Editorial16 Shtator 2023, 13:39

Kush e përsërit historinë e zymtë si në Tiranë edhe në Prishtinë?

Shkruar nga Frrok Çupi

Kush e përsërit historinë e zymtë si në Tiranë

Ka një mister të vërtetë, të cilit nuk po i vëmë dot emër… Në Kosovë po përsëritet e njëjta histori dështimi si në Shqipëri në vitet 1992- 1998.

Dje, kryetari i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, gjatë bisedimeve me Serbinë në Bruksel, vulosi ndoshta për herë të fundit, rënien e shtetit që përfaqëson. Ai çoi ujë në vadën e një realiteti të ri politik e ndërshtetëror se ‘me Kosovën nuk merresh vesh…, Serbia vlen si aleat’.

Në Kosovë kishte plot njerëz që e duartrokitën ‘burrërinë e Kurtit’ që nuk lëshon pè para Amerikës dhe Europës. Ashtu siç Kosova ka elitën e vet dhe qytetarinë inteligjente që kupton çfarë po ndodh, por që s’ka asgjë në dorë. Politika maxhoritare e Kosovës nuk i ka lënë asnjë dritare qytetarisë së vet për të vendosur mbi fatet e shtetit më të ri në Europë.

Çfarë do të ndodhë pas kësaj?

Hamendja do të ishte e trishtë po aq sa realiteti, por do të ishte edhe e pathënshme. Mjafton të shikohen vetëm ‘bathët’ që po korren deri tani në brazdat e qeverisë Kurti, të konfirmuara nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara:

Lajmi i fundit ishte i djeshmi, kur zëdhënësi i BE, Stano, njoftoi se punët e Kosovës mund të shkojnë edhe më keq; ndërsa ambasadori Hill i Shteteve të Bashkuara ‘shpalli’ Serbinë si aleate që i bën detyrat ndaj vetes dhe ndaj aleatëve . Deri tani janë shpallur disa sanksione të Europës mbi shtetin e Kosovës. Është njësoj si shteti më i ri të ishte një fëmijë, ku ‘prindi’ të detyrohet ta vendosë në masa ‘spartane’ jetese. Mund të ndodhë, siç deklaroi Franca, që edhe plani i liberalizimit të vizave, të anulohet. Reagimi ndaj këtij oguri të zi ka nisur me rropamë politike në kreun e shtetit të Kosovës, gjë që nuk lë vend për shpresë.

Çfarë do të ndodhë më tej me Kosovën nën qeverisjen Kurti

Njëzet e ca vjet me radhë, shqiptarët e shtetit të vjetër Shqipëri, janë zgjuar e fjetur, duke rënkuar se ‘çfarë do të bëhet me këtë vend?’. Dëshpërimi pa përgjigje nisi që në vitin 1992. Ndodhën të njëjtat gjëra siç po ndodhin në Prishtinë:

Qeveria e këtushme e dalë nga një përsëritje e diktaturës, që në revolucionin e vitit 1991, kishte nisur minimin e pasurisë kombëtare. Ky popull që u drobit në punë për 40 e ca vjet, kishte ndërtuar diçka, jo vetëm diçka- por shumë, edhe pse i varfër. Berisha, në krye të shtetit- njësoj si Kurti sot, i vuri kazmën dhe zjarrin. Nisën vrasjet dhe dhuna mbi qytetarët. Shteti theu embargon e Kombeve të Bashkuara mbi ‘hitlerizmin’ në Serbi. Katër vjet me radhë Shqipëria, përkundër botës demokratike, i hapi rrugë furnizimeve me energji dhe me armë për makinën që po vriste Ballkanin. Europa e quajti ‘qeveri gangstere’. Shtetet e Bashkuara u ndëshkuan me shpifjen se ‘po na nxit luftën civile’. Të dërguarit e lartë të Amerikës nuk u pranuan në zyrat e shtetit të Berishës. Askush nuk dinte cili ishte drejtimi që po merrte shteti shqiptar, njësoj si sot Kosova. Fitimet e popullsisë shqiptare u mbyllën në skema piramidale dhe u zhdukën. Berisha, as Meksi, nuk dhanë dorëheqjen. Shteti shpalli armik Perëndimin, deri ditën kur ata u detyruan të dërgojnë 7000 forca ushtarake për ruajtjen e paqes mes shqiptarëve. Nisi lufta civile…

Ku po shkonte shteti?As këndej, as andej. Berisha nuk tregonte për lidhjet që krijoji me forcat anti- perëndimore të Botës, sidomos me shtetet ku kultivohej terrorizmi Islamik. Kreu i terrorizmit, Bin Laden, hynte e dilte sa fshehurazi edhe haptazi…

E njëjta pyetje po bëhet sot në Kosovë: Në cilin drejtim po shkon shteti, përderisa i ka kthyer shqelmat Perëndimit. Analistët nuk e pranojnë se qeveria po lëpihet andej nga janë kundërshtarët e shtetit të Ksoovës, por kjo duhet qartë.

… Po përsëritet e njëjta gjë si në Tiranë (1992- 98), në Kosovë sot.

Njeriu, para se të bëjë pyetjen e fundit se ‘cili është emri?’, pyet për kurbën që po shikojmë:

U ngrit shteti i Kosovës nga asgjëja dhe kjo ‘shpërtheu’ si një fitore e diplomacisë së Perëndimit. Tani kurba po ulet atje ku ishte.

U ngrit konsiderata për shqiptarët e Shqipërisë të dhunuar në diktaturë? Vetë Amerika dhe Europa u instaluan në këtë vend; dhe e ngritën në stad të ri. U krye hapja. U krye pjesëmarrja në KE e në OSBE. U krye ‘vizatimi’ për një Shqipëri ‘në radhë me shoqet’. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur.

Mirëpo aty u krye edhe goditja e frikshme që i dha shtetit Sali Berisha me të tijtë. Sali Berisha e kaloi disa herë të keqen që i ndodhi vendit në diktaturë.

… Atëherë vjen pyetja e fillimit: ‘Ka një mister të vërtetë, pse njësoj si në Tiranë dje, edhe në Prishtinë sot?’.

Ja ku jemi. Disa njerëz të guximshëm munden me thanë se ‘kjo është një dorë e tmerrshme’ që e kthen në greminë fatin e shqiptarëve në të dy shtetet.

frrok Çupi  albin kurti vucic berisha

Editorial