TAGS-AT E JAVËS

Editorial12 Mars 2026, 10:52

Një dështim epik!

Shkruar nga Freddy Gray
Një dështim epik!
Karikatura e Donald Trump /

Në përpjekje për të projektuar forcë absolute përmes sulmeve ajrore dhe tarifave, Donald Trump po përballet me një realitet të hidhur: rritja e çmimit të naftës dhe kaosi në Lindjen e Mesme po kërcënojnë stabilitetin e tij të brendshëm. Strategjia e paparashikueshmërisë po kthehet në një bumerang politik për administratën e tij…

“Donald Trump është një person i ndërlikuar me ide të thjeshta” - thoshte dikur Kellyanne Conëay. Kjo mbetet formula më e saktë për të deshifruar presidentin e 45-të dhe të 47-të të SHBA-së.

Ndërsa personaliteti i tij i trazuar prodhon kaos të vazhdueshëm, busulla e tij politike ka mbetur e palëkundur: mbrojtja e tregtisë amerikane, detyrimi i aleatëve të NATO-s për të paguar faturat e mbrojtjes dhe asgjësimi i terrorizmit.

Megjithatë, kur vjen puna te zbatimi i këtyre ideve, shfaqet ana e tij më komplekse. Trump beson te një koktej i çuditshëm mes frikësimit dhe diplomacisë, mes luftës dhe paqes. “Ne amerikanët duhet të jemi të paparashikueshëm!”- paralajmëroi ai që në vitin 2016.

Sot, administrata e tij e dytë e ka shndërruar “teori e të çmendurit” në një doktrinë operative. Për të lëkundur sistemin financiar, ai përdori si çekan tarifat tregtare; për t’u treguar narko-shteteve se nuk bënte shaka, rrëmbeu Nicolas Maduron; ndërsa për të trembur NATO-n, kërcënoi me aneksimin e Groenlandës.

Por asgjë nuk krahasohet me atë që po ndodh tani në Lindjen e Mesme. Operacioni ”Epic Fury”, sulmi i tij frontal ndaj Iranit, ka nxjerrë në pah kufijtë e fuqisë së Amerikës. Një president i guximshëm me ushtrinë më të fuqishme në histori mund të shkatërrojë objektiva, por ai nuk mund të diktojë çmimin e naftës apo të kontrollojë instinktin e mbijetesës së një regjimi armiqësor.

“E dija që çmimet e naftës do të rriteshin...”- deklaroi Trump këtë të hënë, me një trimëri që nuk tingëllonte fort bindëse. Fiksimi i tij i madh ka qenë gjithmonë ulja e çmimit të karburantit për votuesit amerikanë, por lufta me Iranin po prodhon efektin e kundërt.

Në Mar-a-Lago, këshilltarët dhe donatorët ia bënë të qartë: rritja e çmimit të naftës sjell inflacion, dhe inflacioni largon vota. Kjo shpjegon edhe arsyen pse Trump kaloi brenda natës nga kërkesa për “dorëzim pa kushte” në premtimin se ky “ekskursion” do të përfundonte shumë shpejt.

Megjithatë, fushata për zgjedhjet e mesit të mandatit ka nisur dhe strategët republikanë e dinë se lufta nuk është një mesazh fitues. Trump u përpoq të qetësonte tregjet duke premtuar siguri në Ngushticën e Hormuzit, por mesazhet e tij në rrjetet sociale - ku kërcënonte Iranin me goditje “20 herë më të forta” - vetëm sa e shtuan tensionin.

Kur Sekretari i Energjisë, Chris Wright, postoi një video të anijeve luftarake amerikane që shoqëronin një cisternë, çmimi i naftës ra për momentin, por fshirja e menjëhershme e videos dhe sulmet e reja ndaj anijeve në brigjet e Omanit e rikthyen pasigurinë.

Kriza ka nxjerrë në pah edhe mosmarrëveshjet me Izraelin. Kur avionët izraelitë bombarduan 30 pika nafte iraniane, Pentagoni reagoi me zemërim. “Ky nuk ishte domosdoshmërisht objektivi ynë” - u shpreh Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, duke treguar se është i dobët koordinimi mes Uashingtonit dhe Tel Avivit.

Trump dhe Netanyahu kanë vënë bast për shembjen e regjimit të Teheranit, por deri tani, Irani nuk po jep asnjë shenjë dorëzimi. Siç vëren Jennifer Kavanagh nga Defense Priorities, Irani po aplikon një strategji me kosto të ulët por me ndikim të lartë global.

Mjafton të lëshojë disa dronë për të mbyllur aeroportet rajonale dhe për të goditur infrastrukturën energjetike, duke e mbajtur Trumpin “të bllokuar në një cep”. Iranianët e

kanë quajtur përgjigjen e tyre “Operacioni i Çmendur”, duke përdorur logjikën se e vetmja mënyrë për të luftuar çmendurinë është të jesh edhe më i çmendur se kundërshtari.

Problemi me këtë lloj përballjeje, është se nëse Amerika dhe Izraeli nuk mund të imponojnë një ndryshim regjimi, ata thjesht po “kositin barin”. Dhe me fanatikët islamikë, sa më fort që të kositësh, aq më të shumë rriten ata.

Në Venezuelë, zëvendësimi i Maduros me Delcy Rodriguez dukej se funksionoi, por në Iran, vrasja e Khameneit dhe bashkëpunëtorëve të tij ka prodhuar një strukturë edhe më radikale dhe të decentralizuar. Teherani ka emëruar djalin e Khameneit, Mojtaba, si Udhëheqës Suprem -  një figurë edhe më pak e prirur për kompromis.

Kjo do të thotë se mund të jenë hedhur në erë rrugëdaljet diplomatike nga kjo krizë. Strategjia e “realizmit fleksibël” e Donald Trumpit po duket gjithnjë e më shumë si një dështim epik. Ai do të përpiqet të shpallë fitoren dhe të kthejë anijet në shtëpi, por historia mund ta gjykojë ndryshe.

Trump po përgatit tashmë justifikimin zyrtar: ai u detyrua të vepronte sepse Irani ishte gati të ndërtonte bombën bërthamore. Dhe si gjithmonë, përgjegjësia do t'u mbetet këshilltarëve – Jared Kushner, Steve Witkoff, Pete Hegseth dhe Marco Rubio.

“Shtetet e Bashkuara e konsideruan të patolerueshme situatën” - tha ai, duke lënë të kuptohet se thjesht dëgjoi njerëzit e tij. Megjithatë, mbështetësit e tij më besnikë po pyesin pse ai injoroi zërat e kujdesshëm dhe dëgjoi “skifterët” e vjetër si senatori Lindsey Graham.

Kjo luftë e ka tronditur lëvizjen MAGA. Qarkullojnë zëra për dorëheqjen e shefes së stafit, Susie Wiles, dhe po bie në sy heshtja e J.D.Vance, i cili filozofikisht është kundër ndërhyrjeve të tilla.

Trump thuhet se po bën sondazhe mes të ftuarve të tij në Mar-a-Lago se kush do të ishte pasardhës më i mirë: Vance apo Rubio? Ky interesim për pasardhësin, sugjeron se ai mund të jetë duke humbur entuziazmin për punën.

Në vend të një viti 2026 plot festime për 250-vjetorin e themelimit të Amerikës dhe Kupës së Botës, Trump e gjen veten të shpërndarë mes arkivoleve që kthehen në bazën ushtarake të Doverit dhe pyetjeve të vështira për gabimet e Inteligjencës Artificiale në fushën e betejës.

“Asnjë president tjetër nuk do të mund të bënte diçka nga ato që po bëj unë”- u mburr ai.

Dhe ndoshta ka të drejtë: asnjë president tjetër nuk do të dëshironte të gjendej në këtë pozicion./Përgatiti Pamfleti

një dështim epik

1 Komente

  1. T
    Tony

    Dikur perdorej shume fjala bimbo per tipa rrmbythje.

    Lini një Përgjigje

    Editorial