
I korruptuari i madh, Sali Berisha, para se të nisë të blejë në tregun e deputetëve, ka shitur mijëra njerëz anëtarë e militantë të PD. Tregu mban tabelën ‘Ilir Meta’. Berisha dhe Meta kanë ndërtuar skemë piramidale, njësoj si në vitin 1996, por kësaj here me njerëz
Shtrunga u vendos para zyrës më të lartë të shtetit, data 2 Mars 2021. Aty u krijua ‘njeriu i 2 Marsit’, si një minë që do të hidhte në erë demokracinë, individin, shtetin..., cilindo që do të guxonte të ishte kundër ‘popullit të 2 Marsit’. U inskenua vendi më i përshtatshëm sipas kuptimit që ka fjala ‘shtrungë’ në gjuhën shqipe. ‘Shteg i ngushtë afër derës së vathës, i bërë me gurë ose me gardh, ku shkojnë dhentë a dhitë një nga një kur i mjelim; vend i rrethuar në vathë ...”.
Ky është shpjegimi i fjalës ‘shtrungë’. Aty, para selisë së Presidentit ishte ngushtica më e kontrolluar nga vetë Presidenti i Republikës. Aty krerët e PD-së sollën në radhë një sasi të madhe të anëtarëve të PD, dhe i vuri në shtrungë. Ilir Meta që ishte president u betua se do t’i milte për shumë kohë, jo si demokratë tashmë, por si ‘dele të 2 Marsit’. Që atë ditë PD- ja ‘antikomuniste’ dhe ‘demokratike’ iu dha në dorëzim bariut nga Skrapari. PD ka lindur me shenjen e dhisë që trembet nga qyteti; ajo jeton rehat vetëm në vathën periferike. Në rastin e shtrungës, PD e ‘djathtë’ u shit te një luftëtar ‘i kuq’ flakë, i treguar me gisht si më i korruptuari në kontinent, i mallkuar nga demokratët pse u mori pjesën kryesore të pushtetit sa herë kishte hyrë në ‘vathën’ e koalicionit.
Qysh nga 2 Marsi i vitit 2021, në vathë kanë ndodhur ngjarje të mëdha; ose gjallesave brenda u duket sikur kanë ndodhur ‘ngjarje të mëdha’. Në fakt asgjë e re. E njëjta shtrungë që ‘gjallesat’ nuk janë në gjendje ta zhbëjnë, të njëjtët ujqër dhe egërsira të tjera, lufta brenda llojit po aq e egër, rrjedhja e vlerave edhe nëse kanë qenë- po bëhet rrëke... Gjëja që ua prish mendjen dhe u duket sikur po ndodhin ngjarje të rëndësishme është se copëtimi brenda vathës u vjen në mendje si proces biologjik i amebës, domethënë sa më shumë copëtohet PD, aq më e rinovuar dhe revolucionare u duket...
Fenomeni themelor që u duket si ‘risi’ është se shtrunga e 2 Marsit tanimë është alternuar edhe në Treg për Njerëz të Gjallë. Që nga 8 Janari 2022, kur Sali Berisha sulmoi për vdekje dhe mori me dhunë selinë legale të PD-së, ka nisur të shesë njerëzit e PD-së nga njëri vathë në tjetrin.
Dje ishte dita më e fundit e Tregut. Dje, dy deputete të PD (Tabaku e Çupi) kërkuan me ‘këmbë të kalit’ që pjesa zyrtare e PD, e kryesuar nga Alibeaj, të mos kandidojë me kryetarë nëpër zonat elektorale të vendit, por të votojë për Foltoren e Berishës. Foltorja e Berishës është një ‘vakëf’ në rrugë ku ndalojnë vetëm ata që nuk kanë shërim tjetër dhe mashtrojnë veten. Gjykatat e vendit dhe Komisioni Qendror nuk e pranuan në zgjedhje; Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë deklaruar se ‘kurrë nuk kanë të bëjnë dhe as e njohin’ të korruptuarin e madh dhe minuesin e demokracisë, Berisha. Foltorja e tij tani po tenton të blejë disa njerëz të gjallë, madje edhe deputetë, në vetë PD-në zyrtare. Çudia..., se të dy këto deputete dhe të tjerë brenda radhëve, qysh se ka ndodhur ‘tregu’, kanë vizituar Uashingtonin, kanë folur e kanë shkëmbyer dituri me politikanë amerikan, kanë marrë dijeni për rrezikun që i kanoset vendit me praninë e Berishës në PD.
Megjithatë, ja ku janë.
I korruptuari i madh, Sali Berisha, para se të nisë të blejë në tregun e deputetëve, ka shitur mijëra njerëz anëtarë e militantë të PD. Tregu mban tabelën ‘Ilir Meta’. Berisha dhe Meta kanë ndërtuar skemë piramidale, njësoj si në vitin 1996, por kësaj here me njerëz. Kësaj here ‘Sudja’ i kërkon Berishës ‘më jep 50 mijë vota të të jap një kryetar!’. Ja ndodhi kështu, se në tregti po jemi?! Po a quhen më ‘demokratë’ këta që votojnë dhe bëhen lëndë e parë për ‘Lëvizjen Socialiste’? Pyetja më e rëndë: Pasi të përdorë 50 mijë të gjallë në treg, vallë çfarë do t’i japë PD-së? Asgjë. Sali Berisha po funksionon si në ‘tregun e zi’ të vitit 1945. Atje, personazhi i një filmi të kohës na ka prurë të qartë ‘shitësin spekulant të grurit’.
-Haje ti më mirë!, i thotë spekulanti lopës. “Haje më mirë ti se ata!’, dhe e ushqente lopën sa për ta plasur. “Ata” ishin njerëzit fukarenj që kërkonin një grusht misër për të shuar urinë.
Ja, kështu Berisha dhe Meta, në të njëjtin treg njerëzish, shkojnë në ekstazë me mallin që shesin e blejnë: ‘Merri, më mirë ti, PL se PD’./"PAMFLETI"
Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.