
Athina ka ngulmuar e luftuar fort që Beleri të bënte betimin si kryebashkiak para procesit të censusit e të caktonte njerëzit e tij për të bërë regjistrimin e popullsisë...
Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarit, një ekuivalent i ministrisë së Brendshme, Janis Ikonomu, ka shkuar me eskortë e protokoll në paraburgimin e Durrësit për të takuar Fredi Belerin. Pikërisht një ditë nga vendimi final për ta mbajtur në arrest me burg, e zhurmës së madhe që u bë në televizione për të mbrojtur tashmë kauzën politike të Athinës.
Por, edhe pse çështja është një teatër mes Athinës e Tiranës për të luajtur ‘macja me miun’, duket se ka edhe gjëra që ende nuk kanë dalë, e që pritet të bëhen publike së shpejti.
Bëhet fjalë për një transcript të telefonatave të Fredi Belerit, për të cilat foli Artan Hoxha. Dhe që janë në dijeni si Athina, ashtu edhe partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë si SHBA apo edhe ndonjë ‘vip’ i lartë i politikës europiane.
Janë telefonatat e Fredi Belerit me zyrtarë të lartë të qeverisë greke, të cilat tregojnë implikimin e rëndë të dy ministrive në Athinë në zgjedhjet e Himarës. Që tregojnë për financimet, logjistikën dhe lëvizjet, që komandoheshin jo nga qarqe, por nga vetë Athina zyrtare.
Dy javë më parë u bënë përpjekje për t’u publikuar në median greke këto të dhëna, por siç mësohet, ndërhynë qarqe shumë të rëndësishme të niveleve të larta që e ndaluan këtë gjë, duke hedhur si justifikim se duhet një vendim gjykate, pastaj të bëhen publike. Ndryshe konsideroheshin si shantazh ndaj procesit. Ka pasur edhe një përpjekje për t’ja dhënë medies shqiptare transkiptimet, por këtu qëndronte rreziku i hedhjes në erë të të gjithë procesit.
E nga shantazh, ky transcript duket se po përdoret si ‘as nën mëngë’ i Edi Ramës për të negociuar çështje të mëdha me Athinën: si kufiri detar, brenda të cilit fshihen rezerva të mëdha nafte e gazi, por edhe ‘vetoja greke’ në BE që tashmë ka filluar.
Athina ka ngulmuar e luftuar fort që Beleri të bënte betimin si kryebashkiak para procesit të censusit e të caktonte njerëzit e tij për të bërë regjistrimin e popullsisë. Pasi këtu fshihet edhe frika greke që Arjan Çani e deklaroi te Erla Mëhilli. Ku tha se frika është se grekët në Himarë mund të shkojnë nga 11% në 4 apo më keq 3%.
Dhe realisht mund të ndodhë, pasi pensionet greke nuk janë më një mekanizëm solid, siç ishin para vitit 2005 kur të paktën në Himarë dhe në Dhërmi, banorët regjistroheshin si grekë. Dhe këtu ndryshimi ka ndodhur nga himariotët që banojnë në SHBA, që kanë ardhur masivisht këtë verë dhe do të qëndrojnë siç duket derisa të mbyllet censusi, të cilin ambasada e SHBA do ta monitorojë me kujdes. / Pamfleti