Izraeli dhe Irani ndezin luftën për të mbuluar skandalet dhe për të shpëtuar regjimet; popujt paguajnë çmimin me gjak dhe varfëri…
Tre netë, dy shtete, një rajon që rënkon. Ajo që nisi si një luftë e heshtur mes dy armiqve të vjetër; Izraelit dhe Iranit, është kthyer në një betejë të hapur me raketa, drone, sabotazhe dhe viktima civile. E ndërsa bombat bien mbi Teheranin industrial dhe sirenat ulërijnë në Tel Avivin modern, pyetja të mundon: Kujt i shërben kjo luftë tani?
Kur raketat dhe zjarret bërthamorë përflakin horizontin e Lindjes së Mesme, nuk jemi në një skenar filmi. Jemi në qershorin e vitit 2025, dhe historia po përsëritet me rrëmbim dhe zhurmë: Irani dhe Izraeli po luajnë aktin e radhës të një lufte që në pamje të parë duket ideologjike, por në thelb është thjesht politike.
Benjamin Netanyahu, lideri më i vjetër në pushtet në Izrael, po përpiqet të shpëtojë lëkurën në prag gjykimesh dhe skandalesh. Ai zgjodhi të lëvizë forcat ajrore mbi Teheran si diversion nga ajo që po ndodh në rrugët e Tel Avivit. Nga ana tjetër, regjimi iranian i pas-Khameneit, me popullsinë në rrugë për bukë dhe me një sistem ekonomik në kolaps nga sanksionet, i duhej një armik i jashtëm që të mobilizonte nacionalizmin e brendshëm. Asgjë nuk bashkon më shpejt se frika dhe urrejtja.
Rezultati? Mbi 400 të vrarë, qindra të plagosur, qytete në terr dhe sirena lufte në çdo qoshk të Izraelit dhe Iranit. Misionet diplomatike janë pezulluar, inspektorët e OKB-së janë shpallur "persona non grata", dhe çmimi i naftës po fluturon. Çdo raketë që bie, çdo bazë që digjet, çdo fémijë që humb jetën, është pjesë e një llogarie politike në kokën e liderëve që nuk kanë më asgjë për të humbur.
Ndërsa SHBA dhe BE luajnë rolin e "shqetësuarit aktiv", të pafuqishëm për të ndaluar zjarrin por të zellshëm në deklarata; Rusia dhe Kina po presin në heshtje. Sa më shumë zjarre ndez Lindja e Mesme, aq më pak dritë bie mbi luftën në Ukrainë apo mbi Tajvanin e rrezikuar.
Kjo nuk është një luftë në emër të Zotit, as në mbrojtje të civilizimeve. Çdo justifikim biblik apo koranik që i vishet kësaj lufte, është një maskë për tmerrin politik. Kjo është lufta e fundit e dy liderëve që po bien. Dhe si çdo perëndim politik, po bëhet i dhunshëm, i verbër dhe zjarrvënës.
Popujt janë ata që paguajnë faturën: me jetët e tyre, me çmimet e shportës, me humbjen e sigurisë. Ndërsa lidershipet luajnë me zjarrin, ne të tjerët duhet të jemi vigjilentë ndaj valës që mund të na zërë nesër. Sepse kur dëgjon sirenat në Haifa dhe shikon tym në Teheran, dije se nuk je aq larg sa mendon./Pamfleti
Lini një Përgjigje