Kryeministri kërkon integrimin në Bashkimin Europian, ruan linjë të fortë me Uashingtonin dhe mbështet aksin amerikan në konfliktet e Lindjes së Mesme; një diplomaci që duket më shumë si zanat pazari sesa strategji
Në politikën ndërkombëtare ekziston një rregull i vjetër që diplomatët e mëdhenj e kanë përsëritur prej shekujsh: vendet e vogla nuk bëjnë histori, por përpiqen të mos shtypen nga historia që bëjnë të tjerët. Brenda kësaj hapësire të ngushtë lëviz prej vitesh Edi Rama, por në vitet e fundit, kjo lëvizje është kthyer në një test të vërtetë për diplomacinë shqiptare.
Arsyeja është e thjeshtë: marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara të Donald Trump dhe Bashkimit Europian nuk është thjesht e ftohtë, por në disa plane; është e prishur. Në mes të këtij hendeku transatlantik, Shqipëria përpiqet të mbajë këmbët në tri varka njëherësh: atë të integrimit europian, atë të aleancës së patundur me Uashingtonin dhe atë të mbështetjes së aksit izraelit në Lindjen e Mesme.
A kemi të bëjmë me një strategji të shtetit, apo me zanatin e pazarit të një kryeministri që nuk do t'i mbyllet asnjë derë?
Linja e parë: Uashingtoni
Kur SHBA dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit, Rama reagoi menjëherë. Në një deklaratë publike, ai kërkon që "Trupat e Gardës Revolucionare Islamike" të shpallen organizatë terroriste dhe njofton se Shqipëria do ta bëjë këtë në mënyrë unilaterale, duke i ftuar edhe vendet europiane ta ndjekin . Në një moment kur shumica e qeverive europiane kërkojnë de-përshkallëzim dhe përmbajtje, Tirana zgjedh të rreshtohet hapur pas Uashingtonit dhe Izraelit.
Në janar të këtij viti, Rama mban fjalim në Knesset, parlamentin izraelit, dhe aty gjen rastin të krahasohet me presidentin amerikan: "Jam i dyti spiker ndërkombëtar pas Trump", deklaron ai, duke e lidhur veten drejtpërdrejt me figurën e presidentit republikan. Një muaj më pas, Elisa Spiropali firmos në Izrael marrëveshje bashkëpunimi dhe falënderon zyrtarisht shtetin hebre për njohjen e Kosovës, duke mbështetur "planin e paqes të Presidentit Trump" .
Kulmi i kësaj linje vjen me ftesën që Trump i dërgon Ramës për t'u bërë pjesë e "Bordit të Paqes", një nismë ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve. Qeveria shqiptare e cilëson ftesën si "nderi i tryezës evropiane" dhe një sukses historik diplomatik.
Megjithatë, kjo ftesë tregon më shumë për natyrën e diplomacisë së Ramës sesa për peshën reale të Shqipërisë. E njëjta letër, me të njëjtin tekst, i është dërguar të paktën 60 liderëve botërorë, përfshirë Aleksandër Lukashenkën e Bjellorusisë dhe udhëheqës të Vietnamit .
Është një ftesë copy-paste, rutinë, pa asnjë element të veçantë për Shqipërinë. Por në Tiranë u shit si një sukses historik, duke u bërë shplarje truri për qytetarët
Fakti që as vende të BE nuk e pranoi ftesën, tregon se skepticizmi ndaj nismave të Trump në Europë është i lartë. Por Rama zgjodhi të mos e shohë këtë.
Linja e dytë: Brukseli
Në të njëjtën kohë, kryeministri nuk mund të injorojë Bashkimin Europian. Shqipëria është në negociata për anëtarësim dhe Rama e di se çdo largim i dukshëm nga linja e përbashkët europiane mund të kushtojë.
Në forumin "Berlin Global Dialogue" të tetorit 2025, ai e quan anëtarësimin në BE "sfidë", por shprehet optimist se Shqipëria mund t'i mbyllë negociatat deri në vitin 2030. Në të njëjtën fjalim, ai i jep merita Trump se "e ka detyruar Europën të zgjohet" dhe shpreh keqardhje që një shaka e tij me presidentin amerikan u përdor nga kundërshtarët politikë të Trump për ta sulmuar atë .
