
Fokusimi tek mbrojtja evropiane do të sillte një ndryshim të paradigmës, një distancim të madh me historinë e integrimit evropian...
Nga e thëna në të bërë ekziston në mes një det i tërë...Përballë një mjedisi ndërkombëtar gjithnjë e më të rrezikshëm, dhe me mundësinë që Shtetet e Bashkuara të mos garantojnë më në të ardhmen mbrojtjen ushtarake të Evropës, instinkti i mbijetesës duhet t’i nxisë evropianët të investojnë në sigurinë e tyre, për të ndërtuar mbrojtjen e përbashkët aq shumë herë të përmendur vitet e fundit.
Kjo mbrojtje që do të kërkojë (dhe pse jo vetëm) një ushtri evropiane. Por ata që janë dakord me këtë, e kanë për detyrë të identifikojnë pengesat që e bëjnë të vështirë arritjen e synimit. Disa prej tyre janë të kohëve të fundit. Kështu, derisa Gjermania dhe Franca të kenë kapërcyer vështirësitë e tyre të brendshme, procesi i integrimit evropian do të mbetet i bllokuar.
Në këto kushte, qëllimet ambicioze si ai i mbrojtjes duken aktualisht të paarritshme. Megjithatë, pengesat kryesore janë të vjetra dhe me rrënjë të thella. Ato kanë të bëjnë nga njëra anë me natyrën e Bashkimit Evropian, dhe nga ana tjetër me funksionimin e demokracive që janë pjesë e tij.
Le të shqyrtojmë pak natyrën e bllokut: zgjedhja për të krijuar një ushtri evropiane, do të nënkuptonte një “ndryshim paradigme”, një revolucion. Tema e mbrojtjes ushtarake, ka tipare që e dallojnë qartë nga të gjitha temat e tjera në axhendën e sotme evropiane: migracioni, lufta kundër ndryshimeve klimatike, etj.
Dhe t’i japësh sot jetë mbrojtjes evropiane, do të nënkuptonte një ndërprerje radikale me mënyrën e të qenit të Evropës që nga Traktatet e Romës (krijimi i Komuniteteve Evropiane në 1957) e tutje. Këto traktate u firmosën pas dështimit (në vitin 1954) të projektit të Komunitetit Evropian të Mbrojtjes (EDC), përpjekja e parë dhe e vetme për të krijuar një Evropë sovrane.
Pra jo ushtri, jo sovranitet. Pas atij dështimi, mbështetësit e integrimit ndryshuan drejtim dhe perspektivë: nëse nuk ishte e mundur të krijohej një Evropë sovrane, atëherë ata duhej të fokusoheshin sërish tek integrimi ekonomik. Duke lënë mënjanë, së bashku me EDC, edhe aspiratat e tij sovraniste, Komuniteti Evropian (më vonë Bashkimi Evropian) u bë një ndërmarrje e suksesshme.
Integrimi solli përfitime të rëndësishme për Evropën, favorizoi modernizimin e ekonomive dhe të jetës shoqërore. Njëkohësisht, ombrella ushtarake amerikane i dha mundësi evropianëve të mos shpërndanin shumë burime për mbrojtjen, dhe t’i investonin ato në sistemet e tyre të shtrenjta të mirëqenies sociale.
Por sot, fokusimi tek mbrojtja evropiane do të sillte një ndryshim të paradigmës, një distancim të madh me historinë e integrimit evropian.
A mund të imagjinoni ndonjë gjë më të vështirë se sa kjo? Pastaj janë pengesat që kanë të bëjnë me funksionimin e demokracive evropiane. Nëse votuesit nuk e duan, nuk do të ndodhë asgjë. Deri më tani votuesit e vendeve kryesore evropiane, nuk kanë treguar asnjë shenjë se duan të heqin dorë nga shteti kombëtar.
Është e lehtë të drejtohet gishti tek të ashtuquajturit sovranistë dhe tek lëvizjet anti-evropiane. Por është një fakt, që pas pushtimit rus të Ukrainës, kancelari gjermane shpalli një plan riarmatimi shumë ambicioz, dhe jo një investim gjerman në mbrojtjen e përbashkët evropiane.
Me sa duket qasja e Scholz ishte në harmoni me ndjeshmërinë e votuesve të tij. Dhe presidenti francez Macron, aq shumë i përkushtuar për ta mbështetur kauzën e integrimit evropian, nuk ka ëndërruar ndonjëherë të vërë armët bërthamore franceze në dispozicion të mbrojtjes së gjithë Evropës.
Nuk ka gjasa që nëse do të kalonim nga të thënit në të bërë (pra nëse do të investonim masivisht në mbrojtje), kjo nuk do të ofendonte ndjeshmërinë e një pjese ndoshta të rëndësishme të botës katolike. Ka të ngjarë, që do të shfaqej një rezistencë e fortë kundër asaj që do të denoncohej menjëherë si “militarizmi i ri” i Evropës.
Historia e integrimit evropian nga njëra anë, dhe orientimet e opinionit publik nga ana tjetër, e bëjnë të vështirë krijimin e një mbrojtjeje të vërtetë dhe të qëndrueshme evropiane në të ardhmen e afërt (që realisht mund të jetë vetëm pjesa evropiane e NATO-s).
Përveçse, nëse Evropa nuk përballet me një kërcënim vdekjeprurës, të njohur menjëherë si të tillë nga shumica e votuesve evropianë. Nëse do të ndodhte kjo, evropianët do të ndaheshin midis një pjese që është e gatshme të përgatisë një mbrojtje evropiane kundër kërcënimit, dhe një pjese tjetër të gatshme t’i dorëzohet diktateve të autorit që bën kërcënimin.
Sot për sot nuk është e mundur të parashikohet, se cila nga të dyja palët do të dominojë mbi tjetrën. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje