Editorial15 Prill 2024, 14:05

Legjenda e konfliktit mes çiftit Meta-Kryemadhi dhe lufta në Partinë e Lirisë!

Shkruar nga Pamfleti
Legjenda e konfliktit mes çiftit Meta-Kryemadhi dhe lufta në
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Me fjalë të tjera fabul interesante pas hetimetve të SPAK që kanë shkundur një parti që s’ka qenë asnjë herë e tillë, madje as familje. Ishte më shumë se një shoqëri aksionere, ku tani ka plasur sherri për pronësinë e tyre…


Shumë legjenda e thashetheme janë hapur pas sherrit publik që Ilir Meta bëri me gruan e vet dhe njerëzit e saj në parti, pasi në selinë e rrugës Sami Frashëri, pati një sherr me grushta para disa ditësh. E pas kësaj, Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Metës, hodhi një fjalë në Parlament, që nuk ishte pa domethënie.

Ajo, duke ju drejtuar Olta Xhaçkës, meqë po diskutohej për mandatin e saj, pasi akuzohet se është në konflikt interesi për shkak të të shoqit, tha se “ne jemi viktima të burrave tanë”. Një frazë krejt direkte drejtuar Ilir Metës, me të cilin Monika ka qenë partnere e afërt politike për 33 vjet.

E për parantezë, këtu ka pasur gjithmonë kuriozitet, se pse e shoqja e Ilirit nuk e mori asnjëherë mbiemrin e burrit, gjë të cilën e bëjnë shumica e bashkëshorteve në Shqipëri. Jo vetëm tek ne në fakt, pasi edhe në Kosovë, ku duket se ka një traditë tjetër, gratë e njohura, edhe pse martohen, mbajnë të dy mbiemrat. Shembull: Luljeta Pula Beqiri, Afërdita Serraqini Këlmendi.

Megjithatë, përtej këtij detaji anagrafik, në selinë e lyer me të kuqe, te ish-Mapo 6, më pak se dy javë më parë ka plasur grushti.

Pasi Ilir Meta dhe njerëzit e sjellë nga ai pasi la presidencën, morën postet e njerëzve që kishte emëruar Monika kur drejtonte LSI-në.

Madje Meta, në takimet e zhvilluara këto ditë, po i sulmon fort të gjithë përkrahësit e gruas së tij, duke i cilësuar si jo të aftë e jo të devotshëm për të luftuar. Ndokush, si përshembull, kryetari i LRI-së Endrit Brahimllari, që nga shumë thirrej si “sozia e Likes”, ju përgjigj edhe flakë për flakë, pas akuzave për tradhëti të opozitës.

Ky konflikt që shpërtheu sot në LSI kishte kohë që ziente, e nisi që me ardhjen e Monikës në krye të partisë në 2017-n, kur ajo mënjanoi të gjithë njerëzit e afërt të burrit të saj.

Madje një numër i madh prej tyre ikën nga LSI-ja dhe ju bashkuan avash- avash PS-së. Meta, mësohet se nuk ka qenë dakord që të sulmohen Lefter Koka, Nasip Naço, apo edhe të tjerë deputetë të LSI-së që u futën me listat rezervë pas djegies së mandateve, e më pas u bashkuan me mazhorancën. Që nga Agron Çela, Alqi Bllako, Edmond Rrushi, Aurora Mara etj që tashmë janë pjesë të PS-së. Por edhe të tjerë si Përparim Spahiu, i vëllai i tij që ka qenë drejtor i DSHPRR, që sa ishte Monika nuk ju qasën seriozisht partisë.

Megjithatë, kjo marrëdhënie më shumë se politike është taraf i pastër, pasi të gjithë kanë pasur një relacion përtej politikës me Ilir Metën. Sipas posteve që u ndanë, ku kishin përfitime të mëdha, të cilat Monika nuk ua njohu.

Nga ana tjetër, ka zëra që flasin për një marrëdhënie më të gjerë të këtij tarafi për ndarje e marrëveshje parash, të cilat duket, gruaja e kryetarit të PL-së nuk i ka njohur se s’ka parë gjë në dorë. E siç thotë anektoda, nëse nuk sheh gjë, ajo të lëshon qenin.

Megjithatë, e gjitha ka të bëjë me dy hetimet e SPAK për origjinën pasurore të familjes së Ilir Metës, si dhe atë të lobimit në SHBA, ku personi kyç që ka firmosur në dokumente është Petrit Vasili i cili është thirrur në SPAK, por që sot nuk e kemi parë askund pranë Ilir Metës. Atij nuk i ka dhënë asnjë post, e më shumë se në seli, ai rron bashkë me dy miq të tjerë të përjashtuar, në kafet rrotull selisë.

Shenja më e fundit e Vasilit ishte një koment te faqja e Ilir Metës kur ky ishte në stadiumin e Rrogozhinës. Ish-shefi i tij, që ka marrë qejf t’i përgjigjet çdokuj e t’i kërkojë numrin e telefonit, Vasilit as nuk ja vari.

Me fjalë të tjera fabul interesante pas hetimetve të SPAK që kanë shkundur një parti që s’ka qenë asnjë herë e tillë, madje as familje. Ishte më shumë se një shoqëri aksionere, ku tani ka plasur sherri për pronësinë e tyre… / Pamfleti

kryemadhi meta pl