TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Prill 2026, 14:07

“No more Mr. Nice Guy” apo no more credibility?

Shkruar nga Gjergj Zefi
“No more Mr. Nice Guy” apo no more credibility?
Donald Trump /

Nga retorika e “ndryshimit të regjimit” te kërkesa për marrëveshje me të njëjtin regjim, politika e Donald Trump ndaj Iranit lë pas më shumë pikëpyetje sesa rezultate konkrete...

Deklarata e radhës nga Donald Trump: “No more Mr. Nice Guy”, nuk trondit më askënd. Jo sepse është një deklaratë e rutinës diplomatike, por sepse është bërë e parashikueshme.

Në diplomaci, parashikueshmëria mund të jetë aset, por jo kur ajo lidhet me kërcënime që përsëriten pa prodhuar asnjë efekt real. Atëherë ajo shndërrohet në sfond zhurme.

Paradoksi është i dukshëm: një administratë që hyri në këtë përplasje me retorikën e ndryshimit të regjimit në Teheran, sot kërkon marrëveshje me të njëjtin regjim që e konsideronte të papranueshëm.

Ky nuk është thjesht kompromis; është një kthesë që ekspozon boshllëkun midis ambicies fillestare dhe realitetit të imponuar në terren. Sepse në fund të ditës, diplomacia nuk matet me deklarata, por me rezultate. Dhe deri tani, rezultati është një ngërç i zgjatur.

Dhe këtu më vjen ndërmend anekdota e babait me të birin. I biri i thotë të atit: “Baba, e kapa hajdutin.” “Sille,” i thotë i ati. “Nuk vjen,” ia kthen i biri. “Lëshoje,” i thotë i ati. “Nuk më lëshon,” përgjigjet i biri.

Kjo është metafora më e saktë për ngërçin aktual: një përplasje që nisi si demonstrim force dhe që sot duket se ka marrë peng vetë iniciatorin e saj.

Ironia është se sa më shumë rritet toni, aq më pak ndryshon sjellja e Iranit. Teherani e ka lexuar tashmë këtë model: presion maksimal, deklarata të forta, pastaj një hap prapa drejt tryezës së negociatave.

Në këtë cikël, kërcënimi nuk funksionon si instrument detyrues, por si ritual politik. Dhe çdo ritual që përsëritet pa efekt, humbet fuqinë e tij.

Kjo situatë ngre një pyetje më të thellë për rolin e Shteteve të Bashkuara në këtë fazë: a është kjo një strategji e mirëkalkuluar presioni që kërkon kohë për të dhënë rezultat, apo një improvizim i vazhdueshëm që maskohet me retorikë të fortë? Sepse diferenca mes të dyjave është thelbësore. Njëra projekton fuqi të qëndrueshme; tjetra, paqartësi.

Në perceptimin ndërkombëtar, ky zig- zag nuk kalon pa pasoja. Aleatët kërkojnë koherencë, kundërshtarët kërkojnë dobësi.

Kur një superfuqi lëviz mes kërcënimit dhe negociatës pa një vijë të qartë strategjike, ajo rrezikon t’i humbasë të dyja: edhe besimin e aleatëve, edhe frikën e kundërshtarëve. Dhe kjo është pika ku cinizmi bëhet analizë: sepse nuk kemi të bëjmë më me një “Mr. Nice Guy”, por me një model që nuk po bind askënd.

Në fund, ndoshta problemi nuk është se Amerika po sillet butë apo shumë ashpër. Problemi është se ajo po duket edhe e butë, edhe e ashpër, por aspak bindëse. Dhe për një vend që historikisht e ka ndërtuar fuqinë e tij mbi qartësinë strategjike, kjo është më shumë se një kontradiktë. Është një sinjal dobësie i maskuar si forcë./Pamfleti

 

gjergj zefi no more mr. nice guy” apo no more credibility

1 Komente

  1. T
    Tony

    Ne ne kohen tone i quanim gango fshtati me çorape leshi. E pate se si e talli mbreti Anglise ne mes të Senatit dhe mori duartrokitjet e gjithë Senatit. Dy djali tha mbreti por i pati vend fjala e ndersa gango i fshatit fliste per caraca e ide e kumbulla të egra.

    Lini një Përgjigje

    Editorial