Editorial20 Shtator 2023, 08:59

Presidenti, sa skllav aq edhe sheik

Shkruar nga Pamfleti
Presidenti, sa skllav aq edhe sheik
Bajram Begaj

Në OKB kemi lënë nam si shtet, kishim presidentin me emrin “Berjam’, dhe ministrin e jashtëm me mbiemër ‘Hasani’.  Herën tjetër mund të quhet Sheikh Berjam Bin Zayed Sultan Began

Jo vetëm ky president që sot ndodhet në Nju Jork për OKB, por të gjithë… Të gjithë presidentët, që nga Omer Nishani deri te Berjam Begaj, kështu janë: Gjysmën e orës skllevër, gjysmën tjetër sheikë.

Presidenti i parë i Republikës, Omer Nishani, ka të vetmen veçanti, ai nuk e shërbente aq shumë luksin se sa shërbeu Fashizmin. Ishte  një shkrues dhe ushtarak i ulët i Fashizmit të ndaluar në Shqipëri. Më shumë se Fashizmi, atëherë ishte i ndaluar pasurimi.

Por le ta nisim nga plani i dytë, si sheikë.

E saktë do të ishte të themi ‘kopje e keqe e sheikut’. Kanë vetëm pasurinë dhe mëndafshin për fresk, por nuk kanë kornizën sheikase. Për shembull, nuk dinë të vishen, ndërsa një sheik vishet ‘klas’. Nuk dinë të rrinë në tavolinë, ndërsa një sheik ka lezet kur ulet dhe kur ngrihet. Këtyre u bie piruni në dysheme shtatë herë gjatë një darke. Kanë një tufë njerëz rondokopë që u vijnë pas dhe këta gëzohen.

Kjo ndodhi me presidentin e fund-fundit, Begaj. Tani ai ndodhet në Amerikë për në OKB, dhe deri tani ka takuar në korridore vetëm presidentin e Zvicrës, i cili u ndodh aty për një minutë ‘breake’. Zvicerani e mori si për humor dhe e zgjati ndenjën, por Begaj i propozoi të bënin një fotografi. Kur nisi të bëjë fotografinë, i shkrepën njëzet celularë njëherësh.

Presidenti sheik Begaj ka marrë me vete 22 burra e gra koti. Disa i donte vetë, disa i donte gruaja, nja dy a tre ia dhanë fëmijët sepse kanë fëmijët e tyre në shkollë. A mund ta mendoni, që me vete Begaj ka me vete atë që i kreh flokët së shoqes, burrin e asaj që kreh..., të gjithë të tjerët krehin paratë e popullit. Sheikët nuk e bëjnë këtë, sepse sheikët i kanë paratë e tyre, jo të popullit

Por presidentët tanë ua kalojnë sheikëve në disa pika. Megjithëse këta nuk kanë dashnore të shpallura; këta bien në dashuri me burra që u shërbejnë skllavërisht.

Nuk është puna vetëm te ‘paratë e popullit’ që shpenzohen në tufë njerëzish. Puna është te shëmtimi që krijojnë sjelljet primitive para botës.

Një gjë nuk e dinë këta: Bota vëzhgon me imtësi, shënon dhe mban mend. Por me këtë rast përfaqësohet populli shqiptar i lashtë në qytetërim, që në fakt është ulur përtokë nga presidentët.

Presidenti i parë i Demokracisë e kishte varësinë të tufat që vinin nga të fortët e Tropojës, nga fëmijët dhe nga gruaja. Ai edhe qilimin e zyrës së presidentit e mori dhe e çoi në shtëpi ditën që u largua. Ndërsa ishte një skllav i vërtetë para tropojanëve të fortë që ia dinin vrasjet. Në Bruksel roja i tij personale, nga Tropoja, rrahu ministrin e Jashtëm të presidentit Berisha. Kjo ndodhi në publik, teksa presidenti dhe ministri ndodheshin aty për punët me Europën. Media e Europës shkroi se rrahja ndodhi për arsye fetare, ministri ishte nga një familje e vjetër katolike, ndërsa Berisha kishte qenë në shkollë për hoxhë.

Sa ç’ishte i dhunshëm dhe katil për popullin, Berisha ishte një skllav para të fortëve që i kishte lëshuar të rrihnin popullin.

Ndërsa Nishani nuk ishte ‘i fortë’, por e donte atë të shkretë pasuri pa punuar.

Edhe Topi i ra me top emërimeve në Drejtësi dhe ndërtoi vila; por kaq. Ai nuk ka portret për sheik sepse e ka qafën tmerrësisht të trashë. Megjithatë kurrë nuk e harron zakonin duke bubrruar.

Më shumë se askujt i shkon Berjam Begajt, ky ka edhe emrin ashtu, ka edhe kotësinë kur lëviz. Në OKB kemi lënë nam si shtet, kishim presidentin me emrin “Berjam’, dhe ministrin e jashtëm me mbiemër ‘Hasani’.

Herën tjetër mund të quhet Sheikh Berjam Bin Zayed Sultan Began/ Pamfleti

bajram begaj skllav sheik

Editorial