TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Qershor 2026, 13:52

Kosova voton nesër, rreth 2 milionë qytetarë u drejtohen kutive të votimit

Shkruar nga Pamfleti

Kosova voton nesër, rreth 2 milionë qytetarë u drejtohen kutive

Ditën e nesërme më 7 qershor, rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës.

Procesi zgjedhor vjen vetëm pak muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe pason një periudhë të gjatë ngërçi politik. Sipas autoriteteve, zgjedhjet e reja janë pasojë e mungesës së konsensusit për konstituimin e institucioneve shtetërore.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të drejtë vote brenda Kosovës kanë 1.959.962 qytetarë. Në këtë shifër nuk përfshihen 132.212 shtetas të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike.

Në garë për një mandat parlamentar janë 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë. Nga këta, 465 kandidatë nga gjashtë subjekte shqiptare konkurrojnë për 100 ulëset e Kuvendit, ndërsa subjektet e komuniteteve pakicë garojnë për 20 ulëset e garantuara. Në total, 593 kandidatë janë burra dhe 309 janë gra.

Procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 19:00. Për zhvillimin e zgjedhjeve janë hapur 949 qendra votimi, prej të cilave 911 qendra të rregullta me 2.498 vendvotime dhe 38 qendra për votim me kusht me gjithsej 52 vendvotime.

Për mbarëvajtjen e procesit, KQZ ka aktivizuar një dhomë operative në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, me qëllim monitorimin dhe menaxhimin e çdo situate gjatë votimit. Gjithashtu, rreth 300 anëtarë të organizuar në 72 ekipe mobile janë angazhuar për t’u mundësuar votimin personave me nevoja të veçanta.

Gjatë ditës, KQZ do të informojë publikun për ecurinë e procesit përmes konferencave për mediat në orët 08:00, 11:30, 15:30 dhe 19:30.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se KQZ ka përfunduar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor, i cili nis nesër në orën 07:00.

Sipas tij, materialet zgjedhore të depozituara në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen në orët e para të mëngjesit drejt qendrave të votimit në të gjithë vendin.

“Sipas planifikimeve, materialet zgjedhore që janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për në qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 7 qershor është 949, prej të cilave 911 për votimin e rregullt me 2,498 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, u shpreh ai.

Lini një Përgjigje