Editorial14 Prill 2024, 09:00

Kush është lobi që shpëtoi Ilir Metën nga 'Non Grata' e SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Kush është lobi që shpëtoi Ilir Metën nga 'Non

Sa mund të zgjasë ky ngazëllim i Ilirit, kjo nuk dihet, se në fund kemi të bëjmë thjesht me lëvizje të një personazhi komiko-tragjik si oficeri me qyrk kleriku.

Është folur shumë këto ditë se çfarë ka Ilir Meta që hip nëpër hekura e bën kalamanllëqe sikur është në klasë të 6 fillore.

Edhe pse të themi të vërtetën, zakonin e nisur në vitin e fundit të presidencës, rakinë, nuk e ka ndaluar. Në një takim para pak ditësh me skraparlinjtë në hotel ‘Tirana’, ishte thuajse xurxull, e fjalët i nxirrte me rruaza nga e bekuara e kazanit.

Në një nga videot që Meta ka publikuar me shumicë këto ditë, a thua se është një nga këto bukuroshet e instagramit, ishte ajo ku doli në makinë me Erisa Xhixhon.

Në atë video, Likes i ndrisnin ato pak qime që i kanë mbetur dhe nuk e mbante gëzimin. Siç e tha edhe ai vetë, po shkonte për Bajram te Baba Mondi në kryegjyshatë.

I veshur me kollare, Meta nuk shkoi në një qokë për të marrë karamelen e klerikut oficer, por për një drekë zyrtare të shtruar nga ai.

Në drekë merrnin pjesë edhe i ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë, David Wizner dhe ambasadorja e Izraelit në Tiranë. Ishin edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare dhe personazhe të njohura. Meta ishte i gëzuar për këtë event, pasi miku i tij me qyrkun bardh e jeshil si uniforma e Celtikut, i kishte thënë se diplomatët nuk kishin vënë veto për praninë e tij.

Nuk është pak për ish-Presidentin që pati thatësirë të plotë diplomatike kur drejtoi shtetin, apo edhe më vonë kur mori partinë e tij, së cilës i ndryshoi emrin.

E këtu fillon kjo mesele, e cila nuk është kaq e thjeshtë. Pasi mësohet nga burime diplomatike në Tiranë, se Baba Mondi, ka qenë njeriu dhe kryelobuesi që i ka pezulluar Non Gratën Ilir Metës, e cila ishte gati në vitin 2021.

Duket si një histori qesharake, por në realitet ka një prapaskenë më të besueshme.

Kreu i sektit, që është formalisht edhe kryetari botëror i bektashinjve, është prej kohësh një kanal i rëndësishëm komunikimi i Izraelit dhe amerikanëve me Iranin dhe korridoret e rëndësishme shiite në Lindjen e Mesme.

Më shumë se klerik, oficeri nga Vlora është një 007 në kuptimin e vërtetë të fjalës, i cili ka qenë dhe është aktiv në kontaktet, të cilat i shërbejnë qeverive Perëndimore por edhe Izraelit me botën armike të saj.

Marrëdhëniet e Baba Mondit me ambasadën izraelite në Tiranë kanë qenë shumë të ngushta.

Kjo ka sjellë jo vetëm xhelozi, por edhe inat të madh nga Turqia. Prej kohësh, qarqet politike dhe mediatike, por edhe klerikale që financon Erdogani në Tiranë, po e sulmojnë egërsisht Baba Mondin, si njeriu që mban në këmbë gylenistët e KMSH-së.

Siç dihet, në ambasadën turke në Tiranë, ka selinë e saj edhe korpusi diplomatik i Iranit, që u rikthye pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, me një marrëveshje mes Ankarasë dhe Tiranës.

Erdogan, tre vjet më parë, ka tentuar të afrohej me Ilir Metën, duke i ofruar një pakt me Baba Mondin për të rrëzuar klerikët e KMSH-së që ai i quan gylenistë, por që më pas u prishën keqas.

Kjo ka sjellë një inat të madh të divanit të sulltanit, i cili ka hapur fjalë në xhematin e tij në Tiranë, se së shpejti do të botojë “fermanë” nga allishverishet e Likes me Baba Mondin. Allishverishe, që erdoganistët e Tiranës, i kanë përkthyer si marrëdhënie pronash dhe biznesesh. Që do të thotë se një pjesë të pasurisë e ka të fshehur në regjistrat jeshilë klerikalë. Ndaj dhe i pëlqejnë ngjyrat e Celltikut.

Burimi diplomatik, bëri të ditur, se edhe lojërat për të sulmuar Monikën, njerëzit e saj, si dhe salltanetet e gruas së vet, Ilirit ja ka këshilluar kryegjyshi lab, i cili njihet si një nga intrigantët më të rëndësishëm të lojërave të pushtetit në Tiranë.

Sa mund të zgjasë ky ngazëllim i Ilirit, kjo nuk dihet, se në fund kemi të bëjmë thjesht me lëvizje të një personazhi komiko-tragjik si oficeri me qyrk kleriku. Por kur tjetri është në ditë të zezë, nuk se ka ndonjë rrugë tjetër. Përtej anës qesharake të kësaj historie, erdoganistët kanë nisur prej ditësh një denigrim, duke u përqëndruar tek armiku i tyre që është Izraeli.

Dhe kanë akuzuar fort kreun e KMSH dhe Baba Mondin se janë miq të Izraelit. Megjithatë, kjo nuk është ndonjë gjë e re, pasi ka vite që i bihet ujit në këtë havan. E reja në këtë rast është se kryegjyshit i kanë çuar selam nga divani i Dollmabaçesë, se do të nxjerrin dokumentet e allishverisheve të pronave me Ilir Metën dhe personazhe të tjerë të rëndësishëm në vend, duke nisur nga bregdeti shqiptar.

Zëra që kanë dalë prej vitesh, madje mësohet se ka pasur edhe denoncime konkrete./Pamfleti

ilir meta non grata shba