Por kur vjen puna te Lindja e Mesme, përpjekja për të mbajtur dy linjat bëhet më e dukshme. Në deklaratën e shkurtit 2026, Rama kujton se "Bashkimi Evropian, përmes Presidentes Ursula von der Leyen, ka nënvizuar edhe një herë sot natyrën vrasëse të regjimit të Teheranit" . Duke e bërë këtë, ai përpiqet ta paraqesë qëndrimin e tij pro-amerikan si diçka që është në linjë me BE-në, edhe kur realiteti tregon se Brukseli është shumë më i rezervuar.
Linja e tretë: Izraeli dhe aleanca e sigurisë
Dimensioni i tretë i kësaj politike ka të bëjë me sigurinë. Shqipëria ka rritur bashkëpunimin me Izraelin në fushën e teknologjisë, mbrojtjes, monitorimit kufitar dhe sigurisë kibernetike. Ky bashkëpunim nuk është i ri, por vitin e fundit është thelluar.
Rama e ka arsyetuar publikisht këtë afrim me interesat izraelite dhe amerikane duke e lidhur me sulmet kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë në vitet e kaluara. Në këtë logjikë, mbështetja e aksit amerikan në Lindjen e Mesme nuk është thjesht një zgjedhje ideologjike, por një çështje e sigurisë kombëtare.
Nuk mund të anashkalohet as roli i Chabad-Lubavitch, rrjeti fetar hebre që shërben si urë e heshtur mes Ramës dhe botës trumpiste.
Shqipëria, si vend kandidat për Bashkimin Europian dhe si anëtare e NATO-s, ka një strukturë aleancash që në teori e vendos më pranë Brukselit sesa çdo aks tjetër gjeopolitik. Megjithatë, retorika politike e Tiranës shpesh duket më afër Uashingtonit sesa vetë disa vende të BE.
Diplomacia si politikë e brendshme
Ekziston edhe një dimension tjetër që shpesh neglizhohet. Politika e jashtme në Shqipëri përdoret shpesh si instrument i politikës së brendshme.
Çdo takim me liderë globalë, çdo foto në forume ndërkombëtare dhe çdo ftesë diplomatike shndërrohet në kapital politik të brendshëm. Në një vend ku ekonomia rritet ngadalë dhe ku emigracioni vazhdon të zbrazë popullsinë, imazhi i liderit global përdoret për të kompensuar mungesën e rezultateve të prekshme në ekonomi.
Kjo është arsyeja pse edhe një ftesë rutinë ndërkombëtare mund të paraqitet në Tiranë si një sukses historik.
Politika e jashtme e Shqipërisë në vitet e fundit duket si një përpjekje për të mbajtur hapur sa më shumë dyer njëherësh. Nga njëra anë është procesi i integrimit në Bashkimin Europian, që mbetet objektivi zyrtar strategjik i vendit. Nga ana tjetër është aleanca me Shtetet e Bashkuara, që Tirana e ka konsideruar gjithmonë garanci të sigurisë kombëtare.
Për momentin, kjo balancë funksionon sepse Shqipëria nuk është aktor vendimmarrës në konfliktet globale. Por sa herë tensionet mes fuqive të mëdha rriten, hapësira për këtë lloj diplomacie bëhet më e ngushtë.
Vendet e vogla zakonisht përpiqen të mbajnë profil të ulët në përplasjet gjeopolitike. Shqipëria, përkundrazi, shpesh shfaqet në deklarata më e rreshtuar se vetë disa vende të Bashkimit Europian.
Kjo krijon një paradoks. Tirana kërkon të hyjë në BE, por në disa raste shfaq një linjë politike më të afërt me Uashingtonin sesa me Brukselin.
Pyetja që mbetet është e thjeshtë: a është kjo një strategji e menduar e shtetit shqiptar, apo një mënyrë për të mbajtur marrëdhënie të mira me çdo qendër pushteti ndërkombëtar?
Sepse diplomacia mund të funksionojë për një kohë duke mbajtur këmbët në disa varka. Problemi fillon në momentin kur varkat nisin të lëvizin në drejtime të kundërta. /Pamfleti
Ky lolua nuk beri nje pikture te hajrit, dhe e mbanin per gallate e tallur bythen ne baskeball. Kur ne nje shtepi ndodh fatkeqesi e madhe e kolapset familja e madhe, turren tere sorrollopi, e komshinjte te rruajne e perlajne c'te mundin. Keshtu pesoi edhe Shqiperia jone qe perfundoi ne Skipeli me pabreksa plazhesh nudo, citjane turqish e atletike me kostum. Vari ka...