Editorial 8 Qershor 2023, 10:55

Pushteti 'Non- Grata' i Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Pushteti 'Non- Grata' i Edi Ramës

Njerëzit më të fuqishëm në politikë sot, janë të shpallur non grata nga SHBA-të.

Ka një pa-logjikë në atë çfarë po ndodh aktualisht në politikën shqiptare. Përtej faktit të provuar më shumë se një herë, se qeveria po deformon dhe ndikon sipas qejfit në drejtësinë e re, sidomos këto zgjedhjet e fundit provuan se, njerëzit më të fuqishëm në politikë sot, janë të shpallur non grata nga SHBA-të.

Për ti përmendur sipas radhës:

Vangjush Dako u vu në pranga dy ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës për lejen e ndërtimit dhënë për një pallat në qendër të Durrësit, i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 2019. Më qesharake se kjo nuk mund të ketë.

Vangjush Dako, i njohur ndryshe edhe si Sheiku i Durrësit, gjatë viteve të "mbretërimit" të tij në qytetin bregdetar ka bërë aq shumë mëkate, sa po të donte drejtësia mund tia mbushte dosjen, mjaftueshëm për ta burgosur përjetë. Por kjo është një tjetër çështje diskutimi.

Çfarë vlen të theksohet në këtë moment është se, Vangjush Dako është personazhi i parë i shpallur 'Non-Grata' nga Amerikanët, por pavarësisht kësaj, Edi Rama atëkohë u betua publikisht se kjo nuk do të ndikonte asfare në miqësinë me kryebashkiakun, sot në burg.

E si të mos mjaftonte kjo, për ti shërbyer miqësisë, pushtetit por edhe armës që deri dje e mbajti larg burgut, Vangjush Dako u aktivizua fuqishëm në fushatën e Emiriana Sakos në Durrës, e cila përtej performancës skandaloze në drejtimin e bashkisë, fitoi. Dako e bëri punën e vet dhe për këtë pushteti i Edi Ramës duhet ti jetë mirënjohës. Allias, Dako vështirë të bëjë ndonjë ditë burg...

Një 'Non- Grata' në dorë!

Tom Doshi, në kulmin e vet politik përkrah Edi Ramës, u shpall 'Non- Grata' po nga Amerikanët. Mesazhi i këtyre të fundit ishte i qartë. Por a dëgjoi Edi Rama? Natyrisht që jo! Toma bëri sikur dha dorëheqjen dhe iku nga salla e Parlamentit, por që nga ajo kohë nuk ka reshtur së shërbyeri, por edhe përfituari nga Edi Rama dhe për rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Veri të Shqipërisë, Kryeministri i detyrohet këtij eksponenti kriminal, në nga më famëkëqijtë në Shqipëri. Paratë e non grata-ve derdhen lumë në kohë fushatash dhe jo vetëm. Tom Doshi në zgjedhjet e 14 majit numëroi rreth 90 mijë vota pro dhe më shumë se 100 këshilltarë bashkiakë. Ose ndryshe, Partia e tretë në vend.

Dy 'Non- Grata' në dorë!

Aqif Rakipi, i sanksionuar nga Thesari i Shtetit për korrupsion dhe aktivitet kriminal u detyrua të largohej zyrtarisht nga gjiri i Edi Ramës. Sërish mesazhi i Amerikanëve ishte i qartë, por Rama nuk pati as forcë e  as dinjitet të vazhdonte qeverisjen pa të. U largua Qifja por futi në parti trashëgimtarin e vet. Në zgjedhjet e para dy viteve, Ornaldo Rakipi fitoi më shumë se 12 mijë vota në Tiranë, ndërsa në Elbasan i dërguari i Qifes theu rekorde të tjera.

Në zgjedhjet e 14 majit, i sanksionuari i Amerikanëve ishte protagonisti i zgjedhjeve në Vorë.

Tre 'Non- Grata' në dorë!

Këta janë vetëm 3 ndër një oqean të tërë kriminelësh që mbajnë në këmbë qeverisjen e socialistëve. Dukshëm Edi Rama as e fiton dot e as e mban dot pushtetin pa eksponentë të një kalibri të tillë.

Madje aq shumë të suksesshëm janë 'Non Grata'-t në politikën shqiptare sa edhe kampi opozitar po mbahet vetëm prej tyre në këmbë.

Partia Demokratike ka reshtur së ekzistuari dhe në zgjedhjet e fundit, i vetmi që fitoi 2 vota, ishte plaku i mallkuar 'Non-Grata' i demokratëve, Sali Berisha. Ditën që i hoqën vizën Amerikanët, Berisha kopjoi Edi Ramën. U rikthye fuqishëm në politikë, shkatërroi opozitën dhe në zgjedhjet e 14 Majit kandidatët e tij morën 500 mijë vota duke e shndërruar në faktor politik e duke varrosur një herë e mirë PD-në.

Diçka jo-logjike ka mbjellë Edi Rama ditën që mori pushtetin. Një formulë jo-logjike, por shumë kriminale që në fund të ditës po e bëjnë këtë vend të pajetueshëm./Pamfleti

pushteti \\\'non- grata\\\' edi rama