi i sistemit ka asfiksuar aftësitë e tensionuar ndjesitë.

Vdekja e mundimshme e Opozitës dhe jetesa e vështirë e qeverisjes, edhe i ka lumturuar, edhe i ka mërzitur të gjithë, me antiamerikanë, parazitë, hajdutë, diplomatë.

Gjysma lutet të mos ngordhë Opozita. Gjysma tjetër të mos japë “shpirt” qeveria, sa e ke të pamundur të ndash, kaq janë të lumtur e kaq të mërzitur.

Për këtë ndarje po lëvizin e po kërkojnë vota të gjithë.

Vetëlëvizja fizike, ka shkatërruar mekanizmin e filozofisë së lashtë të drejtësisë. Atyre që u është besuar “shpata” të ndajnë të keqen nga e mira, u ka gërryer “acidi” dosjet e krimit. Po i prekën, mbaruan, shkojnë o në burg, o në jetën e pa sosur.

Veç kësaj hataje, u janë ndryshkur edhe “dylbitë”. Në çdo vështrim, fokuson ose korrupsion, ose tymnajë luksi që të ndjell drejt një dhimbjeje që synon të të joshë me nuanca shkëlqimi në të zi.

Gjithandej, gazetarë, prokurorë, hetues e gjykatës edhe paguhen me taksat tona edhe nga mafia.

Nuk është e nevojshme të qëmtosh nëpër optikën e përfytyrimit të padrejtësive shoqërore, për të qenë në pajtim me gishtat që çukisin mbi tastierë dhe për të thënë se shumë gazetarë, prokurorë e gjykatës marrin rrogë edhe tek mafia./Pamfleti

gazetarë prokurorë gjykatës mafia