Editorial 3 Qershor 2023, 10:44

Pse miqësia e SHBA me Serbinë është në interes të Kosovës

Shkruar nga Fadil Lepaja
Pse miqësia e SHBA me Serbinë është në interes të
Pse miqësia e SHBA me Serbinë është në interes të Kosovës

Nuk është çështje emocionesh. Por, është e sigurt se në këto momente historike,  Serbia ka më shumë nevojë sesa Kosova për përkrahjen e SHBA,  që të përballet me Serbinë mesjetare dhe me përqafimin e ftohtë lindor...

Serbia  është pjesë e një problemi shumë më të madh sesa Kosova dhe se kjo përkrahje ndaj Serbisë nuk ka të bëjë aspak me Kosovën.

Duke e përkrahur Serbinë të bëhet evropiane dhe perëndimore mbrohet edhe Kosova dhe rajoni i cili me demokratizimin dhe me orientimin perëndimor dhe evropian të Serbisë do të çlirohet përfundimisht nga ambiciet e saj  mesjetare për dominim dhe do të ndërtojë urat e bashkëpunimit me fqinjët, duke ndjekur kështu frymën dhe interesin euro-atlantik.

Edhe në kuadër të trekëndëshit Kosovë-Serbi-BE, Serbisë mbi të gjitha i duhet përkrahja e SHBA dhe BE që ajo të kuptojë dhe ta pranojë si interes të vetin kornizën e planit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën e pavarur dhe demokratike.

Aktualisht në Serbi dominon fryma dhe interesi lindor, ndërkohë që SHBA po përpiqen që atë ta mbajnë pjesë të Evropës dhe rajonit.

“Kjo nuk është e mundur” do të klithin ekstremet, të cilat duan që SHBA dhe NATO të vihet në shërbim të politikave lokale, nacionale, e të anojë duke aktivizuar kështu të gjitha kundërthëniet e brendshme dhe duke rrënuar kështu koalicionin global. Kjo është një pritje e pa arsyeshme dhe vendet e Ballkanit perëndimorë duhet të kalibrohen vetë me përmasat gjigande të këtij konflikti global i cili nuk po zhvillohet vetëm për Ukrainën edhe pse armët po kërcasin vetëm atje, tani për tani.

Por edhe ndër ne, qarqe ekstreme klithin se SHBA e tradhtuan Kosovën. Është e turpshme të thuhet se SHBA dhe BE e tradhtuan Kosovën. Opozita dhe disa mercenarë mediash, në anën tjetër po klithin se Kosova zyrtare e tradhtoi SHBA dhe afrimin e aleatit kryesor me Serbinë e shohin si kataklizmo.

Gjithsesi, të dyja palët harrojnë se vetëm para pak ditësh djemtë (ushtarët) e Evropës dhe SHBA u përleshën për të mbrojtur flamurin e Kosovës nëpër institucione në veri dhe për të mbrojtur kryetarët e zgjedhur të komunave, në një proces të ligjshëm por të bojkotuar nga komuniteti shumicë në ato komuna. Ata e pranuan rezultatin e zgjedhjeve edhe pse ishin të vetëdijshëm se kjo është veç demokraci formale.

Është marrëzi të thuhet se SHBA nuk do ta përkrahë Kosovën sepse tani po e përkrahë Serbinë!

SHBA e përkrahë me të drejtë Serbinë në këto momente historike, sepse Serbia evropiane ka nevojë për ndihmë përballë Serbisë mesjetare dhe Rusisë. Pa përkrahjen perëndimore Serbia nuk mund ta përballojë thirrjen e saj mesjetare që udhëhiqet nga klero-nacionalizmi serb dhe nga ndikimet e interesave dhe strukturave lindore.

Nga Serbia evropiane Kosova nuk ka dëme. Frika se dikush do ta shes Kosovën është retorikë kafenesh e pazaresh provinciale. Përkrahja që SHBA po ja jep Serbisë nuk e vë në pyetje përkrahjen e saj dhe në përgjithësi përkrahjen perëndimore për Kosovën. Është e qartë se dy vendet, Kosova dhe Serbia kanë nevojë për të tejkaluar armiqësitë dhe frikën e ndërsjellë dhe për të ndikuar në këtë proces duhet besimi dhe marrëdhëniet e mira me dy palët. Superfuqia e vetme e planetit mund të ja lejojë vetes këtë.

Janë  spekulime të ulëta, se SHBA është zemëruar nga Kosova zyrtare dhe se tash për dënim  e përkrahë Serbinë. Përkundrazi,  SHBA ndihen krenare që Kosova nuk është më aq e pafuqishme sa ta mbaj për krahësh, por është e përgjegjshme për të mos lejuar që Kosova të futet në një konflikt për të cilin ende nuk është e përgatitur! Konflikti në Ballkan nuk është në interes të SHBA as të perëndimit. Ushtrimet ushtarake “Mbrojtja e Evropës 2023” nuk u mbajtën rastësisht në Ballkanin Perëndimor dhe nuk synojnë të mbrojnë vetëm Kosovën. Nuk duhet shqetësuar për largimin e Ushtrisë së Kosovës nga "Mbrojtja e Evropës 23", sepse Ushtria e Kosovës tashmë është pjesë e NATO-s dhe  do të fuqizohet e do të përfshihet ose jo  në ushtrime apo angazhime luftarake sipas standardeve dhe vlerësimeve të Aleancës Euro-Atlantike.

Por, ka edhe diçka që duhet nxjerrë si mësim. Kosova u largua nga ushtrimet ushtarake sepse për një moment, në vlug të krizës, harroi se ato ushtrime po mbahen për Mbrojtjen e Evropës dhe jo vetëm për mbrojtjen e Kosovës. Mbrojtja e Kosovës është projekt tjetër i filluar zyrtarisht më 1999 dhe do të vazhdojë derisa Kosova të jetë rrethuar me miq dhe të jetë shndërruar në një hallkë të sigurte në zinxhirin e sigurisë kolektive perëndimore.

Reagimi i NATO-s ndaj  rrethimit ushtarak të Kosovës dhe nga dhuna e ekstremistëve në veri, nuk ishte ndërprerja e ushtrimeve as rigrupimi i forcave të angazhuara në ushtrimet “Mbrojtja e Evropës 2023”. Për të mbrojtur Kosovën, u sollën në Kosovë edhe 700 ushtarë të NATO-s dhe do të sillen edhe më shumë nëse e kërkon nevoja. Ky ishte mesazh i qartë se Kosova nuk është një bombë e kurdisur të cilën Serbia apo dikush tjetër mund ta shpërthejë kur të dojë./Pamfleti

kosova serbia shba miqësi interes