Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Si i mbuloi Rama milionat e Kanye West
I ktheu në “Fondin Rezervë” duke ia marrë Arsimit dhe Bujqësisë
Pagesa e kryer në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit "Për buxhetin e shtetit" u bë objekt i protestës, i mediave prestigjioze ndërkombëtare, i një padie në Gjykatën Kushtetuese për të anuluar Aktin Normativ dhe objekt i një kallëzimi penal në SPAK.
Ditën e hënë, menjëherë pas këtyre reagimeve dhe veprimeve ligjore në organet e drejtësisë, Edi Rama, që e di se ka kryer "krim financiar" kundër buxhetit të shtetit dhe fondit të emergjencave, ka nxituar të shmangë barrën e përgjegjësisë administrative e penale, me një abuzim tjetër.
Informacioni i ardhur në "Pamfleti" nga burime brenda Ministrisë së Financave bën me dije se kryeministri Edi Rama i ka dhënë urdhër ministrit Petrit Malaj të krijojë mundësi urgjente për të zëvendësuar në rezervën e shtetit fondet që dhuroi për koncertin e këngëtarit Kanye West.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka filluar të zbatojë me urgjencë urdhrin e kryeministrit, duke bashkëpunuar me ministren Mirela Kumbaro dhe ministrin Andis Salla, duke bërë një mashtrim financiar me fondet e këtyre dy ministrive.
Ditën e martë, është kryer procedura për të kaluar në Fondin Rezervë të Shtetit për zërin "Emergjencat" vlerën 5 miliardë lekë të vjetra, konkretisht, 2.2 miliardë lekë të transferuara nga Ministria e Arsimit dhe 2.8 miliardë lekë nga Ministria e Bujqësisë.
Ndërkohë që protestat vazhdojnë
Jepet për kulla Fusha e Aviacionit; 65% të sipërfaqes së ndërtimit e përfiton private
Ndërkohë që protestuesit deklaruan se do të vazhdojnë protestën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, ky vazhdon dhurimin e pasurive shtetërore, duke vendosur që pas pushimeve, muajin shtator ta fillojë me një pazar tjetër.
Drejtoresha e Korporatës së Investimeve Shqiptare, Elira Kokona, më 9 korrik 2026, ka publikuar Njoftimin Nr. 334/7, për tjetërsimin në shesh ndërtimi kullash të Fushës së Aviacionit në Tiranë dhe objekteve të bazës së helikopterëve civilë.
Në njoftim thuhet se në truallin 7940 m² të Fushës së Aviacionit do të zbatohet projekti i investimit të emërtuar: "Korpusi i institucioneve të pavarura dhe qendra për zhvillimin multifunksional", nëpërmjet sipërmarrjes shtet-privat.
Ky projekt parashikon ndërtim kullash me hapësira për banim, biznese, hoteleri, zyra e parkim privat, dhe hapësira shërbimesh publike me zyra për Avokatin e Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Komisionin e Prokurimit Publik.
Me pazarin paraprak që kryeministri Edi Rama ka bërë me privatët për truallin e Fushës së Aviacionit me sipërfaqe 7940 m², është vendosur që 35% të sipërfaqeve të ndërtimit t'i marrë shteti, ndërsa 65% të sipërfaqeve t'i marrë privati.
Vodhi 500 mijë € në banesën e Alda Klosit
Rozeta Dobi përfiton nga Amnistia Penale
Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash nga banesa e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi, është liruar këtë të mërkurë nga burgu i grave në Pojskë, pasi përfitoi nga amnistia penale e miratuar së fundmi.
Dobi u bë e njohur për publikun në fillim të vitit 2023, kur u arrestua nën akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa e Alda Klosit, ku punonte si pastruese prej disa vitesh.
Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan se shumat e përfituara nga vjedhja ishin edhe më të mëdha. Në kontrollin e banesës së Dobit, policia sekuestroi 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri të fshehura në tubin e aspirimit. Po ashtu, u sekuestruan edhe 58 150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë, si dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me paratë e përfituara nga vjedhja.
Çështja mori jehonë të gjerë publike jo vetëm për shkak të shumave të mëdha të parave të sekuestruara, por edhe për hetimet që u zhvilluan mbi burimin e këtyre parave. Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi është liruar nga burgu, duke përfituar nga amnistia penale.
Përfitoi nga amnistia, ish i dënuari
Ma ka bërë një oficer OPGJ-je, s’m’u lejua të takoj fëmijën tim 3 vjeçar!
Besmir Gjezari, i dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, është liruar këtë të mërkurë nga burgu, pasi përfitoi nga Amnistia Penale.
Menjëherë pas daljes nga institucioni i vuajtjes së dënimit, ai deklaroi se është dënuar padrejtësisht dhe se do të ndërmarrë hapa ligjorë për të kërkuar drejtësi lidhur me çështjen e tij.
Gjezari tha se ishte dënuar me pesë vite burg, ndërsa kishte vuajtur dy vite e shtatë muaj të dënimit. Ai pretendoi se nuk është kapur me lëndë narkotike dhe se përgjegjës për situatën e tij është oficeri i Policisë Gjyqësore, Mariglen Beqo.
“Unë jam akuzuar për lëndë narkotike, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Jam dënuar me pesë vite burg. Vuajta dy vite e shtatë muaj. Dhe unë nuk jam kapur me asnjë lloj gjëje. Jam dënuar padrejtësisht nga ana e Prokurorisë së Korçës dhe Gjykatës, dhe këtë e kam nga oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. E ka me tendencë. Nga ai u nis ajo.
Dhe më ka marrë dhe familjen në qafë ai dhe kam dy vite e kusur këtu që nuk po takoj dot familjen time. Do ta kërkoj drejtësi dhe kjo është vetëm fillimi. Sa kam dalë, do t’i nis të gjitha gjërat nga e para.”, tha ai.
Po ashtu, Gjezari pretendoi se gjatë kohës së qëndrimit në burg nuk i është lejuar të takojë familjarët dhe fëmijën e tij të mitur. Ai foli edhe për presione dhe kërcënime, që sipas tij janë ushtruar ndaj tij dhe familjes.
“Nuk i kam takuar familjarët se nuk i ka lejuar prokuroria. I gjithë ndikimi ka qenë oficeri i policisë gjyqësore. Më është hequr padrejtësisht edhe e drejta e takimit të fëmijës së mitur, të moshës 3 vjeçare dhe e kam lënë gati një vit, një vit e pak, dhe nuk e kam takuar, nuk e kam parë nga padrejtësitë që më ka bërë oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo.
Ai ka marrë dhe presion e kërcënime nga njerëz të drejtësisë, dhe ndihem shumë i kërcënuar dhe i rrezikuar, si unë dhe familja ime. Jam i kërcënuar me jetë, si unë dhe familja ime. Më kanë kthyer gjëra personale. Për çfarë atë e di oficeri i policisë gjyqësore, se unë nuk e di dhe nuk e kuptoj akoma përse, arsyen.
Të mos takosh dot familjen dy vjet e kusur këtu, ta kem 2 km larg murit, nuk ka bërë vaki. Dhe të më hiqet e drejta e fëmijës padrejtësisht se ndikon oficeri i policisë gjyqësore. Për çfarë arsye? Atë e di ai, dhe këtë do ta kërkojmë me drejtësinë. Jam familjar, kam një fëmijë të mitur, kam një biznes timin, dhe dua t’i përkushtohem familjes.”, shtoi ai.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje