
Në një botë ku liderët flasin me gjuhën e kapitullimit dhe të varrit, diplomacia po mbytet nga retorika e luftës dhe njerëzimi rrezikon të paguajë çmimin e mendjeve të sëmura që luajnë me fatin e planetit...
Bota po rrëshqet me shpejtësi alarmante drejt një epoke ku diplomacia është zëvëndësuar me ultimatume, me kërcënime dhe me logjikën brutale të forcës.
Në vend të tavolinave të negociatave, po shohim tribunat e luftës; në vend të gjuhës së arsyes, po dëgjojmë retorikën e kapitullimit. Kjo është koha e çmendur e ultimatumeve; kohë ku politika ndërkombëtare po drejtohet nga nerva të tensionuara, ego të sëmura dhe kalkulime të rrezikshme që mund të çojnë botën në një katastrofë të re.
Ultimatumi për “dorëzim pa kushte” ndaj një shteti sovran nuk është diplomaci. Është një gjuhë që i përket librave të historisë së luftërave botërore, jo epokës së globalizimit dhe të ndërvarësisë. Është gjuha e përplasjes totale, e përçmimit ndaj dialogut dhe e një mentaliteti që e sheh luftën si instrument normal të politikës.
Në momentin kur politika fillon të kërkojë kapitullime, diplomacia ka vdekur.
Por drama nuk mbaron vetëm me ata që japin ultimatume.
Ajo vazhdon edhe me ata që përgjigjen me po aq patos teatral. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se “dorëzimi i Iranit është një ëndërr që armiqtë duhet ta marrin me vete në varr”. Një fjali që tingëllon heroike në titujt e mediave dhe në podiumet politike, por që në thelb është pjesë e së njëjtës tragjikomedi retorike.
Është e çuditshme se si në momentet më të rrezikshme të historisë, liderët fillojnë të flasin me një patetizëm dramatik që ngjan më shumë me monologë teatri sesa me gjuhën e përgjegjësisë shtetërore.
Njëri kërkon kapitullim pa kushte, tjetri përgjigjet me varre dhe ëndrra që do të vdesin me armiqtë. Dhe ndërkohë, në mes të kësaj gare retorike për heroizëm, harrohet gjëja më e rëndësishme: njerëzit që do të paguajnë çmimin real të këtyre fjalëve.
Kjo është ironia më e madhe e luftërave moderne. Ato fillojnë me fjali të mëdha dhe përfundojnë me varreza masive. Fjalët janë gjithmonë të guximshme në konferenca për shtyp, por realiteti i luftës është gjithmonë i njëjtë: qytete të shkatërruara, familje të copëtuara dhe një brez i tërë që rritet në hijen e traumës.
Historia na ka mësuar se luftërat nuk fillojnë vetëm nga interesat gjeopolitike. Ato shpesh lindin nga mendje të mbyllura, nga arroganca e pushtetit dhe nga një kombinim i rrezikshëm i frikës dhe krenarisë. Kur liderët fillojnë të besojnë se kundërshtari duhet të poshtërohet dhe jo të dëgjohet, kur kompromisi shihet si dobësi dhe jo si urtësi, atëherë rruga drejt katastrofës është e shtruar.
Sot po shohim pikërisht këtë moment. Një garë retorike ku secili kërkon të tregojë se është më i fortë, më i pamëshirshëm, më i vendosur për të mos lëshuar asnjë centimetër. Por historia e diplomacisë na mëson një të vërtetë të thjeshtë: asnjë konflikt i madh nuk është zgjidhur me ultimatume. Luftërat mund të imponojnë armëpushime, por vetëm diplomacia ndërton paqe të qëndrueshme.
Në këtë klimë histerie globale, njerëzimi po sillet sikur nuk ka mësuar asgjë nga shekulli i njëzetë. Dy luftëra botërore, miliona të vdekur, qytete të shkatërruara dhe një rend ndërkombëtar i ndërtuar pikërisht për të mos e lejuar më këtë çmenduri. Dhe megjithatë, sot, një shekull më pas, po dëgjojmë sërish fjalë që ngjajnë me ultimatume të viteve 1930, një retorikë që dikur e çoi botën drejt katastrofës.
Problemi më i madh nuk është vetëm lufta që po shpërthen. Problemi është normalizimi i saj. Lufta po trajtohet si një opsion politik i pranueshëm, si një instrument presioni diplomatik, si një mënyrë për të imponuar vullnetin mbi të tjerët. Kjo është shenja më alarmante e një sistemi ndërkombëtar që po degradon.
Sepse kur diplomacia dështon, nuk dështojnë vetëm politikanët. Dështojnë institucionet, dështojnë mekanizmat e sigurisë kolektive, dështojnë shoqëritë që i tolerojnë këto politika.
Ironia tragjike është se në një botë të armatosur me armë të shkatërrimit masiv, me teknologji që mund të zhdukë qytete brenda minutash, liderët vazhdojnë të flasin për luftë me një papërgjegjshmëri të frikshme. Është një paradoks i kohës sonë: sa më shkatërruese bëhen armët, aq më e lehtë retorika për përdorimin e tyre.
Kjo nuk është thjesht një krizë diplomatike. Është një krizë e arsyes. Një krizë e lidershipit global. Një krizë e një bote që duket se ka harruar se paqja nuk është një gjendje natyrore, por një ndërtim i brishtë që kërkon përpjekje, durim dhe kompromis.
Nëse ultimatumi bëhet norma e politikës ndërkombëtare, atëherë paqja përjashtohet. Dhe kur paqja bëhet përjashtim, historia ka treguar gjithmonë se çfarë vjen më pas.
Prandaj kjo është koha për të thënë qartë: bota nuk ka nevojë për ultimatume të reja. Ka nevojë për diplomaci. Ka nevojë për liderë që kuptojnë se fuqia e vërtetë nuk qëndron te aftësia për të nisur një luftë, por te mençuria për ta shmangur atë.
Sepse përndryshe, kjo kohë e çmendur ultimatumesh mund të bëhet preludi i një tragjedie që njerëzimi nuk do të mund ta përballojë./Pamfleti
Me ndjenje dhe i analizuar sakte. Uroj qe te lexohet prej atyre qe vendosin. Megjithëse ato qe vendosin...zakonisht nuk lexojnë.
Liria dhe pavarësia e një kombi është gjëja më e shtrenjtë që mund të imagjinohet për një popull.Në rastin e Iranit kjo liri e krenari për një popull me tradita shtetformuese 3000 vjeçare e krenari,po paguhet me çmimin më të shtrenjtë që mund të imagjinohet.Kusarët e planetit,po mbysin me gjak një popull që nuk ju ka asnjë borxh..Por ka dhe një ZOT që sheh çfarë bëjnë duart e kriminelëve mbi njerëzit e pafajshëm..Nga e marrin lejën kusarët e planetit që të mbysin në gjak popujt e vegjël..Ku humbi drejtësia.. Çfarë lloj civilizimi është kjo gjë që e ka emrin padrejtësi e krim ndaj njerëzimit..Në të vërtetë ky është fundi i mjerë e i keq i bijve të Adamit..Sa keq...????????????????
Pirdh ore pirdh! Dy rrugë ka, njëra është të ulësh kurrizin ,të marrësh fenë e pushtuesit dhe të bëhesh vasal i tij shpirtëror përveçse politik,kurse rruga tjetër është të mbrosh atdheun deri në vdekje..... "Kur fajëson njësoj agresorin dhe viktimën sigurisht je duke mbrojtur agresorin dhe agresionin "- shkruaje ti atëhere kur Rusia sulmoi pa provokim Ukrainën Kurse tani ,vetë ti,barazon agresorët amerikano-sionistë me deklaratat emocionale të dikujt në Iran!!!! Pse?
Po te realizohej kthimi i Iranit ne nje superfuqi atomike lufta do te ishte shume me e tmerrshme, sepse synimet e Iranik ishin per ta zhdukur Izraelin si shtet. Shkaterrimi i fuqise ushtarake te Iranit do te sjelle qetesi e paqe ne rajon.