Kjo është një simbiozë banale, e qartë, e cila tregon se si Berisha, Rama, ashtu edhe Meta janë në një farë mënyrë trinjakë, madje tamam trekëndësh pushteti, siç thoshte Lulzim Basha.
I vetmi kontribut që mund të japë Edi Rama dhe mazhoranca e tij sot në fushatën e 14 majit është qytetaria dhe debati për çështjet që shqetësojnë qytetarët.
Edi Rama dhe Partia Socialiste, hynë të favorizuar në garë, jo thjesht sepse kanë një opozitë të përçarë, e ku në mes të saj janë dy gogolë tashmë që nuk i do as vendi e as bota.
Por sepse gafa fatale që bëri opozita në vitin 2019 me djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, e ka shkatërruar thuajse totalisht nervin politik të njerëzve që mund të konkurrojnë realisht në territor.
Rritja dhe konsolidimi i aktorëve dhe faktorëve kërkon kohë, e sidomos me protagonizmin e madh nga lart të Sali Berishës dhe Ilir Metës, është e pamundur për secilin që merr përsipër t’i futet ‘detit në këmbë’. Pra, parë në këtë prizëm, Edi Rama, i ka të gjitha mundësitë që ta fusë Shqipërinë në një hulli normale, ndoshta jo si Europa, po të paktën si Kosova e vendet e tjera të rajonit.
Megjithatë, siç e kemi parë, kryeministri ka hartuar strategjinë e një fushate toksike. Ku si kryefjalë është “zorra qorre”.
Kjo mënyrë skandaloze e të bërit fushatë, ka një qëllim të qartë; që të mbledhë votuesit e së majtës, kryesisht ata të moshës së madhe me të njohuren thirrje kundra qoflargut Sali.
Edi Rama, ka vërejtur se ka një numër gjithnjë e në rritje votuesish socialistë që po dezertojnë. Disa abstenojnë, disa nga inati ja japin edhe kandidatëve të Berishës e Metës, siç doli publikisht e tha kryetari i PS-së së Rubikut pak javë më parë. Por lajmi më i trishtueshëm për Edi Ramën është se po i rrëshqet toka nën këmbë.
Gjithnjë e më shumë të rinj, bij socialistësh, sidomos të shkolluar, nuk e durojnë dot arrogancën e pushtetarëve të Rilindjes, e po gjejnë strehë të reja politike. Një nga këta është edhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit, i cili duhet thënë se është treguar pragmatist në shumë qëndrime për të pranuar financime, por që ndjekësit i ka puro majtistë. Këtë pjesë të elektoratit, ende nuk e kap një sondazh konvencional, por sondazhet e thella të Edi Ramës e kapin fort një perceptim që kanë sidomos të rinjtë e së majtës. Të cilët nuk honepsin dot arrogancën e ca çapaçulëve që janë kthyer në milionerë, sidomos në bashkinë e Tiranës, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Gjithsesi në Tiranë, shihet se është pjesa më e madhe, e që është në rritje të kësaj vale majtiste, e cila ka gjasa që po zuri rrënjë në këto zgjedhje do të rritet vazhdimisht.
Një lëvizje e re që predikon apo hap debatin e një drejtësie shoqërore, kundër kësaj logjike monopoliste e oligarkike që ka mbjell ky pushtet i Edi Ramës, do të jetë në mos sot, nesër, forca e vërtetë që do të rrëzojë shkëlqimin e kësaj propagande boshe e bajate. Ndaj Edi Rama mundohet ta mbajë nivelin e ulët të debatit, te ‘zorra qorre’ dhe tek tallavaja. Nuk i ka zgjedhur kot dhe thjesht për taktikë këto metafora elektorale për 14 maj. Rama synon më tej, që me të njëjtat lojra të shtyjë edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Ai synon që me sulmet e ashpra të faktorizojë Sali Berishën e Ilir Metën, për t’i nxjerrë si ‘gogolë’. Pasi e di mirë se njerëzit nuk i duan, e kërkon ta shtyjë edhe më shumë me teorinë e “nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”. E që në realitet ka, dhe shumë biles, por nuk i lejon kush që të duken e të dalin publikisht.
Kjo është një simbiozë banale, e qartë, e cila tregon se si Berisha, Rama ashtu edhe Meta janë në një farë mënyrë trinjakë, madje tamam trekëndësh pushteti, siç thoshte Lulzim Basha. Të cilët kanë edhe pa pasur pushtet ; fuqi, para e influencë. Jo popullore, por financiare, shtetërore e nëntokësore, madje kriminale fare.
Nëse Edi Rama, do të dilte në fushatë siç ka thënë shpesh here, që ne nuk do të merremi me Berishën e Metën, por me hallët e shqiptarëve; dyshja e vjetër nuk do të ishte faktor, por do të ishin aktorë në rënie të lirë. Sot Edi Rama po i jep atyre oksigjen nga mazhoranca dhe rezervuari i oligarkëve. Sepse ndryshe, është e qartë, vetëm me ligjin e inercisë, edhe Edi Rama e mazhoranca e tij do të ishte në rënie të lirë. Madje një ‘kovë pusi’!/Pamfleti
Lini një Përgjigje