Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, deklaroi në Komisionin për Nismat Ligjore se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka nevojë për më shumë hetues, por theksoi se prioritet mbetet konsolidimi i institucionit dhe zgjerimi i funksioneve të tij.
Sipas Brahos, vizioni i përbashkët me drejtorin e BKH-së nuk është vetëm shtimi i numrit të hetuesve, por edhe forcimi i strukturës dhe kapaciteteve teknike të institucionit. Ai shtoi se aktualisht nuk është momenti për të diskutuar zgjerimin e ambienteve të BKH-së, duke e cilësuar një hap të tillë si të parakohshëm. Megjithatë, Braho theksoi se kjo nuk e pengon Byronë të zhvillojë veprime hetimore në të gjithë territorin e Shqipërisë.
"BKH-ja për momentin ka nevojë të konsolidohet më tej me numër të tjerë hetuesish, por jo thjesht me shtim hetuesish. Vizioni ynë është që të shtohen edhe funksione të tjera të BKH-së. Institucioni duhet të jetë funksional 100% me të gjitha mundësitë që parashikon ligji dhe me kapacitetet teknike që mund të ndërtojmë. Mund të vijë një moment që mund të ketë nevojë për zgjerim të zyrave, por mendoj që është herët, është e ngutshme. Por kjo nuk e ndalon BKH-në që të kryejë veprime hetimore në çdo pjesë të territorit të vendit", u shpreh Braho.
Lini një Përgjigje