
Tridhjetë e pesë firma të hedhura dhe të tërhequra flasin për një opozitë që nuk mban qëndrim, as përgjegjësi dhe as peshë institucionale…
Në fëmijëri, “marshi, marshi lojë” shërbente për ta ndalur lojën kur humbja dukej e pashmangshme. Askush nuk diskutonte rregulla. Fjala mjaftonte. Loja mbaronte. Sot, opozita përdor të njëjtin refleks në politikë.
Sa herë procesi politik nuk i jep rezultatin e dëshiruar, opozita nuk përpiqet ta ndryshojë lojën përmes strategjisë. Ajo e shpall lojën të pavlefshme. Ajo largohet nga Kuvendi. Ajo refuzon zgjedhjet. Ajo e delegjitimon procesin. Ky veprim nuk prodhon alternativë. Ai prodhon vakum.
Në një sistem demokratik, politika nuk funksionon si lojë fëmijësh. Humbja kërkon përballje. Dështimi kërkon analizë. Tërheqja e përsëritur tregon mungesë gatishmërie për të luajtur sipas rregullave që vetë opozita i ka pranuar.
Kur opozita thotë “marshi, marshi lojë”, ajo nuk ndëshkon qeverinë. Ajo ndëshkon veten. Ajo heq dorë nga mjeti i vetëm që ka, përfaqësimi politik. Ajo e zëvendëson betejën me refuzimin dhe strategjinë me justifikimin.
Ky është problemi real. Opozita nuk sillet si aktor që kërkon pushtet. Ajo sillet si lojtar që nuk pranon humbjen. Në politikë, kjo sjellje nuk krijon ndryshim.
Rasti i kandidaturës së Endri Shabanit për Avokat të Popullit e ekspozoi këtë sjellje në mënyrën më të zhveshur të mundshme. Tridhjetë e pesë deputetë opozitarë firmosën zyrtarisht për kandidaturën e tij. Më pas, u tërhoqën, jo individualisht, por në grup. Pa transparencë. Pa shpjegim politik. Pa përgjegjësi institucionale.

Firma nuk është gjest formal. Firma është akt politik. Deputeti që firmos merr përsipër një qëndrim publik dhe institucional. Deputeti që tërhiqet nga firma e vet, e shndërron Kuvendin në një lojë fëmijësh dhe opozitën në një strukturë pa shtyllë kurrizore.
Ky nuk është episod teknik. Është simptomë. Opozita nuk dështoi përballë mazhorancës. Opozita dështoi përballë vetvetes. Ajo nuk arriti të mbajë një qëndrim as për një institucion kushtetues që kërkon konsensus minimal dhe pjekuri politike. Ajo nuk arriti të mbrojë një kandidaturë që vetë e prodhoi.
Kur 35 deputetë firmosin dhe më pas tërhiqen, kemi të bëjmë me kolaps politik. Deputeti nuk vepron më si përfaqësues i sovranit. Ai vepron si figurë e përkohshme që pret sinjal nga lart. Ky mekanizëm e shkatërron idenë e opozitës si alternativë pushteti dhe e redukton atë në një trup pa autonomi vendimmarrëse.
Në këtë pikë, opozita nuk humbi një betejë procedurale. Ajo shpalli të pavlefshme vetë lojën. Tha “marshi, marshi lojë” dhe u largua nga përgjegjësia. Ky refleks nuk prodhon presion politik. Ky refleks prodhon mjerim politik.
Një opozitë që nuk mbron dot firmën e vet, nuk mbron dot as votën, as institucionin, as interesin publik. Një opozitë që tërhiqet nga nismat e saj sapo përballet me presion, nuk përgatitet për qeverisje, por për justifikim të përhershëm.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit kërkon seriozitet, stabilitet dhe besueshmëri. Opozita zgjodhi tërheqjen. Ky akt nuk e dëmtoi procesin, as kandidatin. Ky akt e dëmtoi opozitën në sytë e publikut dhe e thelloi perceptimin se kemi të bëjmë me një strukturë të paaftë për të marrë vendime të qëndrueshme.
Në politikë, loja nuk anulohet. Loja vazhdon dhe përgjegjësia mbetet. Opozita shqiptare vazhdon të sillet sikur politika është lojë që mund të ndalet sa herë rezultati nuk i pëlqen. Ky nuk është opozitarizëm. Ky është refuzim i rregullave elementare të demokracisë./Pamfleti
opozita eshte zvaranike pa bosht, dhe shkon nga deshtimi ne deshtim