
Roli i Rusisë në pavarësimin e Serbisë nga Perandoria Osmane, ishte pak a shumë i ngjashëm me rolin e BE dhe SHBA në pavarësimin e Kosovës nga Serbia, Rusia dhe Blloku lindor…
Ankesat e presidentit serb për pozitën e tij të pamundur, në mes perëndimit dhe Rusisë e kapën qiellin.
Në rrjetet sociale serbe dhe ato rajonale, ai shihet si një personazh tragjikomik. Ai është peng i politikës ambivalente serbe, nga e cila përfitoi shumë në shekullin e XX.
Nëse mësojmë nga historia, e tërë ish- Jugosllavia përfitoi nga të qenit “në mes” lindjes dhe perëndimit. Ish- federata e udhëhequr nga ish- partia komuniste, e cila ishte edhe komuniste edhe patriotike jugosllave, që po tentonte të formonte kombin jugosllav, sipas modelit të kombit sovjetik, ishte perëndimore sa edhe lindore.
Ajo përfitoi goxha nga kjo pozitë asnjanëse, e pa inkuadruar siç quhej, por u shpërbë në një rrokullimë të përgjakshme, kur ra muri i Berlinit dhe kur popujt po rreshtoheshin në botën e re njëpolare.
Derisa dy republikat perëndimore, Sllovenia dhe Kroacia, qartazi ishin nën ndikimin perëndimor, Serbia dhe Maqedonia bashkë me Malin e Zi ishin më tepër të kthyera nga lindja, ndërkohë që Bosnja dhe Hercegovina u formësua mbi baraspeshën që e krijonte elementi islam në mes të lindjes dhe perëndimit.
Bosnjë dhe Hercegovina ishte njëlloj modeli zviceran (jo në kuptimin ekonomik) ku takoheshin, perëndimi katolik, lindja ortodokse dhe islami.
Por Serbia mbeti e njëjtë, e pa reformuar edhe pas shpërbërjes së plotë të ish- Jugosllavisë, dhe pas thyerjes së boshtit në Bosnjë dhe Hercegovinë, në përpjekje të vazhdueshme që të ndërtojë Serbinë e Madhe mbi gërmadhat e ish federatës dhe mbi eshtrat e popujve të saj.
Kjo kontradiktë mes lindjes dhe perëndimit, pas shkëputjes së republikave perëndimore dhe integrimit të tyre në BE, pas pacifikimit të Bosnjë dhe Hercegovinës, pas futjes në NATO të gjitha vendeve përreth, u bartë në vetë Serbinë.
Me ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovës, Serbia përfundimisht mbeti pa armiq në front, e mundur dhe e gjunjëzuar nga Marrëveshja e Kumanovës. Dobësia e Rusisë dhe mos konsolidimi i saj i plotë pas shpërbërjes së ish- BRSS, e la Serbinë pa aleatin e saj strategjik, krijuesen dhe garantuesen e pavarësisë së saj.
Roli i Rusisë në pavarësimin e Serbisë nga Perandoria Osmane, ishte pak a shumë i ngjashëm me rolin e BE dhe SHBA në pavarësimin e Kosovës nga Serbia, Rusia dhe Blloku lindor.
Perëndimi dhe Rusia, këto tri dekada kanë zhvilluar dhe po vazhdojnë të zhvillojnë një luftë me Rusinë në Ballkan, në Bosnjë, Mal të Zi, në Kosovë, përderisa Maqedonia u stabilizua falë përpjekjeve konstruktive të vendeve përreth, të gjitha me përjashtim të Serbisë, tashmë vende anëtare të NATO-s dhe pretendente ose anëtare të BE.
Duke qenë se pas rënies së komunizmit, ideologji zyrtare në Rusi, u bë nacionalizmi rus dhe pansllavizmi në vend të marksizmit dhe idesë së kombit sovjetik; në Serbi pas shpërbërjes së federatës dhe partisë (Lidhjes) Komuniste, kombi jugosllav dështoi, ndërsa vetëqeverisja socialiste si ideologji nuk mbijetoi.
Përpjekja për ta përhapë “rilindjen” serbe në gati të gjitha republikat, përmes akademisë, kishës dhe ushtrisë, solli pasoja të rënda për krejt rajonin, por në fund fare të gjitha po thyhen mbi kurrizin e popullit serb.
Ideatorët e Serbisë së madhe, pikërisht mbi viktimizimin e individëve nëpër ish republikat e ngriti idenë e rrezikimit dhe “vetëmbrojtjes“ serbe e cila pastaj i rrëzoi urat e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me popujt e ish- Jugosllavisë, shumica prej të cilëve ishin sllav të jugut sikurse edhe serbët dhe flisnin gjuhë krejtësisht ose gati krejtësisht të njëjtë.
Sponsor i këtyre ambicieve, ende vazhdon të mbetet Federata Ruse, e cila ndërkohë kishte lëshuar rrënjë thellë jo vetëm në vetëdijen dhe identitetin serb por edhe në kategori shumë më të matshme si ekonomia dhe institucionet, sidomos ato të sigurisë, por edhe ndër partitë politike, një pjesë e të cilave edhe i sponsorizon.
Ashtu si u bë kisha qendër ideologjike e ekspansionit rus nëpër ish- republikat sovjetike ashtu edhe në Serbi kisha Ortodokse Serbe ishte dhe vazhdon të jetë ideatorja dhe frymëzuesja e luftërave mesjetare për territore dhe dominim në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë që Rusia po shtrihej në thellësi e gjerësi në kuadër të Serbisë dhe serbëve si entitete kudo që ndodheshin, në përkrahje të ambicieve të tyre, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor u orientuan nga perëndimi dhe faktikisht vizatuan linjën e re lindje-perëndim, apo thënë më saktë rusi-perëndim duke e rrethuar Serbinë në të gjitha anët me anëtarë të NATO-s ose vende pretendente për në BE.
Aktualisht, presioni i perëndimit për pozicionimin perëndimor të Serbisë, përkatësisht për shkëputjen përfundimtare nga Rusia dhe kërkesa për futjen e sanksioneve ekonomike ndaj saj, është top- temë në Serbi. Skena politike të merr sytë nga valëvitja e flamujve trengjyrësh të cilët është vështirë të dallohen se të kujt janë, të Rusisë apo Serbisë pasi protestuesit i rrotullojnë ata sipas qejfit dhe orientimit të tyre gjeo-politik.
Partneriteti i ofruar i SHBA për Serbinë është dora e fundit e zgjatur për kthim të saj nga perëndimi.
“Bombardimet e NATOS, mbi Serbinë ishin një dështim diplomatik”, tha këto ditë, Ambasadori i SHBA në Serbi, dhe “qytetarët e Serbisë nuk duhet ta harrojnë kurrë këtë”.
Kjo deklaratë tek ata që nuk e kuptuan, ngjalli idenë e gabuar se SHBA-ja po e favorizon Serbinë në raport me Kosovën, ndërkohë që kjo në vetvete është vetëm një thirrje qytetarëve të Serbisë të mos e harrojnë të kaluarën, të përkrahin bisedimet dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet me Kosovën me dialog, sepse alternativa e diplomacisë është gjithnjë e tmerrshme.
Presidenti serb vërtetë mund të jetë në pozitë të vështirë nën presionin dhe rrezikun nga fundamentalistët ortodoks, pro rus!
Është në dorën e tij dhe elitës rreth tij nëse do të mbyllë me diplomaci konfliktin shekullor me shqiptarët, me Kosovën, apo do të dështojë sërish diplomacia./Pamfleti
Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.