Editorial15 Qershor 2024, 13:33

Pse vareja e Ilir Metës është një simbolikë shantazhi rus

Shkruar nga Pamfleti
Pse vareja e Ilir Metës është një simbolikë shantazhi
Ilir Meta

Vetëm pak ditë pas mesazhit të varesë në Parlamentin Europian, ku u kërcënuan “dezertorët” që kanë dorëzuar fondet sekrete në duart e BE dhe amerikanëve, Meta përdori varenë në Roskovec.


Pak ditë më parë, në Parlamentin Europian u dërgua një vare e paketuar, bashkë me një mesazh kërcënues. Adresa e destinacionit të saj ishte nga Bjellorusia, e atë e kishin “firmosur” disa anëtarë të grupit mercenar “Wagner”.

Simbolika e varesë është një vulë që kjo organizatë e ka përdorur ndër vite ndaj dezertorëve dhe atyre që i quajnë tradhëtarë.

Me shpërthimin e luftës në Ukrainë, ku trupat e Wagnerit patën probleme në fillimin e saj, përdorën shpesh simbolikën e varesë për të shantazhuar kryesisht njerëz të lidhur me shërbimet perëndimore, që ishin rusë apo edhe zyrtarë ukrainas në zonat rusofolëse.

Ndërkaq, sot, në Roskovec, ky simbol i Wagnerit, pra vareja është përdorur nga Ilir Meta, i cili bëri thirrje që njerëzit të marrin armët, duke thënë vetë se do të përdorë kallashin, që sipas tij e përdor mirë fort.

Shumë e kanë marrë këtë çalltisje të Ilir Metës, si çmenduri të radhës për të trullosur opinionin e sulmuar prokurorët e SPAK, të cilët thuajse e kanë qepur dosjen ndaj tij.
Por duket se adresa është në krejt tjetër vend. Prokurorët e SPAK apo agjentët e BKH-së, nëse do ishin trembur nga Ilir Meta, kjo do të kishte ndodhur më përpara, përpara se të hartohet dosja, e kjo do të ishte reflektuar ose me mos hapje, ose me qepje sa për të thënë.
Siç ka ndodhur disa vite më parë, me dosjen CEZ-DIA nga ish-prokurorët e krimeve të rënda që vareshin nga Adriatik Llalla.

Por, dosja ndaj Ilir Metës, siç e tha edhe vetë ai, vetëm sapo doli prej ndërtesës së SPAK, duke e përsëritur gjithë ditën, materiali ndaj tij ishte i plotë.
Ndaj edhe Meta, sapo foli me gazetarët, sulmoi ata që i quajti si “tradhëtarë”, të cilët kishin folur përpara tij me SPAK, në lidhje me të gjithë detajet e lëvizjes së parave të tij.

E pikërisht ndaj tyre, ai do të lëshojë mesazhe kërcënuese pa fund, duke përdorur kryeqëzime të koduara, që të mos i kthehen boomerang.

I vetmi mekanizëm që ka në dorë Ilir Meta, është të bëjë dëshmitarët të tërhiqen nga deponimet e tyre para prokurorëve.Që më pas në gjykatë, të thotë se i ka kërcënuar dumdumani me Edi Ramën.

E pikërisht për të përdorur këtë shantazh, kreu i partisë së Lirisë përdor hapësirën politike, që të kamuflojë mesazhin.

I cili kuptohet qartësisht nga ata që dinë të lexojnë mes rreshtash e të ç’kodojnë. Njerëzit e prokurorisë speciale, por edhe diplomatët kanë kohë që ndjekin gjuhën e Metës, për të renditur e kuptuar mesazhet.
Por ajo që ndodhi sot, ishte një kodim, i afërt me atë të para zgjedhjeve të 2021, por vetëm se nuk kishte fjalë direkte, ku u përdor rakia si alibi dalldie.

Vetëm pak ditë pas mesazhit të varesë në Parlamentin Europian, ku u kërcënuan “dezertorët” që kanë dorëzuar fondet sekrete në duart e BE dhe amerikanëve, Meta përdori varenë në Roskovec.
Edhe sikur mos të ketë lidhje direkte, vetë lidhja jo direkte krijon asocacionin e saj. Thjesht ajo që mbetet për tu parë, e sipas të gjitha gjasave, e kanë analizuar mjeshtrat e këtyre punëve, është se Meta e ka bërë se i kanë thënë, apo po i çon sinjal për mbështetje./Pamfleti