TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Dhjetor 2025, 13:15

Njerëz, dëgjojeni Machadon!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Njerëz, dëgjojeni Machadon!
María Corina Machado /

Një zë i lirë nga Oslo që duhet të tronditë çdo regjim që sundon me frikë, dhe çdo komb që rrezikon të harrojë se liria kërkon guxim...

Nuk ka asgjë rastësore në faktin që Çmimi Nobel për Paqen 2025 i shkoi një gruaje që nuk mundi të merrte pjesë fizikisht në ceremoni. Në vetvete, mungesa e María Corina Machado ishte një akt politik më i fortë se çdo fjalim: një laureate e paqes e detyruar të fshihet nga qeveria e vendit të saj. Kjo nuk është metaforë, është realiteti i Amerikës Latine nën një autoritarizëm të ngjizur me krimin transnacional.

Dhe pikërisht këtu qëndron mesazhi i vërtetë i Nobelit të këtij viti: ky çmim nuk iu dha paqes, por luftës për paqe; jo një kompromisi diplomatik, por përplasjes së domosdoshme me tiraninë.

Në Oslo, Machado nuk foli si disidente e përndjekur. Foli si një aktore politike që e kupton se sot paqja ndërtohet në terrenin ku dikur diskutohej vetëm siguria.

Venezuela nuk është më thjesht një shtet i dështuar; është një platformë e interesave të Moskës, Teheranit dhe rrjeteve kriminale që synojnë destabilizimin e hemisferës perëndimore. Dhe Machado e artikuloi qartë këtë rrezik, duke e kthyer konferencën për shtyp në një raport strategjik.

Regjimi i Maduro-s nuk është një çështje lokale, por një nyje gjeopolitike që mban bashkë trafikantë, milici dhe interesa të huaja. Machado e denoncoi këtë strukturë me një ton që Perëndimi rrallë ka guxuar ta përdorë: “Venezuela nuk sundohet nga një qeveri, por nga një makineri kriminale.” Pikërisht për këtë arsye, fjalimi i saj u prit me entuziazëm në Oslo dhe me tension në Caracas.

Ky Nobel prek edhe rajonin tonë. Në Ballkan, ku demokracia është kthyer në demokraturë dhe ku regjimet autoritare e quajnë veten “stabilizues”, mesazhi i Machado-s është paralajmërim: nuk ka paqe aty ku sundon frika, as siguri aty ku institucionet janë të kapura. Pa llogaridhënie, çdo aleancë ndërkombëtare mbetet formale; pa drejtësi, çdo integrim është iluzion.

Machado bëri atë që shumë politikanë në vende të lira nuk guxojnë ta thonë: paqja nuk është neutralitet, por pozicion. Nuk është heshtje diplomatike, por akt politik. Dhe në një botë ku fuqitë autoritare po kërkojnë të rikonfigurojnë rendin global, ky është një pozicion që Perëndimi nuk mund ta shmangë më.

Ky Nobel nuk sfidon vetëm Maduro-n. Sfidohen të gjithë ata që përdorin retorikën e paqes për të maskuar sundimin me frikë. Dhe ky është mesazhi i fortë i Machado-s: pa një përballje me tiraninë, paqja është vetëm teori.

Në fund të ditës, Nobel-i 2025 nuk është një rrëfim venezuelan. Është një test për botën demokratike: a ka ende vullnet për t’u përballur me autokracinë moderne? Machado e dha përgjigjen e saj. Tani radha është e jona./Pamfleti

njerëz dëgjojeni machadon gjergj zefi

2 Komente

  1. V
    Vlora

    Po pse qenka Venezuela e mbaruar? Apo se ashtu e do trumpi?

    1. L
      Luan

      Kemi një jetë që e dërgojmë o Zefi! E kemi parë dhe e njohim mirë atë zë,që më 1990 kur Ylli Popa kërkonte kohën e humbur,dhe na sollën këtë shkërdhatë ku jetojmë sot... Kështu o katolik! Dëgjojmë lart e poshtë zëra "disidentësh" sorosianë,pastaj hyn Amerika dhe e bën vendin Ukrainë, Shqipëri apo çdo hale' tjetër... Mjaft më!

      Lini një Përgjigje

      Editorial